E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uashington-Moskë, OK në Pragë

Presidentët Obama dhe Medvedev firmosin “balancën” e interesit bërthamor

Presidenti amerikan, Obama, dhe ai rus, Medvedev, kanë nënshkruar një marrëveshje për një traktat të reduktimit të armëve bërthamore, që do të nënshkruhet zyrtarisht në Pragë, më 8 prill. Pas muajsh të gjatë të një situate që dukej e bllokuar, më në fund është arritur marrëveshja që do të zëvendësojë atë të Luftës së Ftohtë START, që tashmë skadoi një vit më parë. Kjo arritje është më e rëndësishmja deri më tani e Presidentit amerikan në politikën e jashtme dhe njëherazi shënon edhe një sukses në marrëdhëniet për shumë kohë të vështira mes Moskës dhe Uashingtonit. Obama dhe Medvedev i vunë “vulën” marrëveshjes gjatë një bisede të fundit telefonike, në të cilën të dy liderët e vendeve më të fuqishme, për sa u përket armatimeve bërthamore, ranë dakord që të reduktojnë një sasi të madhe të arsenalit të tyre. “Unë jam i kënaqur që të njoftoj se pas një viti bisedimesh intensive Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rënë dakord për një marrëveshje për reduktimin e armëve, që është më gjithëpërfshirësja e këtyre dy dhjetëvjeçarëve të fundit”, deklaroi Obama para gazetarëve. Në Moskë, Medvedev e ka përshëndetur marrëveshjen, e cila sipas tij “reflekton balancën e interesave të të dyja vendeve”. Sipas kësaj marrëveshjeje 10-vjeçare, secila palë duhet të reduktojë mbushjet bërthamore nga 2200, që janë aktualisht në 1500, dhe njëherazi duhet që të bëjë reduktime të dukshme në shumë armë të tjera. Sekretarja amerikane e Shtetit, Klinton, tha se kjo marrëveshje është një mesazh i qartë edhe për Korenë e Veriut dhe Iranin, në lidhje me ambiciet e tyre bërthamore, pasi ajo shpreh konkretisht një zotim të Perëndimit për të reduktuar armët bërthamore.

“Duke mbajtur premtimet tona në lidhje me reduktimin e armëve bërthamore, ne forcojmë përpjekjet tona globale për ndalimin e përhapjes së këtyre armëve dhe do të donim që edhe vende të tjera të bënin të njëjtën gjë”, ka vazhduar Obama para shtypit. Obama dhe Medvedev planifikojnë nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje më 8 prill në Pragë. Kjo marrëveshje, me emrin Traktati i Reduktimit të Armëve Strategjike, zëvendëson paktin e vitit 1991, që skadoi dhjetorin e kaluar. Data 8 prill është edhe pranë përvjetorit të parë të fjalimit të Obamës në Pragë, një vit më parë, fjalim në të cilin ai shpalosi versionin e tij për një botë pa armë bërthamore. Ky nënshkrim do të shërbejë edhe si një nxitje për organizimin e një takimi ndërkombëtar për sigurinë bërthamore që do të organizohet në Uashington nga 12 deri më 14 prill. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se marrëveshja e re nuk do të reduktojë me një të tretën të gjitha armët bërthamore të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe redukton në mënyrë të ndjeshme edhe raketat dhe armatime të tjera të kësaj natyre. Megjithatë, Obama do të përballet edhe me një votë në Senat në lidhje me marrëveshjen. Për këtë tha se shpresonte se do të bashkëpunonte ngushtësisht me kolegët demokratë dhe ata republikanë të opozitës për miratimin e traktatit, i cili do të kërkojë një shumicë prej dy të tretash. Pakti i ri e forcon Obamën politikisht, duke i dhënë një sukses të madh në politikën e jashtme, sukses që i bashkëngjitet atij të votës së fituar në Kongres në lidhje me ligjin për reformën e kujdesit shëndetësor.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›