UT, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja kërkon testimin e studentëve të rinj
Drejtuesit e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës i janë drejtuar senatit të këtij institucioni përmes një letre, me anë të së cilës ata kanë kërkuar që pranimet e reja në degët që ofrojnë të ketë një seleksionim të studentëve. Një gjë e tillë pohohet nga vetë drejtuesit e këtij fakulteti, të cilët shprehen jo pa shqetësim lidhur me cilësinë tepër të dobët të një numri të madh studentësh që hyjnë në vitin e parë.
Ndërsa procesi i Maturës Shtetërore është në prag, edhe shqetësimi i tyre ka lidhje me disa ndryshime që drejtues të këtij fakulteti mendojnë se janë të vlefshme për degët specifike që ata ofrojnë. Pedagogë të gjuhëve të huaja në këtë fakultet pranojnë faktin se një pjesë e konsiderueshme e të rinjve që pranohen në vitet e para nuk kanë as njohuritë minimale të gjuhëve që pretendojnë se do të studiojnë në tre vitet në vazhdim. Sipas tyre, rreth 80% e studentëve që ndjekin Fakultetin e Gjuhëve të Huaja nuk e njohin gjuhën për të cilën ata studiojnë. Për rrjedhim, cilësia e dobët ka bërë që më shumë se gjysma të mos e mbarojnë dot shkollën. Vetë pedagogët shprehen se nga tre vjet që është koha e rregullt e studimeve, shumica dërrmuese e studentëve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja janë në vitin e pestë ende të padiplomuar. Për drejtuesit e fakultetit ky fenomen ka nisur që me zbatimin e Maturës Shtetërore, 5 vjet më parë. Ndaj ata kanë vendosur që nëpërmjet një letre zyrtare t’i kërkojnë senatit të universitetit të miratojë kriterin seleksionues të maturantëve. Ky seleksionim do të konsistojë në faktin që të rinjtë përpara se të pranohen të testohen. Kështu, ata që e njohin gjuhën të cilën kanë zgjedhur do të vazhdojnë normalisht mësimin. Ndërsa për të tjerët që nuk kanë njohuri ose dinë shumë pak nga gjuha e huaj që presupozohet të studiojnë duhet të bëjnë një vit mësim gjuhe nga fakulteti. Drejtuesit e fakultetit tregojnë se në kohën e pranimeve me konkurs niveli i studentëve ishte shumë i lartë. Ata shtojnë se me hyrjen e maturës, cilësia filloi të bjerë dhe situata degradoi kur degët u liberalizuan plotësisht. Pavarësisht njohurive mbi gjuhën e huaj ata që mbeteshin pa shkollë të lartë hynin këtu, pa e ditur se dhe pas 5 vjetësh nuk do të arrinin të merrnin dot diplomën.
Degët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja jo vetëm në Universitetin e Tiranës kanë mbetur vazhdimisht të paplotësuara e për rrjedhim ato kanë pasur kuota bosh në dispozicion, që janë mbushur në raundet e dyta të treta apo të katërta të shpërndarjes së të rinjve në institucionet e arsimit të lartë publik mbi bazë të parimit ku mbështetet Matura Shtetërore, atij meritë-preferencë.
Duket se “rebelimi” i universiteteve po shtohet ndaj procesit të Maturës Shtetërore dhe përzgjedhjes së studentëve të rinj në degët që ato ofrojnë. I tillë është rasti i evidentuar në gazetën “Shqip” pak ditë më parë për universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Drejtuesit e tij kanë vendosur disa kritere për pranimet e reja në vitin akademik 2010-2011, si mesataren jo më poshtë se nota gjashtë, apo përgatitjen në lëndën e matematikës, për degët e profilit. Ndonëse këto propozime apo kritere janë në kundërshtim me parimin funksionues të Maturës Shtetërore të përcaktuar nga Ministria e Arsimit sërish universitetet vazhdojnë të kërkojnë studentë cilësorë për auditorët e tyre dhe jo të rinj pa interesa.
#