E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meditim mbi qeverinë e majtë

Pas marrëveshjes treshe, ndërkombëtarë-PD-PS për transferimin e pushtetit nga PD te e majta, me qëllim rotacionin dhe ruajtjen e patrazuar të klasës qeverisëse të sapolarguar më 23 qershor, pritet që në shtator të vijë qeveria pink-rozë në pushtet. Vajtja e politikanit rozë Ilir Meta te kampi pink, si një politikan i sprovuar dhe luajal me shumë segmente të qarqeve të diplomacisë ndërkombëtare rajonale dhe më gjerë, shërben si një garantor për pensionin e qetë të dr.Berishës, nga njëra anë dhe për kontrollin e Ramës nga ndonjë marrëzi ose papjekuri karakteristike e tij. I.Meta është për S.Berishën ashtu sikundër ishte S. Berisha për Ramiz Alinë. Ishte pikërisht kjo marrëveshje e ngushtë për dorëzimin e pushtetit të PD tek e majta, që solli personalizimin e fushatës te kampi i djathtë nga S.Berisha, i cili mori i vetëm gjoja edhe “përgjegjësinë e humbjes”. Natyrisht, ajo që s’pritej ishte jo fitorja e së majtës, por madhësia e saj. Në fakt, në Shqipëri, me përjashtim të votimeve të vitit 1992, asnjëherë nuk ka fituar e djathta. Ka një akuzë nga trilateralisti i madh prej Selanikut, J.Strigas-i për Berishën, i cili thotë për të se ai ka qenë së bashku me K.Gligorovin e Maqedonisë, përfaqësues i fshehtë i elitave perëndimore për Shqipërinë qysh në fund të viteve 270, për t’i mbajtur këto dy shtete si valvula shkarkimi ballkanik, deri sa të çmontohej ish-Jugosllavia. Zgjedhja e malësorit të papranueshëm Berisha për shumicën, si përfaqësues i së djathtës dhe strategjia e tij e imponuar për një destabilitet të vazhdueshëm, shkatërrimi 45-vjeçar i klasës antikomuniste, indoktrinimi i masave punonjëse me histori të gënjeshtërta dhe propagandë armiqësore ndaj perëndimit kapitalist, kanë sjellë qëndrimin e shumicës në pozicione konservatore nga koha e komunizmit dhe në mbështetje të së majtës. Strategjia e ndërkombëtarëve në vendet e pazhvilluara e të vogla ish-komuniste ka qenë destabilizimi i kontrolluar për një periudhe amullie e krimi deri në kryerjen e privatizimeve të sektorëve kryesorë të ekonomisë. Strategëve politikë u qëndrojnë afër strategët ekonomikë dhe ata të financave, sidomos ekspertët e FMN dhe BB, të cilët konvergojnë në harmoni. Në këtë fazë ka qenë për 15 vjet ekonomia shqiptare dhe në këtë fazë ndodhet sot ekonomia e Kosovës, ku po shiten dora-dorës pa kriter e interes reciprok të gjitha pasuritë mbi e nëntokësore te kapitali perëndimor. Por çfarë duhet të bëjë ekipi pink e rozë për një qeverisje normale të vendit?
1. Në politikën e jashtme ata e kanë për detyrë të interesohen për mbijetesën e organizimin e të gjithë elementit shqiptar kudo që ata ndodhen. Nuk mund të ketë një bashkim në Europë pa një bashkim real të shqiptarëve, të shtetit tonë politik me Kosovën. Po kështu, lipset të ketë një mbrojtje të shqiptarëve në Maqedoni për të drejtat e tyre të plota si element etnik shtetformues ashtu edhe në Serbi e Mal të Zi. Nëse shqiptarët nuk do të trajtohen me dinjitetin e duhur, atëherë shteti maqedonas i ka ditët të numëruara dhe ai do të ndahet, ashtu siç e kishte parashikuar Millosheviçi, i cili thoshte se ajo do të ndahet mes Bullgarisë dhe Shqipërisë (dhe ndoshta mund të mbetet edhe një copë e pavarur). Po kështu, qeverisë së majtë do t’i duhet që të luftojë me të gjitha mënyrat, në harmoni dhe bindje të faktorit ndërkombëtar, për zgjidhjen e çështjes çame. Nuk diskutohet se një ditë këta do të kthehen në vendin e tyre. Çamët dhe Çamëria, ku sipas mitologjisë ka lindur dhe është rritur Zeusi në lumin Kalamas (ndaj quhet kështu, nga fjala kalama – vendi i fëmijërisë së Zeusit), i ushqyer nga dhia Amaltea, nuk mund të falet kurrë. Çifutët brodhën 2.000 vjet dhe e zgjidhën një ditë çështjen e tyre. E çfarë janë 60 në histori? Hiçgjëkafshë për një komb të lashtë e të civilizuar si shqiptarët, shumë të njohur në histori.
Një element tjetër i rëndësishëm që kemi nevojë të zgjidhet është ruajtja e sovranitetit të kufijve të caktuara nga Protokolli i Firences më 1919. Dihet se sot Shqipëria nuk ka sovranitet absolut në disa zona të caktuara. Partia Socialiste duhet të zgjidhë me Greqinë, Turqinë dhe Italinë, çështje të tilla si Marrëveshja e Ujërave, çështjen e gjirit të Orikumit e Karaburunit dhe sidomos sovranitetin mbi Sazanin. Të tria këto shtete, me uzurpimin që i kanë shkaktuar Shqipërisë në këto zona, ia kanë kufizuar asaj sovranitetin dhe e kanë dobësuar rolin e saj në gjeopolitikën rajonale, sidomos zotërimi i plotë i kanalit të Otrantos nëpërmjet Sazanit nga Italianët dhe marrja ipso fakto e një sipërfaqeje detare të konsiderueshme nga grekët, ku ka rezerva të mëdha nafte. Këto dy probleme do çlironin mundësi dhe potenciale për thithjen e kapitalit në investime strategjike sidomos në industrinë e turizmit bregdetar, vënien në punë të sektorit bujqësor dhe rritjen e prodhimit të brendshëm, uljen e importeve, uljen e papunësisë, rritjen e konsumit, forcimin e monedhës vendase nga rritja e ofertës së valutës së sjellë nga industria e turizmit, etj.
2. Qeverive të majta do t’u duhet për dy vjet të vazhdojnë të mbyllin prioritetet e lëna të pambaruara, apo të panisura në terren, nga qeveria blu. Ata duhet të standardizojnë rrugët nacionale nga fillimi e deri në fund. Nëpërmjet rrugëve dhe korridoreve jetike afrohen tregjet rajonale dhe kjo mund të afrojë investitorët e ndryshëm në prodhimin e mallrave dhe shërbimeve, pasi rritet konsumi dhe intrigohet tregu. Segmente të tilla si Rruga e Arbrit, mbyllja e Rrugës së Kombit nga lumi Mat e deri në Tiranë me të njëjtat standarde, mbyllja e segmentit Kukës-Morinë, unaza e Fierit, Kavajë-Rrogozhinë, Levan-Kakavijë, Mullet-Elbasan, Qaf Thanë-Pogradec, Sarandë-Butrint, segmenti Qaf Plloçë-Karkavec, për të mos thënë edhe segmente të tjera që janë thjesht në letër, por shumë të rëndësishëm si Boshti i Jugut, nëse do të mbylleshin plotësisht, do të ishin një shpëtim për një frymëmarrje dhe integrim të shqiptarëve dhe tregjeve të tyre në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri por edhe më gjerë, me Turqinë, Bullgarinë e Greqinë. Pra, qeveria e majtë do të duhet të heqë dorë nga disa ambicie të saja programore në investimet publike e të mbajë njërin sy në mbylljen e këtyre objektivave shumë të rëndësishëm, për shkaqet që i shpjeguam më lart, të filluara nga qeveria e mëparshme. Gjithashtu qeveria pink-rozë do të duhet të mendojë edhe për arkëtime monetare nga përdorimi i rrugëve prej konsumatorëve, me qëllim mirëmbajtjen e tyre.
3. Turizmi elitar me investime strategjike ( me mbi 100 milionë euro investim) do të jetë shpëtimi i ekonomisë shqiptare. E rëndësishme është se ka disa investitorë strategjikë që e lakmojnë bregdetin tonë të shkëlqyer. Madje ka disa studime nga palët e interesuara. Por ashtu siç ka grupe të fuqishme biznesi që dëshirojnë të investojnë në industrinë e turizmit, po ashtu ka grupe të fuqishme politike, nga fqinjët, si Greqia dhe Italia (pa llogaritur Rusinë dhe Serbinë), të cilat ose nuk duan të lejojnë fare investime strategjike turistike në bregdetin e shkëlqyer shqiptar për arsye politike ose ekonomike, ose duan të bëjnë vetë ata investime (kompanitë ruso-serbe, në bashkëpunim shpeshherë edhe me mafian ruse ose çifuto-ruse). Dihet interesimi disavjeçar i disa investitorëve austriakë për Porto-Palermon dhe dora e zgjatur e Greqisë në Tiranë, nuk i ka lejuar ata ta realizojnë një investim, i cili do t’i ngjasonte Porto-Palermon me rrethujzën e Shën Stefanit të Malit të Zi. Qeverisë do t’i duhet të zgjidhë problemet jo edhe shumë të vështira për çështjen e pronësisë së tokës midis saj, investitorëve dhe pronarëve privatë, për të lejuar një investim të tillë që mund t’i sjellë Shqipërisë nga turizmi deri edhe 100 miliardë euro të ardhura në vit dhe do të ulte në minimum papunësinë e rinisë.
Nga ana tjetër, ky investim relativisht i shpejtë në këtë industri do të sillte rritjen e investimeve në bujqësi e blegtori, pasi produkti i tyre do të ishte një mall konsumi i preferuar dhe i garantuar për t’u thithur nga industria e turizmit. Investimet në këtë sektor duhet t’i paraprinte investimi profesional në masë më të gjerë, publik e privat, me një cilësi të lartë, në fushën e arsimit, për të arritur perfeksionin e nevojshëm në know-how.
4. Qeveria ka nevojë urgjente të përmirësojë shërbimin tatimor. Meqenëse z.Rama ka filluar një kontakt me z.T.Bler (të cilit si skocez me të njëjtën origjinë albane që është, ashtu si edhe shqiptarët dhe uellsianët, mund t’i dhimben vërtet shqiptarët), një nga ndihmat që duhet t’i kërkojë atij është transferimi i këtij shërbimi te një kompani profesioniste britanike ose jo, duke i vënë asaj një kërkesë të përafërt për arkëtime, nisur nga numri i bizneseve të kategorive të ndryshme dhe, auditimi i rezultateve vjetore ekonomike të të gjitha firmave të biznesit, të kryhet prej tyre. Në bashkëpunim me këtë kompani shërbimi të huaj private që do të fitojë të drejtën e ndjekjes së politikave tatimore, do të përcaktohen edhe politikat buxhetore shtetërore, investimet publike, borxhi publik për financimin e deficitit të buxhetit, pagat e administratës, pensionet, etj. Në Shqipëri ka një ekonomi prej 30% gri, e cila ekziston për shkak të lidhjeve me politikën ose për shkak të paaftësisë. Thuhet se e djathta prodhon dhe e majta shpërndan, e djathta polarizon shtresat shoqërore nga pasuria dhe e majta tenton nga barazia në shpërndarje. Duket se me premtimet për fushatën, qeveria rozë do të mbështetet më shumë te vetëpunësimi i biznesit të vogël familjar dhe do të verë në surdinë biznesin e madh dhe kompanitë VIP. Nëse me këto do të ndiqet taksimi progresiv, kjo mund të sillte uljen e dividentit pas taksimit dhe si rezultat uljen edhe të investimeve nga fitimet e sektorit të brendshëm dhe rritjen e papunësisë. Nga ana tjetër, a do ta kontrollojë me rigorozitet qeveria sektorin e naftës, ku ka abuzime të mëdha nga kompani të fuqishme shumëkombëshe, siç ajo ka premtuar? Po shumëkombëshet e tjera, si në telekomunikacion, banking, a do t’i tatojë qeveria mbi bazën e taksimit progresiv me disa nivele fitimi?
5. Qeveria ka nevojë të ketë kujdes shumë të madh me sektorin monetar dhe të ndjekë politikat e Bankës së Shqipërisë. Paraja mbart sekretet më të mëdha të kësaj bote, sidomos paraja letër, dhe këtë fuqi okulte të saj, larg standardit të vjetër të arit që ishte një standard hyjnor, i cili ruante numrin e popullsisë dhe rezervat e planetit, e njohin pak profesorë a doktorë papagaj trushpëlarë te ne, por edhe jashtë Shqipërie. Guvernatori ka nevojë për këshilltarë proshqiptarë dhe të jetë shumë i pavarur nga të huajt e institucioneve vertikale që vendosin vargonj të tregut monetar dhe të ofertës së parasë në Shqipëri. Kush kontrollon paranë e një kombi, ai kontrollon gjithë kombin. Paraja letër është energji. Shumë nga teoritë ekonomike dhe ciklet e biznesit janë mashtrime. Nuk ka cikle biznesi për shkak të zhvillimit teknologjik, siç gënjejnë sot studentët me gjepura. Ciklet e biznesit realizohen nga mafia me kollare bankare nëpërmjet ofertës së parasë me qëllim sundimin e botës prej tyre. Kur tërhiqet paraja (deflacioni) dhe çmimet bien, përsëri s’ka konsum se s’ka fuqi blerëse. E kundërta ndodh kur ka inflacion, energji shtesë: arrihet piku i zhvillimit. Ciklet realizohen pas inflacionit dhe zhvillimit, nëpërmjet deflacionit të thellë, për të grabitur bizneset në bursë dhe kolateralet e huamarrësve. Teoritë e majta makroekonomike të Kejnesit apo ato liberale monetariste të Fridmanit duhen parë me shumë dyshim si të vërteta. Pra, duhet të dimë se kur duhet që paranë ta prodhojmë vetë, këtë energji që del nga hiçi, pa interes te BSH, dhe kur duhet që këtë energji t’ua u marrim të tjerëve si hua me interes. Këtë llogari të gabuar bënë grekët që sot janë rrënuar. Sa mbikëqyret ekonomia jonë nga BSH dhe INSTAT për të kombinuar ecurinë e ekonomisë me ofertën e lekut dhe sidomos kur kjo rritje oferte ka lidhje me investime strategjike fitimprurëse? Dihet se ekonomia dhe paraja janë dy anë të barabarta në peshë të së njëjtës peshore. Por që të rritet ekonomia, më parë duhet të ritet sasia e ofertës së parasë në sektorin real, pra pa inflacion nuk ka rritje të GDP në një ekonomi të mbyllur. Gjithashtu, si do të ruhen depozitat e bankave të nivelit të dytë në tregun ekonomik e financiar shqiptar dhe a duhet një taksim i ndershëm mbi këto depozita, të shtuara nga aktiviteti në Shqipëri, kur ato tërhiqen drejt bankave mëmë si divident? Gjithashtu, sot duket se ka nevojë për shmangien e panikut të krizës, krijimin e një klime normale për rritjen e investimeve në sektorin real e shpenzimeve dhe jo rritjen e kursimeve e rritjes së depozitave bankare. Investitori është si breshka, po i shkove me zhurmë dhe daulle ai trembet, nuk ecën dhe futet brenda zhguallit të apatisë dhe pritjes. Por qeveria duhet të krijojë të gjitha kushtet për pavarësinë dhe vigjilencën me këtë sektor të lakmuar nga biznesi më i sofistikuar dhe më i pamëshirshëm i grupeve financiare mafioze me kollare të bardha. Qeveria e re lipset të mendojë dora dorës për uljen e borxhit publik, të paktën nën nivelin 60%, në fund të një mandati. Borxhi publik është një vargua prej ari i vendosur në qafën e një kombi. Dihet se Marrëveshja për Detin u firmos për shkak të një borxhi 20- vjeçar të dhënë në mënyrë abuziviste prej Greqisë ndaj qeverive me brekë të ulura Nano-Majko-Meta, në masën prej rreth 68 milionë euro. Po kështu, Sazani është gllabëruar nga italianët për një borxh me principal prej rreth 170 milionë euro, të dhëna po në pranverë të vitit 1998. Mendoni se sa mund të jetë fitimi prej nëntokës të së parës, fitimi gjeostrategjik i Tiranës nga zotërimi i njërës anë të Otrantos me Sazanin dhe fitimi nga investitorët strategjikë të turizmit në këtë ishull që iu është pushtuar shqiptarëve. Në fakt, T. Bler është një personalitet që mund të ndihmojë në dëbimin e të huajve nga territoret strategjike të Shqipërisë të përcaktuara nga Protokolli i Firences dhe të vendosur nga KNK-ja më 1925.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›