Uidhers: Të sigurohemi që Gërdeci s'do të ndodhë më

Ambasadori amerikan ishte dje në qytetin e Poliçanit gjatë ceremonisë për përurimin e Linjës së Re Teknologjike
POLIÇAN - "Puna juaj dhe e të gjithë amerikanëve që punojnë në këto mjedise është që të sigurohemi që tragjedi si ajo e Gërdecit të mos ndodhin më". Kjo ishte deklarata e bërë nga ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, mesditjen e djeshme në qytetin e Poliçanit.
Ai ishte i pranishëm gjatë ceremonisë së zhvilluar në Uzinën e Armëve ku u pre shiriti i përurimit të Linjës së Re Teknologjike, për asgjësimin e municioneve të këmbësorisë, makinerisë që ndihmon në asgjësimin e rezervave të tepërta të municioneve të kalibrit të ulët, makineri që Qeveria Amerikane, nëpërmjet zyrës së Departamentit të Shtetit për reduktimin dhe zhdukjen e armëve, ia ka dhënë me qira Shqipërisë.
Ambasadori amerikan Uidhers, në fjalën e tij ka theksuar rëndësinë e punës dhe bashkëpunimit të qeverisë amerikane e asaj shqiptare në procesin e çmilitarizimit, pasi shkatërrimi i këtyre armëve të rrezikshme për jetën është i rëndësishëm.
"Të gjithëve ju kujtohen ngjarjet e marsit të vitit 2008, ndërsa pamë të tmerruar shpërthimin që ndodhi në Gërdec dhe pasojat në njerëz e në banesa. Faktet për Gërdecin flasin vetë.
Kjo na tregoi të gjithëve se sa të rrezikshme e shkatërruese mund të jenë të gjitha armët e pashpërthyera për jetën e njeriut dhe puna juaj në këtë uzinë dhe puna e të gjithë amerikanëve që punojnë në këto mjedise, është që të sigurohemi që këto tragjedi të mos ndodhin më e që këto armë të shkatërrohen një herë e mirë",- u shpreh Uidhers.
Kreu i diplomacisë amerikane deklaroi se "në Poliçan janë duke u shkatërruar fishekë me një shpejtësi shumë të madhe dhe si qeveri e Shteteve të Bashkuara jemi shumë krenarë që të mund t'ju ofrojmë ekspertizën dhe burimet tona për t'ju ndihmuar në këtë proces".
Uidhers pohoi se kontraktorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, "EOD Solution" të cilët po mbikëqyrin edhe mbarëvajtjen e operacioneve të dimilitarizimit në Uzinën e Poliçanit, janë më të mirët në këtë fushë.
"Qëllimi i kësaj makinerie, - tha Uidhers, - është të ndihmojë në eleminimin e 7 000 tonë plumbave 7.62 mm nga rezervat e tepërta të Ushtrisë Shqiptare pasi ajo shkatërron 7,5 ton fishekë në ditë".
Uidhers e ka përfunduar fjalën e tij duke pohuar se puna që po bëhet për çmilitarizimin e armëve dhe siguria që është treguar, të vazhdojë deri në përfundim të këtij procesi, pasi është bërë një nisje e mbarë që ka nevojë për një qëndrueshmëri në këtë përpjekje, me shpresën që një ditë të mund të shkatërrohen të gjitha armët dhe që e ardhmja të jetë e sigurt.
Pas prerjes së shiritit të inaugurimit të Linjës së Re Teknologjike për asgjësimin e municioneve të këmbësorisë, ambasadori amerikan ka vizituar dhe ka parë nga afër punën që kryhet në këtë uzinë për asgjësimin e municioneve luftarake nëpërmjet funksionimit të makinerisë së dhënë nga qeveria amerikane.
Interesimit të gazetarëve për situatën politike në vend, ambasadori amerikan i është përgjigjur duke thënë se ka ardhur në Poliçan për të folur për teknologjinë e re të asgjësimit të municioneve dhe jo për politikë, "pasi përurimi që po bëhet sot është i një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Shqipërisë", është shprehur diplomati amerikan.