Dyshimet e Prokurorisë: Fatmir Mediu ka blerë fermë në Teksas
Dyshohet se ish-ministri ka blerë një fermë në shtetin e Teksasit. Hetim edhe pasurive amerikane të Pinarit e Delijorgjit
TIRANË- Tre të akuzuarit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit dhe skandalin e trafikut të armëve dyshohet se kanë investuar pasuritë e tyre duke blerë prona në SHBA.
Këto dyshime kanë bërë që prokuroria të dërgojë një letër-porosi në Amerikë për verifikimin e llogarive bankare e pasurive të mundshme, të vendosur në këto shtetet nga ish-ministri i Mbrojtjes, deputeti pa imunitet Fatmir Mediu, ish-drejtori i MEICO-së Ylli Pinari dhe administratori i shoqërisë "Albademil", Mihal Delijorgji.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit qendror të akuzës, duke shtuar se i është kërkuar autoriteteve të drejtësisë amerikane, verifikimi i emrave të të pandehurve dhe familjarëve të tyre të ngushtë, për llogaritë bankare apo pasuritë e regjistruara në emër të tyre në shtetet e SHBA-së.
"Me fillimin e hetimeve për tragjedinë e shpërthimit në Gërdec dhe heqjes së imunitetit ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, prokuroria ka dërguar drejt SHBA-së dy letër-porosi me objekte të ndryshme.
Letër-porosia e parë ka të bëjë me marrjen në pyetje për llogari të shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec të shtetasit Patrick Henry III dhe pyetjen e shtetasit Efraim Diveroli në lidhje me trafikun e ligjshëm të materialeve ushtarake nga Shqipëria në Afganistan.
Përgjigja e kësaj letër-porosie ka ardhur, është përkthyer dhe një pjesë e saj është administruar në dosjen që tashmë është dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Lartë.
Ndërsa, letër-porosia e dytë e dërguar drejt SHBA-së ka të bëjë me verifikimin e transaksioneve bankare mes drejtuesve të kompanive "SAC" - "Albademil" e "SAC" - "MEICO"; "AEY"-"Edvin ltd" - "MEICO" dhe "Albademil".
Përveç këtyre transaksioneve bankare, është kërkuar që të verifikohen pasuritë e ndryshme të regjistruara në SHBA në emër të të pandehurve ish-ministrit Fatmir Mediu, ish-drejtorit të MEICO-së Ylli Pinari e drejtuesit të kompanisë "Albademil" Mihal Delijorgji dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes së tyre"- thanë burimet e grupit hetimor të çështjes.
Kjo letër-porosi është dërguar, sipas akuzës, pasi janë ngritur dyshime të arsyeshme se këta tre të pandehur të dosjes "Gërdeci" mund të kenë përfituar të mira materiale në mënyrë të paligjshme në kurriz të shtetit dhe viktimave që gjetën vdekjen në shpërthimin e 700 tonëve barut.
"Nga të dhënat hetimore, janë ngritur dyshime të arsyeshme se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-drejtori i MEICO-s Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji kanë depozituar në filiale të ndryshme bankare para të ardhura nga trafiku i armëve dhe demontimi i municioneve. Si dhe kanë investuar në pasuri të paluajtshme në shtetet e ndryshme",- thuhet nga burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme.
Sipas këtyre burimeve, dyshohet se në emër të ish-ministrit Mediu apo familjarëve të tij të ngushtë, është blerë një fermë në shtetin e Teksasit në SHBA.
Kjo dyshohet se është blerë pas verës së vitit 2005, që rezulton si kohë e ardhjes së tij në pushtet. Ndërkohë, konfirmohet gjithashtu se....................................................sh-drejtorit të MEICO-së Ylli Pinarit, të dy fëmijët e tij, jetojnë në SHBA, ku mendohet se janë arsimuar me të ardhurat që babai i tyre, tashmë i arrestuar, i ka siguruar nga puna e tij si drejtor i ndërmarrjes MEICO pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se me ardhjen e kësaj letër-porosi do të faktohen edhe përfitimet e mundshme të të pandehurve Mediu e Pinari nga kontraktorët amerikanë dhe ai shqiptar, Delijorgji.
Ndërsa, pasuria e këtij të fundit që rezulton e ngritur në Shqipëri tashmë është sekuestruar me dy vendime të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, që me evidentimin e pasurisë tjetër që i pandehuri mund të ketë në SHBA, prokuroria konfirmon se do të kërkohet bllokimi i tyre.