Udhëzimi i ri, Ministria e Financave përcakton kategoritë që përfitojnë pagesën e papunësisë

Ministria e Financave, nëpërmjet një udhëzimi, ka përcaktuar pagesën e të ardhurave nga papunësia. Udhëzimi, që publikohet nga rtsh.al, është miratuar nga qeveria dhe mban firmën e ministrit Ervin Mete.
Pagesën e së ardhurës nga papunësia e përfitojnë personat që kanë kontribuar në sigurimin shoqëror si punëmarrës për një periudhë të paktën 12-mujore, për çdo rast përfitimi, të jenë regjistruar si punëkërkues të papunë pranë strukturës vendore përkatëse të punësimit.
“Përfitues janë edhe ata persona që kanë paraqitur kërkesën dhe dokumentacionin pranë strukturës vendore përkatëse brenda 60 ditëve kalendarike nga data e shkëputjes së marrëdhënies së punësimit me punëdhënësin”, thuhet në udhëzim.
Kërkuesit nuk e përfitojnë pagesën e së ardhurës nga papunësia nëse nuk plotësojnë kushtet e mësipërme, me përjashtim të rasteve të paaftësisë së përkohshme për punë, paaftësi e vërtetuar me raport mjekësor ose dokumente shoqëruese, që kanë qenë të shtruar në spital (fletëhyrje dhe fletëdalje nga spitali).
Kategoritë përfituese
Kategoritë përfituese të pagesës së të ardhurës nga papunësia janë të gjithë personat të cilët kanë kontribuar si punëmarrës në sigurimet shoqërore për një periudhë të paktën 12-mujore gjithsej brenda 24 muajve të fundit, me kusht që 2 muajt e fundit të jenë pa ndërprerje, për çdo rast përfitimi.
“Përfitues janë edhe gratë, të cilat përfundojnë trajtimin me të ardhurën e barrëlindjes dhe në momentin që kthehen në vendin e punës iu ndërpritet marrëdhënia individuale e punës, si dhe burrat, të cilët përfundojnë trajtimin e përfitimit të përkujdesjes për fëmijën, por jo më parë se 63 ditë pas lindjes së fëmijës dhe në momentin që kthehen në vendin e punës, iu ndërpritet marrëdhënia individuale e punës.”, thuhet në udhëzim.
Përveç rasteve të mësipërme, përfitues të pagesës së papunësisë janë edhe personat, të cilët janë shkëputur nga puna për arsye të përfitimit të paaftësisë së përkohshme dhe mbas mbarimit të kësaj periudhe, në momentin që kthehen në vendin e punës, iu ndërpritet marrëdhënia individuale e punës, si dhe ushtarakët e liruar nga detyra, të cilët nuk përfitojnë të ardhura nga akte të tjera ligjore dhe nënligjore, si pension të parakohshëm suplementar ose pension pleqërie.
Udhëzimi përcakton se përfitues të kësaj pagese janë edhe shtetasit e huaj, që jetojnë në Shqipëri, të cilët trajtohen në kushte të barabarta me shtetasit shqiptarë.
Përllogaritja për rastet e përsëritura
Për rastet e përsëritura të përfitimit, kur personi paraqet kërkesën më shumë se një herë, ai trajtohet duke llogaritur periudhën e kontributeve si punëmarrës, duke filluar nga përfitimi i fundit. Përfituesi duhet të sjellë për çdo vit të ri akademik vërtetimin për fëmijët që ndjekin shkollën.
Kategoritë që nuk përfitojnë
Pagesën e së ardhurës nga papunësia nuk e përfitojnë personat të cilët janë punëdhënës ose të vetëpunësuar në qytet dhe fshat, që rezultojnë me aktivitet të pambyllur në sistemin tatimor, janë duke vuajtur dënim me heqje lirie, largohen nga puna me dëshirën e tyre, si dhe janë larguar jashtë shtetit për arsye të ndryshme dhe nuk plotësojnë detyrimet.
Udhëzimi parashikon se verifikimet kryhen nga çdo strukturë vendore e punësimit në momentin e administrimit të kërkesës për përfitim të pagesës së të ardhurës nga papunësia.
Në të gjitha rastet e përfitimit të së ardhurës nga papunësia, të ndërprera për arsye punësimi të përkohshëm, personi ka të drejtë të marrë pjesën e ngelur, por me kusht që rifillimi i periudhës së përfitimit të pagesës së të ardhurës nga papunësia, të jetë brenda 24 muajve nga shkëputja për herë të parë nga puna dhe periudha e përfitimit të mos jetë më shumë se 3 muaj për personat, që kanë të paktën 1 vit punë, 6 muaj për personat që kanë të paktën 3 vjet punë, 9 muaj për personat që kanë të paktën 5 vjet punë, dhe 12 muaj për personat që kanë mbi 10 vjet punë.
Në rastet e ndërprerjes të së ardhurës nga papunësia, për arsye të përfitimit të lejes së lindjes, pjesa e ngelur, në të gjitha rastet e përfitimit, merret pas përfundimit të lejes së lindjes.
Kategoritë përfituese të së ardhurës nga papunësia, të cilët e ndërpresin pagesën për shkak punësimi, aftësimi apo leje lindjeje, apo raste të tjera të përligjura, rikthehen në skemë për përfitimin e ngelur, me nivelin e së ardhurës nga papunësia në momentin e rikthimit.
Përfituesit që ndjekin kurse kualifikimi dhe rikualifikimi, përfitojnë pagesën e së ardhurës nga papunësia gjatë kohës së zhvillimit të kurseve, në rast se nuk paguhen nga ndonjë burim tjetër për këtë periudhë.
Rastet, kur përfituesi është i justifikuar për mosparaqitje, janë:
- a) sëmundje e vërtetuar me dokumente fletështrimi dhe fletëdaljeje nga spitali;
- b) vdekja e një pjesëtari të familjes, e vërtetuar me certifikatë vdekjeje;
- c) ndalimi nga organet e drejtësisë, e vërtetuar me dokumentacionin përkatës.
/rtsh.al/