Udhëtim në kinema nëpërmjet tingujve
Kuinteti italian tregon filmat nëpërmjet muzikës. Prezanton kompozitorë si Morrikone e Rota, shoqëruar me imazhe nga "Rruga", "Për një grusht dollarë", "Jeta është e bukur" etj.
Stina koncertore Klasik solli në Tiranë një pjesë të orkestrës së Toskanës, kuintetin e tunxhit dhe perkusionit. Instrumentistët propozuan një këndvështrim tjetër për të parë kinemanë.
Kolonat zanore të filmave më të njohur të kinemasë italiane si "Rruga", "Tetë e gjysmë" të Felinit, po edhe prodhime hollivudiane si "Hook" apo "Gladiatori", mbrëmjen e djeshme janë përcjellë nëpërmjet tingujve të instrumenteve frymorë.
Një mënyrë të interpretuari kjo që sipas muzikantit Antonio Sicoli po lëvrohet gjithnjë e më shumë. Nuk ka ndodhur ndonjë transformim radikal i muzikës por vetëm mënyra e interpretimit, partiturat nuk janë ekzekutuar nga orkestra simfonike por nga veglat frymore.
Orkestruesi i grupit, Donato de Sena, tregon se të gjithë koncertet e kuintetit bazohen mbi tema të caktuara, dhe jo repertorë të caktuar.
Kësaj here i ka takuar muzikës së filmave më të njohur në historinë e kinemasë. Quinteti përbëhet nga Donato de Sena, (trombë), Antonio Sicoli (trombon), Andrea dell'Ira (trombë), Paolo Faggi (korno), Riccardo Tarlini( trombë bas) dhe Roberto Bichi (perkusion).
Orkestruesi dhe njëkohësisht instrumentisti i kuintetit Donatao Sena tregon se objektivi i grupit është interpretimi i gjërave ekskluzive, të luajnë mbi bazën e temave të caktuara. "Kemi parë që kjo funksionon, njerëzit dëfrehen dhe mendoj se ky është sekreti për të kaluar një mbrëmje te pëlqyeshme",- shprehet ai.
Dhe vërtet që mbrëmë, spektatori në sallën e Akademisë së Arteve është dëfryer vërtet, paçka se ai nuk i gjeti gjëegjëzat për kinemanë që u tregoi Sena dhe megjithë prezantimet disi të gjata që instrumentisti bënte për aksh film apo kompozitor.
Po ashtu intervalet me batuta e stërzgjatën dhe e zbehën atë eufori të fillimit që shkaktoi tek publiku ky kuintet. Instrumentistët dhe publiku u ndje si një familje më shumë se ç'duhet.
Muzika e kompozitorëve më me emër në kinema si Ennio Morricone, Nino Rota, Nicola Piovani, Johnny Williams është sjellë më afër nëpërmjet imazheve filmike që kanë shoqëruar koncertin. "Imazhet janë ideja jonë.
Në bashkëpunim me videotekën "Lente" në Toskanë kemi përzgjedhur disa nga filmat si "Gladiatori", "Misionari", "Lista e Shindlerit", që projektohen në ekran ndërkohë që ne luajmë. Një ndërthurje e saktë e muzikës me pamjet filmike" shpjegon de Sena.
Ai tregon se kjo është një mënyrë e mirë për të afruar më tepër publikun pasi nëpërmjet pamjeve filmike njerëzit kujtohen për filmin dhe përfshihen në vizionin nëpërmjet tingujve muzikës. "Ne preferojmë të komunikojmë me publikun",- shton de Sena.
Nga filmat e viteve 2000 është sjellë nëpërmjet tingujve të formacionit të tunxhit muzika e një prej filmave më të njohur epik "Gladiatori", me muzikë të Hans Zimmer-it, ndërsa aventurat e Indina Xhonsit sipas Spilbergut, janë shoqëruar me interpretimin live të muzikës së Johnny Williams.
E veçantë e këtij kuinteti nuk ishte vetëm shoqërimi i muzikës nëpërmjet imazheve filmike por edhe mungesa e dirigjentit. Donato de Sena shpjegon se prania e tij nuk është e domosdoshme pasi rolin e dirigjentit e luan bateria. "Është ajo që na mban kohën, na udhëheq".