E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNMIK ekziston derisa është në fuqi Rezoluta 1244

Analistja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus, mendon se mandati i UNMIK-ut duhet të shqyrtohet sërish, duke marrë parasysh përcaktimin e Kosovës për t’iu drejtuar integrimit në Bashkimin Evropian.

“Kjo është një çështje që duhet të ngrihet dhe të diskutohet sërish në të ardhmen, veçanërisht kur Kosova po u afrohet integrimeve evropiane, gjë që shpresoj se do të ndodhë në pesë deri në tetë vjetët e ardhshme”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

“Atëherë do të shtrohet pyetja se a mund të ekzistojë prania e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, a mund të ketë përgjegjësi legale të administratës së OKB-së për një shtet, i cili synon t’i bashkohet Bashkimit Evropian”, tha Knaus.

Roli, formati dhe korniza e veprimit të UNMIK-ut në Kosovë kishin qenë temë boshte e debateve të shumta politike brenda dhe jashtë Kosovës. Me operacionalizimin e misioneve evropiane në Kosovë, roli i OKB-së në vend është vlerësuar i parëndësishëm nga Prishtina zyrtare. Ndërkaq, Qeveria e Serbisë kishte këmbëngulur që ky mision të vazhdojë prezencën e tij nëpër zona të caktuara në Kosovë.

Knaus mendon se edhe qëndrimi i shtetit serb në lidhje me këtë temë do të ndryshojë.
“Në fushat, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme qytetare, Kombet e Bashkuara po luajnë një rol ndërmjetësues, me të cilin mendoj se Kombet e Bashkuara pretendojnë të tregojnë se janë përgjegjëse. Në këtë mënyrë, Serbisë dhe serbëve të Kosovës u mundësohet të mos kenë të bëjnë me institucionet kosovare duke i zhvilluar kontaktet përmes Kombeve të Bashkuara”.

“Supozoj se me kalimin e vjetëve kjo do të bëhet më pak e rëndësishme, meqë shpresojmë që edhe Serbia t’i kthehet më tepër Evropës. Atëherë, edhe çështja e Kosovës do të humbë rëndësinë e saj në debatin e brendshëm në Serbi”, u shpreh Knaus.

Aktualisht, UNMIK-u vepron me një staf prej rreth 500 vetash në Kosovë me rol monitorues, raportues dhe facilitues në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Veprimet e këtij misioni pritet të diskutohen në mbledhjen e radhës për Kosovën të Këshillit të Sigurimit, më 15 tetor. (rel-start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›