UNMIK-u kërcënon shqiptarët në veri

Administrata e UNMIK-ut në veriun e Mitrovicës, ka kërcënuar disa banorë shqiptarë. Rexhë Avdiu, Remzi Beqiri, dhe Bashkim Abazi janë banorët e veriut të Mitrovicës, që përmes disa vendimeve të UNMINK-ut, janë kërcënuar që të mos rindërtojnë shtëpitë e tyre, në të kundërtën do t`i rrënojnë ato.
Rexhë Avdiu banor i "Lagjes së boshnjakëve", ka theksuar se Aleksandar Barac, inspektor serb nga administrata e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës, i ka dorëzuar atij të hënën vendimin për ndërprerjen e punëve.
Inspektori ka kërkuar rrënimin e asaj që është bërë deri tani në ndërtimin e shtëpisë në pronën, banesë, që ka filluar këto ditë si donacion i dhuruar në mbrëmjen humanitare kushtuar Mitrovicës "Ndihmo edhe ti".
Sipas këtij vendimi të shkruar në gjuhën shqipe, por me shumë gabime, të datës 22.06.2012, Avdiu urdhërohet që në afatin prej 48 orësh të rrënojë objektin, me arsyetimin se nuk ka leje ndërtimi nga administrata e UNMIK-ut.
"Nëse nuk veprohet sipas këtij vendimi, atëherë ekzekutimi do të bëhet me dhunë", thuhet mes tjerash në këtë vendim.
Vendime të tilla kanë marrë edhe Remzi Beqiri dhe disa banorë tjerë, të cilët konsiderojnë se vendimet e tilla nuk janë asgjë tjetër veçse një provokim i radhës nga ana e ekstremistëve serbë dhe UNMIK ut, që kanë për qëllim dekurajimin e shqiptarëve për të jetuar dhe rindërtuar në pronat e tyre në veri.