E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNESCO në Butrint:Kujdes rrugët dhe mjedisin

SARANDE-Disa ekspertë nga UNESCO e ICOMOS dhe drejtues të institucioneve të specializuara shqiptare që kujdesen për trashëgiminë kulturore, kanë inspektuar dy ditët e kaluara Butrintin. Sinisha Sheshun, nga zyra e UNESCO-s në Venecia dhe Giora Solar nga ICOMOS-i, të shoqëruar nga Apollon Baçe, drejtor i institutit të monumenteve, Roland Olli, drejtor i agjencisë së shërbimit arkeologjik, dhe drejtori i zyrës së administrimit dhe koordinimit të Butrintit, Rajmond Kola e specialistë të tjerë. Kanë parë me përparësi atë çfarë ofron momentalisht Butrinti dhe efektet që jep investimi për zgjerimin e rrugës kanali i çukës-Butrint. Në mjediset e Hotel Butrinti Baçe, Olli dhe Kola kanë komunikuar dje për mediat mbi rezultatet e inspektimit dhe zgjidhjet që rekomandohen për menaxhimin më të mirë të Butrintit. Sipas drejtorit të institutit Apollon Baçe, parku i Butrintit nuk menaxhohej mirë, ndërsa firma ndërtuese e rrugës, tha ai, ka respektuar parametrat, si të ishin arkeologë. Ai veçoi se rekomandimi i parë lidhet me kompensimin e pemëve të shkulura për shkak të zgjerimit të rrugës, me mbjellje të reja dhe me krijimin e një piste për kalimin e këmbësorëve dhe biçikletave. Drejtori i agjencisë së shërbimit arkeologjik Olli tha se nuk do të preket pasuria arkeologjike që gjendet në të majtë të rrugës. Ndërsa, drejtori Rajmond Kola është ndalur në risitë e menaxhimit të vizitorëve të Butrintit dhe në ribërjen të vizitueshme të kalasë trekëndore. Ardhja e misionit të ekspertëve në Butrint, vlerësohet se ka vetëm impakte pozitive, pasi opinioni kështu bëhet më i ndjeshëm. Ndërkaq, edhe pse drejtuesit shqiptarë të institucioneve të trashëgimisë i kanë përcjellë me tone të lehta "këshillat" e ekspertëve nga UNESCO dhe ICOMOS, burime të gazetës thonë se ekspertët nuk kanë qenë gjithaq të dashur. Sipas tyre, ekspertët e misionit kanë qenë mjaft kritikë pas vëzhgimeve në zonë. Megjithatë, nuk bëhet e ditur konkretisht se cilat kanë qenë kritikat konkrete për problemet në këtë park kombëtar, edhe pse vetë Apollon Baçe, kreu i institutit të Monumenteve të Kulturës, ka pranuar se në këtë park ka pasur keqmenaxhim. Sa i takon "përshtypjeve" që ka lënë Butrinti gjatë kësaj vizite, ekspertët do të flasin në raportin për vizitën që do të publikohet në muajin shtator.
Misioni
Nga data 24 deri 26 gusht në Butrint qe i pranishëm një mision i UNESCO -s dhe ICOMOS-it, dy institucionet më të larta ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë botërore. Ky mision erdhi si rezultat i një fushate të ndërmarrë nga specialistë të trashëgimisë kulturore brenda dhe jashtë vendit pranë këtyre institucioneve për të vëzhguar nga afër ndërtimin e një rruge brenda zonës së mbrojtur me statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ndërtimi i kësaj rruge është bërë jashtë kritereve të përcaktuara për zonat e mbrojtura me këtë status dhe nuk janë respektuar disa parametra në lidhje me peizazhet historike, ambientin dhe integritetin e kësaj zone.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›