Udhërrëfyesi i vizave, Thaçi: E mirëpresim, por është lajm i vonuar

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur vendimi e BE-së për t’i dorëzuar Kosovës udhërrëfyesin si hapi i parë drejt liberalizimit të vizave, por njëherësh e ka cilësuar këtë si një lajm të vonuar. Brukseli pritet që udhërrëfyesin t’ua dorëzojë autoriteteve kosovare më 14 qershor. Gjatë një fjalimi para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Thaçi tha se vendimi i BE-së është i mirëpritur, por ky lajm, sipas tij, është i vonuar.
“Realisht Kosova që një vit e gjysmë apo dy ka qenë e gatshme për t’iu përgjigjur udhërrëfyesit. Ky është lajm edhe pse i vonuar por shumë i mirëpritur, dje është hapur një etapë e re në marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me Bashkimin Evropian. Të gjitha përgjegjësit që dalin nga ky proces Qeveria e Kosovës do t’i trajtojë me prioritet më të lartë dhe përkushtim në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza”, ka thënë Thaçi.
Edhe me këtë rast, kryeministri Thaçi tha se Kosova i ka plotësuar tashmë të gjitha kriteret që parashihen për liberalizimin e vizave.
Komisioni Evropian
Komisioni Evropian pritet t’i dorëzojë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave autoriteteve të Kosovës në mesin e qershorit. Kjo është anonçuar nga komisioneri europian për zgjerimin, Stefan Fyle në përfundim të dialogut të strukturuar me Kosovën.
“Ne kemi diskutuar në prezencën e autoriteteve të Kosovës dhe të komisioneres Cecilia Malmstrom, se ku ndodhet proçesit i liberalizimit të vizave. Anonçimi që u bë është një lajm i mirë. Këshilli i Ministrave ka mbajtur shënim propozimin e Komisionit Europian për prezantimin e udhërrëfyesit. Çdo element mundëson tashmë, që komisionerja Cecilia Malstrom të mund të prezantojë udhërrëfyesin zyrtarisht autoriteteve të Kosovës në mes të qershorit”, u shpreh Fyle.
Dialogu i strukturuar KE-Kosovë zhvillohet dy herë në vit dhe temat që diskutohen janë forcimi i shtetit ligjor në Kosovë, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pavarësia e gjyqësorit.