Ngarkesa mësimore heq nga puna mësues të tjerë
Shumë mësues definitivë pritet të lënë detyrën e tyre dhe të kërkojnë punë në shkollat private apo t’u drejtohen profesioneve të tjera. Ata do t’i bashkohen numrit të kolegëve të tyre tashmë të papunë, të cilëve nuk u është rinovuar kontrata e përkohshme me Ministrinë e Arsimit.
Ngarkesa e re mësimore për mësuesit ka bërë një rishpërndarje të orëve të mësimit në çdo shkollë. Sipas urdhrit më të fundit të dalë nga ana e ministrit të Arsimit bëhet e ditur se për mësuesit e ciklit fillor, norma mësimore shkon në 23 orë në javë, ndërsa për arsimtarët e gjimnazeve, orët e punës në javë shkojnë në 22.
Një gjë e tillë ka bërë që drejtuesit e shkollave të riorganizohen dhe dje ka nisur nga zbatimi ngarkesa e re mësimore. Largimi i mësuesve të kontraktuar ka bërë që orët e mësimit që përballoheshin prej tyre t’u kalojnë arsimtarëve të tjerë dhe në një pjesë shkollash mësohet se është arritur që kjo të mbulojë të punësuarit e emëruar në to. Por në shumë institucione të tjera shkollore edhe mësues të emëruar që kanë vite që punojnë në arsim nuk arrijnë që të plotësojnë numrin e duhur të ngarkesës së plotë mësimore. Një pjesë e orëve të tyre u kalon kolegëve. Kështu, ka shkolla ku një mësues mbetet vetëm me dhjetë orë mësimi në javë. Si rrjedhojë ai është i detyruar që të lërë vendin e punës dhe orët e tij të menaxhohen nga kolegët e së njëjtës fushë. Por si kriter për këto largime nga puna mësohet se nuk është vetëm çështja e ngarkesës. Kjo, pasi janë drejtuesit e shkollave ata që vendosin se si do të shpërndahen orët e mësimit dhe kujt do t’i kalojnë ato. Në shkollat e sistemit parauniversitar kanë nisur ethet e largimit nga puna. Në një pjesë të konsiderueshme të tyre, veçanërisht në kryeqytet, largimet mësohet se po bëhen me sistemin “kush ka ardhur i fundit”. Pra mes mësuesve të një lënde kur nuk ka plotësim të ngarkesës mësimore, arsimtari që detyrohet të lërë vendin e punës është ai që ka më pak kohë pune në këtë shkollë.
Reagimi i mësuesve nuk ka qenë aspak i mirë lidhur me ngarkesën mësimore të caktuar për ta në javë. Disa prej tyre shprehen se 22 orëshi nuk është ngarkesa e vetme në punë. Sipas tyre, kësaj norme i duhen shtuar edhe orët e detyruara tashmë të konsultimeve. Po kështu, mësuesit që kanë klasa në kujdestari kanë edhe një ngarkesë ekstra. Ata duhet të merren me përpunime statistikash, hedhje notash, apo nxjerrje të dhënash të tjera. Ndërkohë që nuk ngurrojnë ta cilësojnë këtë urdhër të ri si një mbingarkesë për ta edhe për shkak të krizës së fundit ekonomike.
Urdhri i Ministrisë së Arsimit për normën javore ka prekur edhe sistemin parashkollor, kopshtet. Sipas udhëzimit të MASH-it, për edukatoret e kopshteve shtohen orët e punës deri në 36 në javë.
Vetëm disa javë më parë Këshilli i Ministrave nxori një vendim në bazë të të cilit rinovoheshin kontratat e përkohshme vetëm për 704 punonjës, ndërkohë që rreth 1300 mësues të sistemit parauniversitar, që punojnë me kontrata të përkohshme do të duhet që të lënë radhët e arsimit, në muajin shkurt, pasi kontratat e tyre nuk do të rinovohen.
Nga 2011 mësues me kontrata të përkohshme deri në janar, vetëm 704 të tillë do të kenë mundësi që të mbyllin vitin shkollor në krye të detyrës. Këtyre të fundit u zgjatet kjo kontratë deri në fund të muajit qershor të këtij viti. Për plotësimin e normës mësimore, arsimtarët ngarkohen dhe me orë jashtë profilit.
Ngarkesa e re mësimore është përcaktuar në varësi të numrit të nxënësve që do të ketë secila klasë. Kështu, në arsimin parashkollor, numri i fëmijëve në një grup duhet të shkojë në jo më pak se 25, ndërsa në klasat e arsimit bazë dhe të mesëm, numri i nxënësve duhet të jetë jo më pak se 32. Për kryeqytetin, numri i nxënësve në një klasë vazhdon të jetë ende shumë i lartë.
Pak ditë më parë, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikolla, deklaroi se Ministria e Arsimit po largon nga puna mbi 1600 mbi kritere politike dhe jo profesionale.
#