E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi i ri për Tiranën, ja si do votohet për kreun e Partisë Demokratike

TIRANE - Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale ngritur në PD para pak ditësh miratoi një udhëzim të veçantë për votimin në rrethin e Tiranës, ku është përcaktuar që në qytet do të ngrihen 11 qendra votimi dhe gjashtë të tjera do të jenë për rrethinat. “Një qendër votimi në selinë qendrore për anëtarët e Këshillit Kombëtar që nuk kanë emrin në listat e grupseksioneve, deputetët aktualë dhe të zgjedhur rishtazi, për grupseksionin 10 dhe administratën e PD-së. Grupseksioni i Kasharit do të votojë me grupseksionin 6 në Kombinat”, thuhet në udhëzimin e PD-së.

Disa ditë më parë KQZ-ja përmes një udhëzimi tjetër përcaktoi procedurat dhe rregullat se si duhet dhe ku do të votojë anëtarësia e PD-së në mbarë vendin. Ambienti ku do të kryhet votimi miratohet nga komisioni i organizimit dhe kontrollit të operacioneve elektorale me propozim të kryesive të degëve të PD-së, jo më vonë se 5 ditë para datës së votimit. Për çdo qendër votimi ngrihet një komision votimi që në përbërje do të jetë sekretari i degës, kryetari, dy anëtarë kryesie, zgjedhur në kryesinë e degës dhe dy përfaqësues nga kandidatët në degët përkatëse.

Propozimet për anëtarë paraqiten për miratim në komisionin e organizimit jo më vonë se 5 ditë para zgjedhjeve dhe po ashtu edhe komisionet e votimit. Në udhëzim përcaktohen edhe procedurat e votimit të anëtarësisë, të cilat ditën e votimit që fillon në orën 8 të mëngjesit dhe mbyllet në orën 19 të darkës duhet të kenë me vete kartë dixhitale ose kartë identiteti.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›