E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon sërish instalimi i kasave regjistruese, projekti shtyhet për në vitin 2009



Ervin Koçi

Ministria e Financave ka dështuar sërish në aplikimin e projektit për kasat fiskale te subjektet e biznesit. Ndryshe nga sa ishte premtuar, edhe këtë vit duket se biznesi do ta vazhdojë aktivitetin e tij duke e raportuar xhiron në mënyrë apriori, në mungesë të kasave regjistruese. Për pasojë, edhe Tatimet do t’i përllogarisin të ardhurat dhe detyrimet po në formë apriori, në bazë të vlerësimit të përafërt që gjithsesi mbetet me leverdi për qeverinë, pasi arkëton më tepër të ardhura në buxhet nga taksat dhe tatimet. Sipas informacioneve nga burime pranë Ministrisë së Financave, mësohet se midis kësaj të fundit dhe firmave private që janë kontraktuar për tenderin e kasave fiskale ka pasur mosmarrëveshje si për instalimin e kasave, ashtu dhe për kalimin e parave firmave që do të zbatojnë projektin. “Kontrata me firmat private të përzgjedhura për tenderin e kasave ka mbetur e bllokuar pas mosmarrëveshjeve të shumta lidhur me koston e këtij projekti koncesionar”, - thanë për gazetën “Albania” burime nga Ministria e Financave. Po sipas të njëjtave burime mësohet se, “kostoja e projektit që firmat fituese të tenderit i kanë ofruar Ministrisë ka qenë e lartë edhe për faktin se firmat pretendonin se më shumë se instalimi kushtonte mirëmbajtja e kasave, duke aluduar se në shumë raste mund të prisheshin edhe qëllimisht nga subjektet”. Por derisa të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet dhe tenderi të hidhet nga e para ose të vijojë aty ku ka mbetur duket se do të kalojë i gjithë ky vit.

Kasat me koncesion

Ministria e Financave ka përzgjedhur katër kompani, të cilat parashikohej të zbatonin projektin koncesionar duke u instaluar të gjitha subjekteve të biznesit kasat fiskale dhe duke u kujdesuar për mirëfunksionimin e tyre. Por duket se kontrata ka mbetur e bllokuar mes shtetit dhe firmave private koncesionare. Burime zyrtare në dikasterin e Financave thanë se ende nuk është nënshkruar kontrata për instalimin e kasave regjistruese, duke e lënë të hapur mundësinë e deklarimit të zgjatjes së projektit, faza e parë e të cilit duhet të kishte përfunduar tashmë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se shkaku është që Ministria e Financave ende nuk po bie dakord me referencat e kontratës, ku pika e cila po mban peng gjithë procesin, është ajo e ruajtjes së të dhënave. Pra, kompanitë nuk po bien dakord me mënyrën që ka përzgjedhur Ministria e Financave për kontrollin e të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. E thënë ndryshe, kasat regjistruese duhet të përmbajnë memorien fiskale, e cila do të kontrollohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Sakaq, kapaciteti i memories fiskale, pra kasës regjistruese, duhet të sigurojë ruajtjen e regjistrimeve të së paku 1800 raportesh ditore e fiskale, maksimumi i 20 ndryshimeve të shkallëve tatimore dhe të 200 ndërhyrjeve për zhbllokime të softwar-eve. Këto kushte ende nuk po bindin kompanitë, çka do të sjellë sipas Ministrisë së Financave, që instalimi i kasave regjistruese të shtyhet për vitin tjetër.

Pretendimet e biznesit

Shtyrja e projektit për instalimin e kasave fiskale edhe të paktën me një vit do të sjellë plotësimin e njërës prej kërkesave kryesore të biznesit të vogël, i cili nuk ka qenë dakord për instalimin e tyre brenda vitit 2008. Përsa i përket mënyrës së procesit, katër kompanitë koncesionare që janë përzgjedhur do t’i shesin biznesit kasat regjistruese, por të gjitha të dhënat e memories fiskale do të kontrollohen nga tatimorët. Përsa u përket atyre subjekteve të biznesit që aktualisht operon me kasa regjistruese, të tillë si bizneset “VIP”, supermarketet, agjencitë e ndryshme etj., ato do të vazhdojnë të mbajnë të njëjtat kasa regjistruese, por të cilat do të lidhen me databasen e tatimeve. Përpara se të fillojë hedhja e të dhënave të qarkullimit nëpërmjet pajisjes fiskale në memorien fiskale, paraprakisht duhet të futen të dhënat, si: numri i identifikimit të tatimpaguesit, numri i identifikimit të regjistruesit elektronik (dy shifra për identifikimin e kompanisë shitëse të arkës dhe katër numra dhjetorë të tjerë), data, ora dhe minuta e fillimit të mbajtjes së regjistrimit të xhiros nëpërmjet regjistruesit elektronik dhe logoja fiskale. Nëse memoria fiskale pëson defekt, pajisja fiskale duhet të regjistrojë fjalën “Gabim”, si dhe të ruajë të gjitha të dhënat e mëparshme.

DPT-ja çon 50 denoncime në prokurori për mospagim taksash

Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës 50 kallëzime penale për subjektet që nuk kanë paguar detyrimet tatimore kohët e fundit. Burime nga Task-Forca e DPT-së thanë dje për gazetën se, në harkun kohor të dy javëve janë regjistruar dhjetëra kallëzime ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme. Këto të fundit, me gjithë gjobën "në kurriz", nuk kanë preferuar të paguajnë detyrimet që përmban ligji për tatimet, një pjesë e të cilave justifikohen me faktin “se nuk kanë më punë dhe po i mbajnë dyqanet hapur për të likuiduar një pjesë të mallit pa fitim”. Nisur nga abuzimi i sipërpërmendur, Tatimet kërkojnë fillimin e procedimit penal ndaj tyre, duke kërkuar edhe sanksione ligjore nën akuzën e "evazionit fiskal", i cili përmban nga gjobë, deri në burg disa muaj.

9 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›