E Diel, 1 Nëntor 2026

Fati i Ramës kthehet në Sharrë

Edvini ka shpallur ndërprerjen e protestave gjatë muajit dhjetor, por vendimi s’ka të bëjë me muajin e mbjelljeve dhe të luftës kundër erozionit, por me izolimin e paprecedentë ndërkombëtar që po provon opozita haxhiqamiliste e Kullës së Pezës. Vendimi është një rrugë e ndërmjetme për t’iu kthyer pa asnjë rezultat parlamentit, por tani fati i Edvinit s’është i lidhur vetëm me Sharrën, si impiant plehrash, por edhe me sharrën politike, si mjeti që do i ndërpresë njëherë e mirë karrierën politike

Edhe dy ditë pas regjistrimit të skandalit të përmbytjes së kryeqytetit me plehra, të cilat nuk ishin as burimore, por të marra nga impianti i pastrimit të plehrave të Tiranës në Sharrë, nuk kemi ende një “justifikim” zyrtar të Partisë Socialiste për çmendurinë e saj të radhës. Ali Komiku femër i Edvinit ka dalë sërish për të deklaruar se falanga e bashkisë së Tiranës ishte në mes të kryeqytetit me qese me plehra në dorë “rastësisht”, prandaj edhe gjithçka që kishte ndodhur në objektivin e kamerave televizive ishte shpikje e kryeministrit Sali Berisha.
Por mungesa e përgjigjeve konfirmon faktin se Edi Rama le të jetë në Tiranë apo në Pragë, s’ka asnjë mundësi t’i japë jetë një opozicioni i cili është irreal dhe nuk ka të ardhme. Edvini është nisur për në Pragë, për kongresin e radhës të Partisë Socialiste Evropiane, duke shpallur se do të dorëzojë edhe kasetën e fjalimit të fundit, të mirënjohur, të kryeministrit Sali Berisha në parlament, por ai s’thotë dot se ç’përgjigje do t’u japë socialistëve, lidhur me çka thuhen në atë kasetë. Ç’do të thotë Edi Rama për divorcin e tronditur me aktoren Matilda Makoçi, për mosnjohjen e atësisë së djalit dhe për refuzimin për të paguar pensionin ushqimor të tij, për 9 vite radhazi? Ç’do të thotë Edi Rama për përmbytjen me plehra të mbetur në tentativë, të kryeqytetit? Ai në fakt nuk ka ndonjë përgjigje për të dhënë, përveç premtimit, se ai ka vendosur t’i ndërpresë protestat gjatë muajit dhjetor, si një rrugë e vetme për të lehtësuar futjen e tij në parlament dhe rrjedhimisht edhe për të bërë një politikë më normale, gjatë muajve në vijim, të paktën, deri tek afrimi i zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Por justifikimi irracional i ndërprerjes njëmujore të protestave, nuk ka lidhje me dhjetorin, si muaji i mbjelljeve dhe i luftës kundër erozionit, pasi asnjë aleat i ri nuk duket në horizontin e kryesocialistit, por thjesht me mungesën e shpresës, që Edvini s’po di më t’ua ofrojë, jo vetëm socialistëve të thjeshtë, por as kartelit mafioz që është mbërthyer rreth tij, si pushteti i fundit që kontrollohet në vend. Tërheqja socialiste nga protestat tregon jo veç për mungesën e rezultateve të këtij aksioni politik, jo veç për izolimin ndërkombëtar, të paprecedentë për një opozitë të madhe, por edhe lidhjen e pandalshme të Edi Ramës dhe klanit të tij politik me Sharrën, jo vetëm si toponimi e një impianti të përpunimit të plehrave, por edhe e lidhjes së fatit politik të Edvinit, i cili tashmë është vendosur pazgjidhsmërisht poshtë një sharre, e cila po e pret me shpejtësi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›