E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi, hipoteka e pallateve të jepet për 30 ditë

Nga Emirjon Senja

Qeveria miraton procedurat që do të ndiqen për regjistrimin e apartamenteve në zyrat e hipotekës. Udhëzimi i publikuar dje në fletoren zyrtare parashikon me detaje detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve që do të angazhohen me legalizimin e qindra pallateve të ndërtuara ndër vite në Tiranë, por që pronarët e apartamenteve nuk kanë mundur të marrin hipotekën për shkaqe që në përgjithësi nuk varen prej tyre.

Institucioni qendror do të jetë Bashkia e Tiranës, e cila në bashkëveprim me Ministrinë e Punëve Publike dhe atë të Drejtësisë do të plotësojë dokumentacionin për arritjen deri regjistrimin e pasurisë në hipotekë. Institucionet përgjegjëse do të administrojnë dokumentacionin për katër kategori apartamentesh, të cilat nuk janë të regjistruara në hipotekë.

Kategoria e parë janë ato apartamente, për të cilat ndërtuesit kanë paraqitur kërkesë për lëshimin e lejes së shfrytëzimit; objektet për të cilat as nuk është lëshuar dhe as nuk ka kërkesë për lejen e shfrytëzimit; objekte të cilat janë gjetur në rregull nga ana e inspektorëve të bashkisë, që kanë lejen e shfrytëzimit, por për shkaqe burokracie apo neglizhencë nga ana e ndërtuesit ajo nuk është dërguar pranë zyrave të hipotekave si dhe për apartamentet, të cilat janë pajisur me leje, por nuk kanë marrë ende hipotekën. Për dy kategoritë e para do të angazhohet Bashkia e Tiranës, për rastet kur leja e shfrytëzimit është lëshuar, por ajo nuk është dërguar në Hipotekë do të angazhohet Ministria e Drejtësisë.

Për rastet kur leja e shfrytëzimit nuk është lëshuar për shkak të mungesës së vërtetimit nga ana e tatimeve se kompania nuk ka detyrime për të shlyer, bashkia do të marrë vetë dokumentacionin dhe e lëshon lejen brenda një afati jo më të gjatë se 30 ditë. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe nëse leja nuk është lëshuar për shkak të devijimit nga projekti fillestar.

Pas marrjes së dokumentacionit, bashkia ia dërgon atë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila bën regjistrimin e apartamentit brenda 15 ditëve nga dorëzimi. Pas kësaj periudhe, do të jenë qytetarët ata që do të kenë mundësi që ti drejtohen hipotekave për të bërë individualisht regjistrimin e apartamenteve në emrin e tyre. Në rast mosmarrëveshje midis investitorit dhe pronarit të truallit apo edhe palëve të treta, hipoteka pret që të mbarojë çështja në gjykatë dhe procedurat rifillojnë pasi pala fituese të paraqitet me vendimin e gjykatës.

Bashkia do të lëshojë lejet e shfrytëzimit për pallatet edhe në rastet kur kjo nuk është kërkuar nga ana e ndërtuesit. Në këtë rast, leja kalon direkt në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme duke i lejuar pronarëve të apartamenteve që të vijojnë procedurat e regjistrimit. Procedurat thjeshtohen nëse bashkia ka lëshuar më parë një lejë shfrytëzimi për pallatin. Në këtë rast, ajo informon hipotekën dhe kjo, brenda 30 ditëve bën regjistrimin.

Ngecja e hipotekave për një pjesë të ndërtesave në Tiranë, më shumë se prej procedurave ka ardhur për shkak të mungesës së frymës së bashkëpunimit midis pushtetit lokal dhe atij qendror.

Si dërgoi Basha në hipotekë lejet e firmosura nga Rama

Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës deklaroi se do të dërgonte pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme një numër të konsiderueshëm lejesh shfrytëzimi për pallatet duke hapur kështu rrugën e dhënies së hipotekave. Nuk zgjati shumë dhe u vërtetua se 124 lejet e shfrytëzimit të dërguara në hipotekë ishin të vjetra, të firmosura nga ish-kryetari Rama dhe nuk ishin përpunuar gjatë 100 ditëshit të parë të Lulzim Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës. Një gjë e tillë u pranua edhe nga ai vetë gjatë konferencës për shtyp të dhënë para godinës së bashkisë. Ky fakt, tregoi se mijëra hipoteka pallatesh kanë mbetur peng jo i procedurave dhe rregullave, por i qasjeve të kundërta politike të palëve.

Pallatet, ndërtesa regjistrohet në hipotekë që në gropë

Përpos udhëzimit të dalë rishtazi nga qeveria, ligji i ri i hipotekave që po përgatitet nga Ministria e Drejtësisë parashikon një procedurë edhe më të lehtësuar në drejtim të regjistrimit të apartamenteve në Hipotekë apo lëshimit të certifikatës së pronësisë. Risia e ligjit është regjistrimi i pallateve që prej fillimit të ndërtimit të tyre duke i dhënë kompanisë ndërtuese një certifikatë pronësie të përkohshme.

Certifikata do të përdoret më pas si referencë për dhënien e Hipotekës për secilin blerës apartamenti. Marrëveshja e lidhur midis palëve do të regjistrohet në Hipotekë. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për ata që blejnë apartament në gropë. Në këtë rast bëhet fjalë për marrëveshjet që lidhet kur ndërtimi nuk ka nisur ende apo sapo ka nisur.

Kjo i mundëson qytetarëve marrjen në procedura më të thjeshtuara të certifikatës së pronësisë për apartamentin e blerë. Për këtë qëllim, ligji parashikon që marrëveshjet në fjalë të regjistrohen pranë zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duke iu dhënë një siguri më shumë qytetarëve që blejnë apartamente në këtë formë. Çdokush do ta ketë të sigurt që në momentin e përfundimit të ndërtesës ai do të marrë sipërfaqen e parablerë dhe në pozicionin e parashikuar.

Në momentin kur do të ndërtojë një pallat, ndërtuesi i drejtohet Hipotekës duke kërkuar regjistrimin e lejes së ndërtimit. Kontratat e blerjes të lidhura midis kompanisë ndërtuese dhe qytetarëve gjithashtu regjistrohen në hipotekë. Me regjistrimin e karabinasë, investitori nga njëra anë i krijon mundësi vetës ta përdorë atë si kolateral në rastet kur ka nevojë për financim nga bankat, por nga ana tjetër i krijon tepër lehtësi blerësit për të marrë hipotekën e apartamentit në tij.

Ecuria e ndërtimit në Tiranë

Viti 2001 – janë miratuar 91 leje ndërtimi

Janë pajisur me leje shfrytëzimi: 29 pallate

Viti 2002 – janë miratuar 91 leje ndërtimi;

Janë pajisur me leje shfrytëzimi: 37 pallate

Viti 2003 – janë miratuar 104 leje ndërtimi

Janë pajisur me leje shfrytëzimi: 52 pallate

Viti 2004 – janë miratuar 99 leje ndërtimi

Janë pajisur me leje shfrytëzimi: 54 pallate

Viti -2005 janë miratuar 120 leje ndërtimi

Janë pajisur me leje shfrytëzimi: 47 pallate

Viti 2006 – janë miratuar 56 leje ndërtimi

Janë pajisur me leje shfrytëzimi: 14 pallate

Viti 2007 janë miratuar 5 leje ndërtimi;

Janë pajisur me leje shfrytëzimi: 1 pallat

Viti 2008 janë miratuar 89 leje ndërtimi;

Janë pajisur me leje shfrytëzimi: 19 pallate

Viti 2009 janë miratuar 25 leje ndërtimi;

Janë pajisur me leje shfrytëzimi: 3 pallate

Total 10 vjeçar

Janë dhënë 680 lejë ndërtimi

Janë pajisur me leje shfrytëzimi: 256 pallate

Mbeten pa lejë shfrytëzimi: 424 pallate

Ndërtimi

Vitet 2003, 2004, 2005 janë periudha kur sektori i ndërtimit ka pasur ecurinë e tij më të mirë përgjatë dekadës që sapo lamë pas. Në këto tri vite, Bashkia e Tiranës ka lëshuar 323 lejë ndërtimi, shifër e cila është përafërsisht sa gjysma e lejeve të lëshuara përgjatë gjithë periudhës 2001-2009. Pjesa më e madhe e lejeve, 120 të tilla, janë dhënë në vitin 2005, i cili ka qenë edhe vit elektoral

Lejet

Viti 2007 duket se ka qenë periudha më e varfër për

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›