Në prag të Pashkës, mesazhe nga kryepeshkopi Joan dhe imzot Gjergj Meta

Besimtarët e krishterë festojnë festën e madhe të Pashkës.
Krerët më të lartë të institucioneve fetare në vend sollën urimet e tyre për këtë ngjarje të madhe.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, fortlumturia e tij Joan Pelushi, në mesazhin e tij u shpreh se Pashka është përkujtim i ngjalljes së Zotit Jezu Krisht dhe e vërteta themelore e besimit dhe e jetës.
Kryepeshkopi Joan nuk la pa përmendur edhe kryepeshkopin Anastas, i cili u nda nga jeta në fund të janarit. Edhe pse nuk është më pranë nesh, u shpreh ai, ne ngushëllohemi se Anastasi ndërmjetëson për ne pranë Zotit.
“Me fitoren e ngjalljes së Krishtit duhet të gëzojnë të gjithë, sepse mundet vdekja, armiku i përbashkët i të gjithë njerëzve. këtë Pashkë ne nuk e kemi mes nesh kryepeshkopin e dashur Anastas, por zemrat tona ngushëllohen duke ditur se ai tani ndërmjetëson për ne pranë Perëndisë, sepse Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve. Të falim njëri-tjetrin në çdo gjë, që të mund të thërrasim me një zemër të pastër ‘Krishti u ringjall’. Gëzuar Pashkët për shumë vjet,” tha kryepeshkopi Joan.
Një urim erdhi dhe nga presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta.
Duke theksuar rëndësinë e kësaj dite të shenjtë, ai përcolli urimet e tij jo vetëm për besimtarët katolikë, por edhe për ata ortodoksë dhe ungjillorë.
“Këtë vit, Pashkët kanë qëlluar në të njëjtën ditë për të gjithë të krishterët: katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë. Është një rast i bukur që kremtojmë dhe gëzohemi të gjithë njëzëri, edhe pse secili në bashkësinë e vet. Le të jemi ne më së pari Pashkë në jetën tonë e kështu të kujtojmë ditën pa mbarim të fitores së Krishtit mbi vdekjen,” tha imzot Meta.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/