E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita pa zyrë në Komunë

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka ueb-faqen e tij, ka udhëheqësit komunalë, mirëpo prej vitit 2000 e deri në zgjedhjet e fundit, në tërë atë objekt nuk ka një zyrë të opozitës, e cila mund të jetë në shërbim të qytetarëve.

Opozitarët në Komunë të Prishtinës ankohen se më këtë po diskriminohen nga partia në pushtet komunal. Ata thonë se Ligji kundër diskriminimit është miratuar nga Kuvendi i Kosovës qysh në vitin 2004.

Shemsi Veseli, shef i Grupit parlamentar të PDK-së në KK të Prishtinës, tregon se edhe pas një kërkese nga ana e tyre për një zyrë në objektin e Komunës, akoma nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga ana e qeverisësve.

“Ne e kemi bërë një kërkesë në kohën kur ka qenë Ismet Beqiri në mandat, mirëpo nuk është dhënë asnjë përgjigje. Kjo e metë po vazhdon edhe sot edhe pasi që është ndërruar kryetari i Kuvendit. Ne nuk mund të dërgojmë një kërkesë me shkrim për një zyrë në Komunë, sepse Isa Mustafa duhet të reflektojë vetë që të marrë një vendim për një mungesë të tillë”, thotë Veseli.

Ai beson se e meriton një zyrë në Komunë, pasi që ka marrë një pjesë të madhe të votave nga vetë kryeqytetasit.

“Nuk duhet të harrojmë që një pjesë e mirë e elektoratit kanë votuar për opozitën dhe pozitën, kurse kjo e fundit nuk ndodhet në shumicën e rasteve në shërbim të qytetarëve”, shton Veseli.

Për zyrën që mendon se i takon të jetë nën një kulm me Isa Mustafën, Veseli thotë se janë detyruar të dalin jashtë objektit komunal dhe për këtë të paguajnë një shumë të majme parash.

“Duke e marrë parasysh këtë fakt, ne si parti politike dhe si opozitë jemi detyruar ta marrim përballë Komunës një lokal me qira, që qytetari të ketë një adresë ku mund të takohet me ne si opozitë dhe t’i parashtrojë të gjitha kërkesat dhe problemet e tyre”.

Kurse në anën tjetër, zëdhënësi i KK të Prishtinës, Muhamet Gashi thotë për Express se partitë opozitare duhet të kenë durim edhe pak derisa të merret një vendim për ta. Ai thotë se deri më tani nuk ka pasur vend të mjaftueshëm për zyrat e partive opozitare.

“Më herët, koncentrimi i numrit të punëtorëve ka qenë komplet i fokusuar në objektin e komunës së vjetër, kurse tash pas hapjes së objektit të ri në lagjen Arbëria, ka më shumë hapësirë dhe kjo mundëson që të bëhet edhe një vend për partitë opozitare”, thotë zëdhënësi Gashi.

Megjithatë, ai shpreson se tashmë pas hyrjes në objektin e ri komunal, këtij problemi do t’i vijë fundi.

“Shumë shpejt do të merret parasysh edhe kërkesa e tyre dhe do të ketë vend më shumë për hapjen e zyrave të reja. Besojmë që të gjitha këto parti do ta kenë nga një zyrë në objektin e Komunës”, thotë ai.

Objekti i ri i Komunës, i cili gjendet në lagjen Arbëria, ka kapacitet që të pranojë gjithë stafin, i cili ka punuar në ndërtesën e vjetër. Megjithatë, deri më tani në këtë ndërtesë janë transferuar vetëm katër drejtori komunale. Kurse, as në këtë objekt, nuk është rezervuar ndonjë zyrë për partitë opozitare, të cilat do të fillonin punën si pjesë e Komunës, e jo si komshinj të saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›