E Shtunë, 31 Tetor 2026

UP kërcënohet me protesta

Sindikata e Universitetit dhe e Shkencës së Kosovës (SUSHK) ka paralajmëruar grevë dhe protesta në shenjë revolte për mosngritjen e pagave të stafit të Universitetit të Prishtinës (UP) që janë të punësuar në administratën e këtij universiteti.Rroga e një referenti vazhdon të mbetet e pandryshuar, ndërsa ajo e profesorit viteve të fundit ka shënuar ngritje duke arritur në nivelin 10-15 herë më e madhe sesa paga që merr referenti, shkruan gazeta Zëri. 

Premtimet e krerëve të Rektoratit se do të ngrihen pagat edhe për administratën kanë mbajtur të heshtur këtë revoltë deri të martën, kur përfaqësues të kësaj sindikate deklaruan ultimatumin e tyre se “në qoftë se nuk do të ketë vendim për rritje të pagave deri më një shtator, punëtorët e administratës do të protestojnë dhe do të mbajnë greva”.

Në përkrahje të punëtorëve të administratës së UP-së ka dalë dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).Bardh Bardhi, kryetar i SUSHK, ka thënë se në UP pagat janë rritur për profesorë, por asnjëherë deri më tash kjo nuk ka ndodhur për administratën, e cila, sipas tij, nuk mbetet mbrapa me përgjegjësinë dhe angazhimin gjatë punës me studentë, numri i të cilëve vetëm te një referent që drejtohet për shërbim sillet me mijëra veta. “Një referent së paku ka punë me 1000 studentë, ndërsa nëse marrim shembullin e Fakultetit Ekonomik atëherë ky numër dhjetëfishohet pasi që një referent në këtë fakultet është në shërbim të 10 mijë studentëve”, deklaroi ai.

Bardhi ka bërë të ditur se paga minimale e një punëtori në administratë është 222 euro, ndërsa maksimalja e stafit administrativ në këtë universitet arrin në 480 euro. Ky reagim ai thekson se vjen pas mospërmbushjes të kërkesave të të punësuarve në administratën e UP-së dhe pas bisedave të stërzgjatura dhe premtimeve të dhëna nga menaxhmenti dhe Këshilli Drejtues i UP-së, se do të realizohet vendimi i qeverisë-kryeministrit i datës 06.01.2011 për rritje të pagave të shërbyesve civilë.

Ky vendim, Bardhi tha se nuk po zbatohet për shërbyesit civilë të universitetit. Përgjigja, që ai ka marrë nga UP-ja vazhdimisht ka qenë se po punohet në drejtimin të zbatohet vendimi i qeverisë, kurse tash, sipas Bardhit, përgjigja ka ardhur se ka implikime buxhetore dhe nuk mund të bëhet kompensimi në paga bazuar në vendimin e qeverisë. Bardhi ka thënë se në UP duhet patjetër të ndodhë dhe sistematizimi i vendeve të punës sipas kualifikimit dhe ngritjes profesionale e jo sipas njerëzve. Nëse këto kërkesa nuk realizohen deri më 01.09.2013 atëherë SUSHK-u do të ndërmarrë masa tjera sindikale si protesta, greva duke filluar nga muaji shtator 2013.  /Zëri/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›