Udhëzimi i MASH-it për orët shtesë të mësuesve, një ndihmesë e madhe për nxënësit
Reformat në arsim në 4 vitet e shkuara kanë qenë të shumta e të suksesshme. Në vazhdën e tyre, këtë vit shkollor MASH ka nxjerrë udhëzimin “Për organizimin e veprimtarive në shërbim të nxënësve në arsimin parauniversitar”. Sapo u prezantua ai, si gjithmonë pati komente negative nga disa përfaqësues të opozitës. Mirëpo tani që po nis hartimi dhe zbatimi i tij në shkolla, mendova të jap opcionet e mia për këtë çështje, si mësuese dhe aktualisht si drejtuese. Shumëkush që e ka lexuar me vëmendje këtë udhëzim, e ka kuptuar atë. Aty specifikohet që organizimi i këtyre veprimtarive do të jetë në trajtën e: a) Konsultimeve me talentet dhe nxënësit që kanë nevojë për ndihmë; b) Veprimtarive kulturore e sportive; c) Rretheve lëndore. Kësisoj thelbi i këtij udhëzimi është ndihmesa e nxënësve. Kjo duket që në emërimin e llojit të udhëzimit. Përpos, ai ndalon mësimet dhe kurset private për mësuesit që janë në marrëdhënie pune në sektorin publik. Të gjithë e dimë që nxënësit që kanë pretendime, për të arritur më shumë, kryejnë mësime private. Një pjesë e prindërve të tyre kanë mundësi t’i përballojnë ato, por një pjesë sakrifikojnë, madje pjesa tjetër, dhe pse fëmijët e tyre dëshirojnë, nuk mund t’i çojnë në kurse private. Ky udhëzim ndihmon dhe familjet për mosshpenzimin e tyre për kurse private. Po jap një shembull nga përvoja ime si mësuese në shkollën “Gjon Buzuku” në vitin 2003-2004. Aty funksiononte një shoqatë ku me klasat mbështetëse, ne kryenim konsultime, me të ashtuquajturit “nxënësit e dobët”. Pagesa e shoqatës ishte 4000 lekë në muaj, që do të thotë “nuk ia vlente të ktheheshe në shkollë mbasdite”, por ndër të tjera të rriste pagën e vogël që merreshe asokohe. Një nxënës i nivelit mesatar më kërkoi të vinte edhe ai. E kuptova që ai kishte dëshirë për të zhvilluar kurs privat, por mundësi nuk kishte, ndaj vendosi të vinte. U mundova që me këtë nxënës të punoj pak ndryshe se me pjesën tjetër dhe ai arriti të merrte pa diskutuar 9-n dhe 10-n. Shpeshherë ai vetë si dhe prindi më falëndëronin përzemërsisht, deri me fjalën: “Mësuese, prej teje eca kaq shumë”, por aty ishte edhe këmbëngulja dhe dëshira e tij. Me këtë shembull desha të bëj bindës, sipas meje, faktin që konsultimet janë një ndihmë e madhe për nxënësit. Po a e bën ky udhëzim mësuesin të ndihet i lodhur…? (Siç pretendohej në komentet e opozitës, në media). Realisht kur i dëgjoje këto komente - dhe nuk kishe lexuar udhëzimin - si mësues edhe mund të të friksonte kjo gjë. Por brendia e udhëzimit ishte ndryshe. Në udhëzim thuhet që çdo mësues i sistemit parauniversitar të kryejë një orë në ditë veprimtari, përveç orëve të planifikuara në orarin mësimor, sipas një grafiku të hartuar dhe monitoruar nga drejtoria e shkollës. Në bazë të kësaj, u morën mendime nga mësuesit se në ç’formë mund t’i organizonte secili këto orë, duke u bazuar në specifikat e shkollës, në nevojat dhe lëndët përkatëse. Po ashtu dhe për kohën më të përshtatshme që ai mendon. Mënyra e hartimit të grafikut për të zhvilluar këto orë flet qartë që këto orë nuk janë lodhëse për mësuesin. Mësuesi e ndjen vetë që përveç orëve që ka në orarin mësimor, ai ka edhe detyra të tjera për të bërë. Të kujdeset për klasën kujdestari, detyrime të tjera si mësues kujdestar, kualifikimin e brendshëm në departamentet lëndore, etj. Ai e ndjen vetë që një pjesë e nxënësve kanë nevojë për t’i ndihmuar jashtë orës së mësimit; e ndjen që duhet punuar me talentet për t’u përfaqësuar denjësisht në olimpiada apo veprimtari të tjera në rang qyteti etj. Po ashtu, mësuesi është koshient që arsimi parauniversitar është e vetmja sferë që nuk e plotëson 8-orëshin e orarit të punës. Megjithatë ky udhëzim nuk ka në thelb këtë 8-orësh, por atë që theksova më lart dhe këtë mësuesi e ka kuptuar nga mënyra e planifikimit të tyre. Mësuesi e di mirë sa i vlerësuar ka qenë ai pas 2005-s, përsa i përket pagës së tij. Kujtoj këtu që në 2005 paga ime si mësuese me kategorinë e dytë, ka qenë rreth 18 mijë lekë, ndërsa në 2009 ajo është rreth 40 mijë lekë, pra e kalon dyfishin. Kjo i motivon edhe orët shtesë të tyre. Tani pritet zbatimi i tij dhe kjo është përgjegjësi e drejtorive të shkollave, përfshi këtu edhe ndërgjegjen e tyre, pasi nesër..., ndër të tjera do të jenë edhe pjesë e gjykimit të nxënësve dhe prindërve të tyre. Përpos mendoj që, pavarësisht motiveve partiake, apo…nuk duhet nxituar komenti për reformat që ndërmerren për të bërë të pakënaqur mësuesit. Kështu ka ndodhur edhe në fillimet e reformës së teksteve; për Orët e lira në shkollë, kur sot ato rrjedhin natyrshëm, madje orët e lira janë kthyer në shumë të dëshiruara për nxënësit. Ato kanë bërë shumë aktiv nxënësin dhe mësuesin, imagjinatën e tyre, lidhjen e tij me internetin etj. Është meritë e kryeministrit Berisha që ka ditur të përzgjedhë njerëzit në qeverisje dhe t’i japë impuls reformës në arsim.Por duhen falendëruar edhe mësuesit si zbatues të ketyre reformave dhe jam e bindur që janë të gatshëm për të tjera reforma që do të vazhdojnë më tej, që arësimi në vendin tonë të arrijë standardet e duhura
Autorja e shkrimit është Drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Xhezmi Delli”, në Tiranë