Familjet e viktimave, 360 milionë lekë qeverisë
Gërdeci
Këshilli i Ministrave paditet në gjykatë për tragjedinë e një viti më parë. Fajtor edhe Ministria e Mbrojtjes dhe MEICO
TIRANË- Familjarët e 18 viktimave të tragjedisë së Gërdecit kërkuan dje në gjykatë që qeveria të paguajë një dëmshpërblim prej 360 milionë lekësh të reja në formë dëmshpërblimi për humbjen e njerëzve të tyre të dashur.
Kjo shumë parash, sipas padisë së dorëzuar dje, duhet të paguhet në përpjesëtim të plotë nga kryeministria, Ministria e Mbrojtjes, ndërmarrja MEICO, kompania "Albademil", të pandehurit ish- ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ish- drejtori i MEICO-së Ylli Pinari dhe ortaku e administratori i shoqërisë "Albademil" i pandehuri Mihal Delijorgji.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Gjykatës së Lartë dhe përfaqësuesve ligjorë të familjarëve të 18 viktimave, të cilët pranuan se mesditën e djeshme është dorëzuar kërkesë padia civile ndaj katër subjekteve dhe tre të pandehurve.
Në padi kërkohet të vendoset pagimi i dëmshpërblimit solidarisht, në shumën totale prej 360 milionë lekë të reja për 18 viktimat ose në vlerë të individualizuar 20 milionë lekë të reja për çdo viktimë të humbur në tragjedinë e Gërdecit.
"Nga tërësia e akteve të administruara në dosje rezulton, se kryeministri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që të përmbushë detyrimin e tij kushtetues, pra të siguronte zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave"- thuhet në kërkesë padinë e dorëzuar tashmë pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Sipas kësaj padie, "nëse kryeministri Sali Berisha do të kishte vepruar në mënyrë aktive, siç e ngarkon Kushtetuta do të kishte ndaluar një ministër (Fatmir Mediun) të nxirrte akte të tilla të kundërligjshme, apo më tej, do të kishte parandaluar një ngjarje të tillë kriminale apo më së paku për atë vetë, do të arrinte të shkarkonte vetveten nga përgjegjësia civile.
Në këto kushte, duke qenë se kryeministria është personi juridik (subjekt në qarkullimin civil, me pasuri dhe buxhet), që përgjigjet dhe i mbështet institucione të tilla, si: Këshillin e Ministrave apo kryeministrin, etj; duke qenë se Këshilli i Ministrave ka miratuar atë vendim, si dhe për shkak të mosveprimit të kryeministrit gjatë ushtrimit të detyrës, ka ardhur dhe ky dëm civil, atëherë kërkojmë që ky person juridik, kryeministria të përgjigjet civilisht, solidarisht, me të paditurit e tjerë në pagimin e dëmshpërblimit për ne, paditësit"- përfundon padia e përpiluar nga avokatët në emër të 18 viktimave të kësaj tragjedie.
Ndërkohë, gjatë ditëve në vazhdim pritet që edhe tetë familjarët e tjerë të viktimave që humbën jetën në këtë tragjedi t'i bashkohen këtyre 18 familjarëve që tashmë kanë depozituar kërkesë padinë civile.
Kjo padi civile pritet të shqyrtohet nga pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Majlinda Andrea në procesin penal ndaj 29 të pandehurve, të akuzuar nga Prokuroria e Përgjithshme si përgjegjës për shpërthimin e 700 tonëve barut që solli vdekjen e 26 viktimave dhe mbi 300 të tjerë të plagosur e gjymtuar.