UNMIK-u vazhdon praninë aktive
Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNMIK, do të ruajë praninë në Kosovë, së paku edhe për një vit, duke synuar që të ketë rol më aktiv në detyrat e marra që prej rikonfigurimit të pranisë së vet, dy vjet më parë.
Krahas raportimit e monitorimit për situatën politike dhe lehtësimit të dialogut ndërmjet komuniteteve të Kosovës, ky mision do të vazhdojë që të ketë rol administrativ në veri të vendit, duke mos përjashtuar edhe mundësinë për përfshirje në dialogun Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Përshkrimi i këtyre objektivave është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, i cili në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate ka dwrguar propozim buxhetin për UNMIK-un, në shumën prej afër 45 milionë dollarësh.
“Ky raport përmban buxhetin për UNMIK-un, për periudhën 1 korrik 2011 – 30 qershor 2012, e cila kap vlerën prej 44 914 800 dollarë. Buxheti parasheh vendosjen e tetë vëzhguesve ushtarakë, tetë zyrtarëve policorë të OKB-së, 162 zyrtarëve ndërkombëtarë, 222 zyrtarëve vendorë dhe 28 vullnetarë të OKB-së”, thuhet në propozim buxhetin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Në këtë dokument, Ban Ki-moon thekson se në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, objektivi strategjik i misionit të UNMIK-ut mbetet lehtësimi i procesit që çon në konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.