Viktimat e trafikimit, tani me ndihmë ekonomike
Viktimat e trafikimit do të përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike, ndërsa institucionet që ofrojnë përkujdes për to do të mbështeten financiarisht nga shteti. Projektligji i ri është diskutuar dje në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë. Propozimi dhe hartimi i këtij projektligji është bërë nga strukturat e Shërbimit Social Shtetëror në Ministrinë e Punës.
Projektligji parashikon që ofruesit e shërbimeve të përkujdesit shoqëror për viktimat e trafikimit ose personave në rrezik trafikimi të ngritura nga OJF-të dhe financuara nga donatorë të ndryshëm, së shpejti do të mbështeten nga shteti si në planin financiar ashtu dhe atë administrativ. SHSSH ka propozuar edhe ngritjen e njësive mbikqyrëse të administrimit të shërbimeve për këtë kategori në nevojë, të cilat do të kryejnë aktivitetin e tyre, pranë katër IPSH-ve, në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër. Në pr/ligjin “Për disa shtesa në ligjin nr.9355, datë 10.03.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, viktimat e trafikimit do të jenë përfituese të Ndihmës Ekonomike, pasi ato të dalin nga qendrat rezidenciale të shërbimeve të përkujdesit social. Kostoja financiare për përfshirjen në programin e ndihmës ekonomike për rreth 105 persona viktima të trafikut është rreth 3.3 milionë lekë. Ndërkaq për të krijuar një mbështetje administrative shtetërore sa më të konsoliduar është parashikuar krijimi i Njësisë për mbikqyrjen e administrimit të Qendrave të Trajtimit të VoT. Kjo njësi do të përbëhet nga 12 persona të ndarë në katër grupe për katër rrethet ku IPSH-të ofrojnë shërbime të përkujdesit shpoqëror.
#