E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shpëtojmë muzetë!

Togfjalëshi “hop cilësor”, ose thënë ndryshe “domosdoshmëri për ndryshime konceptuale në fushën e muzeologjisë”, është dëgjuar rëndom në biseda, takime pune në MHK, Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sot, ende asnjë reformë nuk e ka zgjidhur problemin e madh të muzeve në Shqipëri

Jashtë binte shi, ndërsa unë pija kafe në një nga lokalet pranë Muzeut Historik Kombëtar. Përtej xhamave dukej një pjesë e godinës së muzeut, ku prej dhjetë vitesh jam edhe unë pjesë e stafit të tij. I ftohtë në pamje, monumental, herë-herë kjo godinë më duket si një qenie gjigante, e përgjumur, e heshtur, pa zë, që prej 30 vitesh është ulur në sheshin qendror të Tiranës, e rrahur nga erërat e shumta, që çuditërisht duket se këtu e kanë “mëmën” e tyre. Brenda tij ka mijëra zëra, mendoj duke parë të mjegullt përtej xhamave konturet e Muzeut Kombëtar. Dua t’i flas mikut tim për këto zëra që unë çuditërisht i dëgjoj sa herë kaloj nëpër pavijonet e tij. E di si më duket vetja, i them befas mikut tim? Si në një nga tregimet e prozatorit të madh Borhes. Ne nuk po flisnim për Borhesin, thotë me xhentilesë miku im. Po flisnim për Shqipërinë dhe Europën e se më në fund jemi shumë pranë saj e ndoshta këtë vit në pasaportat e shqiptarëve nuk do të…

Po Muzeu Historik Kombëtar do ta marrë këtë pasaportë europiane, pyeta unë. Këtë pyetje bëja vetes, tha qetë-qetë miku im. Ke të drejtë, thashë. Po institucionet e tjera kulturore në Shqipëri, a do ta marrin këtë pasaportë, shtoi miku im… Unë heshta duke vështruar përtej xhamave të lokalit konturet e mjegulluara të muzeut. Jashtë vazhdonte të binte shi i rrëmbyer, ndërsa institucioni ku unë prej dhjetë vitesh punoj, dukej i përgjumur. Muzeu i kombit tim, thashë me vete. Dhe si në pamjet sureale, e vura atë në radhën e muzeve të fqinjëve tanë dhe atyre europianë e botërorë. Akoma më sureale do të ishte biseda mes tyre, mendova pasi u ndava nga miku im dhe vrapova mes shiut drejt hyrjes së godinës së MHK-së.

Projektet

Togfjalëshi “hop cilësor”, ose thënë ndryshe “domosdoshmëri për ndryshime konceptuale në fushën e muzeologjisë”, është dëgjuar rëndom në biseda, takime pune në MHK, Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Vitet e fundit, veçanërisht në fushën e legjislacionit, është punuar mirë. Prej disa vitesh kemi ligje bashkëkohore për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, pra një “pasaportë” europiane në këtë fushë. Nga ana tjetër, dy–tre vitet e fundit Muzeu Historik Kombëtar ka qenë më i hapur me botën, në kuptimin e pjesëmarrjes së specialistëve të tij në disa “work shop”-e që janë organizuar në Suedi, Skoci, Itali, Bosnjë, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni etj. Të njëjtën gjë mund ta them edhe për muzeun e qytetit të Shkodrës apo të Korçës. Për fat të keq reforma që ka përfshirë sistemin e kulturës shqiptare, duket se ka qëndruar disi larg apo sapo ka prekur shkarazi veprimtarinë muzeore. Gjatë 18 viteve të demokracisë, reforma është formale, mekanike, e kufizuar në mbylljen e dhomave apo pavijoneve të politizuara të Luftës Antifashiste, periudhës së socializmit, përfshirja e muzeve në qendrat kulturore të bashkive, në rrafshin vertikal, shkëputja e tyre nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (muzetë rajonalë) etj. Reforma në fushën e muzeve duhet të përfshijë tërë sistemin muzeor në Shqipëri, pra muzetë kombëtarë, ato vendorë e deri tek ata privatë. Ajo duhet shtrirë në rrafshin vertikal e atë horizontal, në përmbajtje dhe struktura organizative.

Muzeologjia

Muzeologjia shqiptare, që nga fillimet e saj e deri në ditët tona, nuk mund të kuptohet pa kontributin e dhjetëra dhe qindra njerëzve të pasionuar, që nga punonjësit e thjeshtë dhe deri te historianët, arkeologët, etnologët, shkrimtarët, mësuesit etj., etj. Pa kontributin dhe pasionin e tyre të jashtëzakonshëm, shqiptarëve do t’u mungonin institucionet e mirëfillta muzeore, që nga ato të fshatrave, bashkive apo muzetë kombëtare, muzetë e Kosovës, qendrat muzeore të shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni dhe arbëreshëve të Italisë. Po të flasim me gjuhën e shifrave, në rrjetin muzeor ne trashëguam një numër shumë të madh institucionesh, që regjimi komunist kishte ngritur në të gjithë vendin. Shifra e 2165 muzeve, nga të cilët 364 në qytete (ku përfshihen edhe muzetë e ndërmarrjeve, shkollave, reparteve ushtarake), do të habiste çdo studiues, po të kemi parasysh territorin dhe popullsinë e vogël të Shqipërisë. I tërë ky rrjet muzeor, padyshim lidhej me synimet ideologjike të diktaturës komuniste, butaforinë e regjimit komunist. Pavarësisht nga kjo “muzeomani”, në atë periudhë janë ngritur disa nga institucionet e mëdha muzeore si Muzeu Historik Kombëtar, muzeu “Gjergj Kastrioti” (Krujë), Muzeu i Tropojës, Muzeu i Burrelit, disa muze etnografikë si në Librazhd, Krujë, Peshkopi, Elbasan, Berat, Durrës, Kavajë etj. Muzeologjia shqiptare u orientua nga ideologjia marksiste dhe skemat e gatshme marrë nga Lindja, veçanërisht nga Bashkimi Sovjetik. Në këtë gjendje dhe me ngarkesë ideologjike e gjetën muzeologjinë shqiptare ndryshimet epokale në Shqipëri. Vitet 1992-1996 shënuan hapat e parë të reformave në sistemin e kulturës shqiptare dhe që u ndërprenë nga ngjarjet e vitit 1997. Viti 1997, ose më saktë anarkia që përfshin vendin në fundvitin 1996 dhe atë 1997, goditën rëndë institucionet e trashëgimisë kulturore e veçanërisht muzetë e Shqipërisë. Statistikat janë tronditëse: u grabitën dhe u shkatërruan 70 muze. Punoja në atë periudhë të rëndë për vendin në Ministrinë e Kulturës dhe nuk do të harroj kurrë informacionet tronditëse që më vinin nga zona të ndryshme të Shqipërisë dhe më pas shqetësimet që shprehin drejtuesit dhe punonjësit e muzeve për dhunimin e institucioneve të kujtesës kombëtare, kur vinin në dikasterin e kulturës… Edhe tani drithërohem kur kujtoj shkatërrimin dhe grabitjen e muzeut të Tropojës, një nga më të mëdhenjtë e veriut të Shqipërisë dhe Malësisë së Gjakovës, muzeut të Burrelit, muzeut kushtuar Hasan Tahsinit në Konispol, muzeut të Himarës etj., etj.

Deformimet

Kujtesa e shqiptarëve, pra historia e shkruar e tyre dhe meqë jemi në fushën e muzeologjisë, edhe tempujt e kujtesës së tyre, për fat të keq, me gjithë përkushtimin e një brezi të tërë studiuesish e muzeologësh, për gati 50 vite, ka ardhur jo e plotë, e deformuar dhe e politizuar në thelbin e saj. Muzetë shqiptarë u kthyen në qendra të edukimit “patriotik” dhe komunist të masave. Në Muzeun Historik Kombëtar u fshinë periudha të tëra të historisë shqiptare, u himnizuan figura apo periudha historike të tjera, si dhe historia u paraqit në hapësirë dhe kohë, në disproporcion të plotë. Figurativisht, vizitori vendas dhe i huaj ishte i detyruar të kapërcente ca hone dhe gremina historie, duke i lënë një shije të hidhur. Atëherë, ç’duhet bërë? A kemi në Shqipëri një vizion bashkëkohor, europian për sistemin muzeor në Shqipëri dhe jo për hallka të veçanta të tij, pra për reformim të muzeve kombëtarë, përfshi këtu edhe Muzeun Historik Kombëtar, dhe atyre vendorë, ku unë punoj? “Pasaportën europiane” duhet ta marrë muzeologjia shqiptare në tërësi e jo një ose dy institucione muzeore. Së pari, kërkohen ndryshime konceptuale në fushën e muzeologjisë dhe në sistemin muzeor shqiptar. Këtë ide e kam hedhur disa vite më parë në shkrimin “Muzeologjia shqiptare mes së shkuarës, së sotmes dhe së ardhmes”, botuar në “Studime muzeologjike”, nr.2 i vitit 2003. Duhen ndryshuar konceptet për muzeun duke e trajtuar atë si një organizëm të gjallë, të hapur dhe në dobi të komunitetit. Koncepti i ri për muzeun nis që nga përmbajtja e tij, konceptimi i përgjithshëm dhe i pjesshëm, paraqitja sa më bashkëkohore e objekteve dhe dokumenteve, pasurimi i fondeve, hapja me publikun dhe komunikimi i publikut me fondet e përhershme dhe deri te futja e koncepteve të ekonomisë së tregut në muzeum. Po t’i referohem institucionit ku unë punoj, për fat të keq, të paktën gjatë 10 viteve të fundit, nuk është punuar për ndryshime tërësore, pra ndryshime konceptuale tërësore. Po t’u hedhësh një lexim projekteve, hartuar pas konsultave me historianë, shkrimtarë, kulturologë etj., madje të miratuara edhe nga këshilli shkencor i MHK-së dhe MTKRS-së, gjatë kohës kur në krye të institucionit ishin Moikom Zeqo, Beqir Meta dhe Kasëm Biçoku, vihet re i njëjti shqetësim: MHK duhet ndryshuar në përmbajtjen e tij. Më vjen mirë që kohët e fundit, me problemet që ka sistemi muzeor në Shqipëri dhe veçmas Muzeu Historik Kombëtar, preokupimi dhe angazhimi është që nga qeveria shqiptare, këshilltari i Kryeministrit, prof.dr.Neritan Ceka, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, drejtori i ri i MHK-së, prof.dr.Luan Malltezi dhe deri te stafi i tij. Përmbajtja dhe ndryshimet konceptuale do të kërkonin edhe një strukturë apo organikë më dinamike, në funksion të menaxhimit të pasurisë muzeore. Modelet në rajon e më gjerë janë të shumta dhe ato duhet t’i përshtaten llojit të muzeut dhe organizimit sa më efektiv të punës, veçanërisht marrëdhënieve me publikun, edukimit, pasurimit të arkivit, botimeve, publicitetit, ekspozitave të përkohshme, restaurimit etj. Së dyti, konceptet e reja dhe reforma në fushën e muzeologjisë janë të lidhura ngushtë me rritjen e nivelit të drejtuesve, punonjësve të muzeve dhe përgatitjen e muzeologëve të rinj. Nuk marr përsipër të gjykoj nivelin ekzistues të punonjësve të muzeve shqiptarë. Ky brez me përvojë dhe i përkushtuar është në fund të karrierës së tij. A po mendohet për brezin tjetër, ose më saktë për të ardhmen e muzeologjisë dhe muzeologëve shqiptarë? Ja një pyetje dhe problem tjetër, megjithëse i diskutuar shumë, ende nuk po zgjidhet. Duhet menduar për një program serioz, si dhe lektorë të përgatitur të fushës, për t’u dhënë studentëve ndoshta në vitin e fundit të degës së Historisë ose edhe në dy vitet e fundit. Ka edhe një rrugë tjetër: Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të mendojë për specializime afatshkurtra dhe afatgjata, në vende të ndryshme të rajonit, Europës ose SHBA, të punonjësve të rinj të sistemit muzeor shqiptar. Së treti, kur nisa punën në MHK, menjëherë hartova një projekt me titull: “Krijimi i Qendrës së Trajnimit dhe Informacionit Muzeor në Shqipëri”. Projekti në fjalë është botuar në nr. 1 te “Studime muzeologjike” viti 2002). Nuk ishte rastësi hartimi i këtij projekti dhe shqetësimi për realizimin e tij në një nga mjediset e MHK. Mbaj mend, kur punoja në Ministrinë e Kulturës, aty nga fundi i vitit 1997 ose ndoshta fillimi i vitit 1998, në vartësi direkte të ministrisë mbetën vetëm muzetë kombëtarë, ndërsa institucionet e tjera muzeore kaluan në vartësi të bashkive ose komunave. Kjo u bë në kuadrin e pavarësisë së pushtetit lokal. Atëherë, por edhe tani, unë mendoj se në rrafshin administrativ ky ishte një vendim normal, ndërsa në rrafshin vertikal, Ministria e Kulturës shkëpuste çdo lidhje dhe marrëdhënie me muzetë vendorë. Drejtuesit dhe punonjësit e muzeve vendorë nuk kishin asnjë kontakt me ministrinë dhe askush, të paktën në rrafshin metodik, të komunikimit ndërinstitucional, shkëmbimit të përvojave dhe informacionit muzeor, kualifikimit dhe përgatitjes së muzeologëve të ardhshëm, qarkullimit të vlerave muzeore, debateve, “work shop”-eve etj., nuk interesohej. Nuk kishte dhe nuk ka rëndësi sesi do të quhej dhe quhet institucioni që do të merrte dhe marrë përsipër jo paternilitetin e muzeve vendorë, por ca drejtime të tjera pune. Le të quhet “Qendra Kombëtare e Muzeologjisë”, apo “Qendra e Informim–Komunikimit Muzeor”, apo me ndonjë emër tjetër.

Së katërti, muzeologjia shqiptare duhet ta shtrijë veprimtarinë e vet edhe jashtë kufijve shtetërorë ekzistues dhe diasporë. Ka një protokoll bashkëpunimi mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë dhe asaj të Republikës së Kosovës, por kontaktet në fushën e sistemit muzeor janë të vakëta. Të njëjtën gjë mund ta themi edhe për Maqedoninë, Malin e Zi apo arbëreshët e Italisë, ku kam parë disa qendra kulturore- muzeore dhe arvanitasit e Greqisë. Mungojnë fare kontaktet me diasporën shqiptare. Në institucionin më të madh të kujtesës shqiptare, historia, kultura, kontributet e diasporës shqiptare dhe disa prej personaliteteve më të shquar të saj, mungojnë. Kjo është e pafalshme dhe në kuadrin e konceptimit të përgjithshëm të MHK-së. Historia, kultura e shqiptarëve kudo që ndodhen, duhet të zërë vendin e vet. Në përfundim të këtyre mendimeve modeste, nisur nga përvoja ime e gjatë në dikasterin e kulturës dhe në MHK, do të dëshiroja që në faqet e kësaj gazete të hapej një debat për të sotmen dhe të ardhmen e institucioneve të kujtesës shqiptare, muzeve. Do të ishte i dobishëm mendimi jo vetëm i muzeologëve me përvojë në këtë fushë, por edhe i historianëve, shkrimtarëve, kulturologëve e deri te njerëzit e thjeshtë e veçmas i të rinjve. Nuk dua të lë mënjanë as mendimet e dhjetëra koleksionistëve pasionantë në mbarë Shqipërinë, të cilët kanë grumbulluar dokumente dhe objekte të rralla, por që për fat të keq marrëdhëniet mes tyre dhe muzeve janë inekzistente ose formale. Shqipëria europiane kërkon edhe institucione të konceptimit, drejtimit dhe menaxhimit europian. Nuk është rrahje gjoksi ose një e thënë patetiko-patriotike fakti i pasurisë së madhe të trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe i origjinalitetit të saj. Ta paraqesim sa më mirë këtë pasuri të rrallë në institucionet e sistemit muzeor në Shqipëri. Muzetë shqiptarë, që nga ky më i madhi në Tiranë, e deri tek ata vendorët, kanë nevojë të pajisen me pasaportë europiane.

Autori, specialist në Muzeun Historik Kombëtar

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›