USAID: Zëri i shoqërisë civile nuk dëgjohet. Gjendja e saj, në përkeqësim
Kur prezantoi nismën Vepro tani, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu tregoi se sa shqetësuese kishte qenë kur në Uashington u tha se gjendja e shoqërisë civile në Shqipëri është përkeqësuar. Pak ditë më pas, KQZ e Arben Ristanit i dha edhe një shuplakë të fortë shoqërisë civile, si për karshillëk ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, kur u tall me kërkesën e dhjetëra- mijëra qytetarëve për një referendum kundër importit të plehrave.
Ndërkohë sot USAID, agjencia e ndihmës e qeverisë amerikane, ka publikuar një raport me nota kritike për gjendjen ku ndodhet shoqëria civile në Shqipëri. Në raport thuhet se shoqëria civile nuk ka sukses në vendimmarrje.
Organizatat civile shqiptare janë angazhuar në çështje që përbëjnë shqetësim për publikun në vitin 2011, nëpërmjet shqetësimit dhe monitorimit, por e kanë pasur të pamundur por të ndikuar me sukses tek vendimmarrjet. Edhe pse i kanë bërë thirrje partive për tu përfshirë në dialog konstruktiv, progresi është arritur pas presionit ndërkombëtar, thuhet në raport.
Mjedisi ligjor ku veprojnë OSHC, organizatat e shoqërisë civile u përkeqësua gjatë këtij viti. Vihet re se Gjykata nuk ka një regjistër elektronik të Organizatave të shoqërisë civile. Të vetmet të dhënat të besueshme për numrin e tyre vijnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, vijon raporti.
USAID vëren dhe presionin që është bërë ndaj disa organizatave të shoqërisë civile të cilat veprimtarinë e përqendrojnë tek qytetaria aktive.
Si koalicioni qeverisës ashtu dhe opozitar akuzoi disa OSHC si të varura politikisht, ka pasur raste kur shteti ka bërë presion ndaj lëvizjes Mjaft dhe Rinia aktive, ku veprimtaria përqendrohet tek qytetaria aktive për qeverisjen e mirë.