UNICEF: 1600 të vrarë javën e kaluar në Siri

Organizata për mbrojtjen e Fëmijëve e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) ka bërë të ditur se javën e kaluar në Siri janë vrarë të paktën 1,600 persona.
Duke e cilësuar si javën më të përgjakshme që nga shpërthimi i trazirave kundër presidentit Bashar al-Asad, në mars të vitit 2011, zëdhënësi i UNICEF-it, Patrik Mekornik, nuk ka dhënë detaje se si janë nxjerrë këto shifra.
Megjithatë, ka pasur disa raporte nga aktivistët dhe dëshmitarët për civilë të vrarë nga sulmet në zonat e banuara.
Lufta civile ka marrë kthesë të madhe në muajin gusht, kur forcat e Asadit kanë nisur të përdorin bombardimet nga ajri për të shtypur revoltën.
Luftimet po ashtu kanë prekur qytetin më të madh të Sirisë, Alepon, i cili deri vonë ka qenë relativisht i qetë.