“Udha e Kryqit”, besimtarët e krishterë kujtojnë rrugën e mundimit të Jezu Krishtit

Procesioni në Shkodër nisi nga Katedralja “Shën Shtjefni” dhe në krye të tij ishin argjipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult, Giovanni Peragine.
“Udha e Kryqit”, me 14 stacionet e mundimit të Jezu Krishtit, u përshkua nga qindra besimtarë.
Varrezat e Rrmajit ishin ndalesa e fundit dhe imzot Peragine vendosi të heqë një paralele mes vuajtjeve të Krishtit dhe martirëve të krishterë, që u sakrifikuan pse besuan në Krisht.
“Sonte në këtë ‘Udhë të Kryqit’ kemi shkelur rrugët që shumë martirë kanë bërë për të arritur në këtë vend kur u pushkatuan, kur kanë filluar jetën e tyre pikërisht për shkak të Krishtit, për besimin e tyre,” u shpreh argjipeshkvi Peragine.
Riti i kalimit nën epitaf dhe procesioni i varrimit të Krishtit bën bashkë besimtarët ortodoksë në Korçë
Si çdo vit, Mitropolia e Shenjtë ka organizuar ceremoninë në ditën e të Premtes së Madhe ose siç njihet ndryshe Premtja e Zezë, një ditë që përkujton vuajtjet e Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.
Epitafet e kishave të qytetit janë bashkuar fillimisht përpara sheshit të katedrales “Ngjallja e Krishtit” për të vijuar më pas procesionin përgjatë rrugëve të qytetit, shoqëruar nga një numër i madh besimtarësh.
Në ndryshim nga vitet e kaluara, procesioni i këtij viti është udhëhequr nga atë Ilia Kotnani pas zgjedhjes së hirësisë së tij, imzot Joanit, si Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqipërisë.
Procesioni i epitafit dhe riti i liturgjive në Vlorë
Në Vlorë rreth orës 19:30 epitafi, i shoqëruar nga dhjetëra besimtarë, nisi rrugën që nga kisha e Shën Theodhorit për të përshkuar qendrën e qytetit.
Edhe këtë vit ceremonia u shoqërua nga Banda Frymore e qytetit, ndërsa atmosfera e përcjellë në qytet ka qenë me mesazhe të paqes, besimit, shpresës dhe ringjalljes.
Dhjetëra qytetarë i bashkohen ritualeve të Premtes së Madhe në Lezhë
“E premtja e Madhe është dita më e rëndësishme e javës së Pashkëve dhe mesazhi qe na jep Jezu Krishti është që të jetojmë në paqe dhe ta duam njëri-tjetrin,” u shpreh ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, monsinjor Ottavio Vitale.
“Pashkët janë festa më e madhe gjatë vitit për ne, sepse është ngjarje e Jezusit. Nëse ne besojmë te Krishti një ditë edhe ne do të ngjallemi prej së vdekuri, sepse ai na ka premtuar jetën e pasosur,” tha monsinjor Vitale.
“Udha e Kryqit” është procesioni që i paraprin festës së Pashkëve.
Pashka do të kulmojë mesnatën e së shtunës, kur Krishti do të ringjallet dhe besimtarët do të ndezin qirinjtë në kishë, për të marrë dritë, një dritë e cila vjen si simbol i ringjalljes dhe ndriçimit të shpirtit.
Të dielën e Pashkës, besimtarët e festojnë drekën në familje.
Gazetare: Nermin Spahiu
/rtsh.al/