E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, kundër ndërkombëtarëve: Kutitë t'i hapin në vendet e tyre

Meta theksoi se po ushtrohet presion ndaj kreut të shtetit, në mënyrë që ai të ndërmarrë veprime të caktuara politike. Sipas Metës, Presidenti i ka kompetencat e tij, për të gjykuar atë që është apo jo e pranueshme për Kushtetutën


TIRANË - Në kushtet kur faktori ndërkombëtar kërkon të ndikojë me mënyrat e tij për zgjidhjen e krizës politike në vend, dhe kur Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Zhao Soares ka kërkuar hetimin e plotë dhe tërësor të zgjedhjeve të 28 Qershorit, mazhoranca qeverisëse është kthyer kundër iniciativave politike të ndërkombëtarëve.


Në një konferencë për shtyp, zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta deklaroi se Shqipëria nuk është vend eksperimentesh për të hapur kutitë e votimit, duke lënë të nënkuptojë pakënaqësi edhe ndaj ndonjë kërkese jo zyrtare të ndërkombëtarëve, që mund të jetë përcjellë gjatë takimeve bilaterale.


I pyetur nëse ka marrë mesazhe nga ambasadorët e Bashkimit Europian, se kriza politike mund të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave, Meta u përgjigj se kush kërkon hapjen e kutive në Shqipëri, le ta kryejë këtë veprim më parë në vendin e tij.


Sipas Metës, ky është një eksperiment që synon falimentimin e shtetit ligjor. "Mazhoranca qeverisëse di t'i lexojë shumë mirë mesazhet e ndërkombëtarëve. Dhe mendoj që qëndrimi ynë në lidhje me këtë çështje është shumë konstruktiv dhe parimor. Ky është një qëndrim shumë i qartë.


Në qoftë se dikush këtu, dëshiron të bëjë një eksperiment i cili në thelb synon falimentimin e shtetit ligjor dhe sistemit kushtetues në vend, e ka shumë gabim. Le të hapë një herë kutitë në vendin e tij dhe pastaj le ta bëjë këtu. Sepse Shqipëria nuk është vend eksperimentesh", - tha dje Meta.


Sipas numrit dy të qeverisë, asnjë ndërkombëtar nuk mund të përkrahë hapjen e kutive të votimit, që cenon vendimin e gjykatave, pasi kjo mund të shërbejë si një faktor destabilizues edhe për vendet e tjera, ku OSBE-ODIHR-it operon në monitorimin e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë sipas Metës, askush nuk mund të shprehet pro pretendimit që cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor.


"Dhe të jeni të sigurt se asnjë ndërkombëtar nuk mund të përkrahë një precedent antikushtetues në Shqipëri që mund të cenojë gjykatat sepse kjo do të thotë që ky do të shërbejë si një precedent destabilizues edhe për vendet e tjera, si vendet e rajonit apo edhe vendet e tjera ku OSBE dhe ODHIR janë prezentë.


Askush nuk mund të përshëndesë dhe të mbështesë një pretendim antikushtetues që cenon pavarësinë e gjykatave. Dhe kjo është thelbësore për të vlerësuar një vend demokratik",- u shpreh ai.


Për sa i përket pretendimit të opozitës për hapjen e kutive të votimit dhe rishikimin e Kodit Zgjedhor, Meta akuzoi kreun socialist Edi Rama, duke theksuar se vetë lideri i opozitës ishte përgjegjës për hartimin dhe administrimin e sistemit zgjedhor në vend.


Meta kërkoi që Rama të jetë më i përgjegjshëm për situatën e krijuar politike, ndërsa shtoi se nuk duhet që përgjegjësinë e tij për krizën politike t'ua atribuojë të tjerëve. "Unë mendoj se kryetari i PS-së duhet të jetë më i përgjegjshëm për këtë situatë, pasi për fat të keq ai kërkon t'ua faturojë të tjerëve, për fat të keq edhe vendit, një përgjegjësi ekskluzive të tij.


Është e lehtë të thuash se duhet të çlirohemi nga ky sistem zgjedhor, por të gjithë e dinë se arkitekti i këtij sistemi, arkitekti i këtij kodi, arkitekti i këtij administrimi, ishte në radhë të parë vetë z. Rama", - theksoi Meta.


Ai sugjeroi që Rama të bashkëpunojë me Kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Bamir Topi si dhe me komunitetin ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike dhe jo të ndërmarrë, sipas Metës, aksione politike kaotike.


Lidhur me kërkesën që aleatët e Partisë Socialiste i kanë drejtuar Presidentit Bamir Topi për të ndikuar në hapjen e kutive të votimit, Meta theksoi se ky është një presion që i bëhet kreut të shtetit, në mënyrë që ai të ndërmarrë veprime të caktuara politike.


Sipas Metës, Presidenti i ka kompetencat e tij, për të gjykuar atë që është apo jo e pranueshme për Kushtetutën. "Është një ndërhyrje e gabuar, që të nxitesh nga aleatët e tu, nga të cilët asnjë nuk është në Parlament, për t'i bërë presion Presidentit, që ai të ndërmarrë veprime të caktuara, kur presidenti i ka të gjitha mundësitë dhe kompetencat për të gjykuar se çfarë është dhe nuk është e pranueshme dhe në përputhje me Kushtetutën", - nënvizoi zëvendëskryeministri.


Kreu i diplomacisë shqiptare pranoi gjithashtu edhe mundësinë se vazhdimi i krizës politike mund të ketë efekte në procesin e liberalizimit të vizave, si dhe në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

******************


Sipas shefes së lartë të BE-së, bojkoti nuk është mënyra për zgjidhjen e krizës politike

Ashton: Kriza rrezikon integrimin e vendit

BEOGRAD - Kur mazhoranca dhe opozita ende nuk kanë arritur në një marrëveshje për daljen nga kriza politike dhe rifillimin e dialogut në Parlament, Bashkimi Europian i ka adresuar sërish një sinjal të qartë politikës shqiptare, se vazhdimi i krizës politike do të ketë pasoja të rënda për synimet Europiane të Shqipërisë.


Ky qëndrim ka ardhur nga Përfaqësuesja për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Europian, Katerinë Ashton. Duke folur në kryeqytetin e Serbisë, për perspektivën e Ballkanit Perëndimor në raport me Bashkimin Europian, Ashton përmendi edhe situatën politike në Shqipëri.


Sipas saj, Shqipëria gjatë këtyre viteve ka bërë një progres në zhvillimin e saj politiko -ekonomik, por kriza politike e krijuar që pas zgjedhjeve të fundit parlamentare e ka vështirësuar zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe kjo situatë mund të ketë pasoja serioze për integrimin e tij në BE.


Përfaqësuesja për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, theksoi gjithashtu se mbështet dialogun politik dhe se bojkoti nuk është një mënyrë për të dalë nga kriza politike. "Më duhet të them me sinqeritet se jam mbështetëse e fortë e dialogut politik dhe aspak e bojkotit si një mënyrë për të gjetur një zgjidhje politike",- u shpreh Ashton.


Për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave në hapësirën Shengen, Ashton vuri në dukje se Bashkimi Europian po punon me vendet të cilat nuk përfituan nga regjimi i vizave vitin e kaluar.


Ajo nënvizoi se kriteret për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën do të jenë ato që parashikon udhërrëfyesi i lëshuar nga Komisioni Europian, ndërsa shtoi se ekspertët po vlerësojnë edhe përmbushjen e detyrimeve që kanë realizuar deri më tani këto dy vende.


Sipas Ashton, perspektiva Europiane e Ballkanit Perëndimor qëndron në angazhimin individual të këtyre vendeve për të përmbushur detyrimet e lëshuara më parë nga Bashkimi Europian.


Kjo është një nga të shumtat sinjale adresuar politikës shqiptare për zgjidhjen e krizës politike, ndërkohë që liderët e forcave kryesore politike, Rama e Berisha pritet të zhvillojnë raundin e tretë të bisedimeve me ndërmjetësimin e Presidentit Bamir Topi.


Rama tha se PS-ja është duke u përgatitur për protesta dhe menjëherë sapo opozita të bindet se qeveria nuk lëshon rrugë


Zgjedhjet, Rama: Jemi për hetim të pakushtëzuar


"Hetimi i plotë do të thotë hetimi i pakushtëzuar dhe i pakufizuar, i bazuar mbi Kushtetutë"


TIRANË - "Hetim i pakushtëzuar dhe i pakufizuar". Kështu e ka interpretuar Partia Socialiste deklaratën e dy ditëve më parë të bërë nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares, i cili në emër të institucionit që drejton u shpreh për një hetim të plotë dhe të tërësishëm të zgjedhjeve të 28 qershorit.


Ka qenë pikërisht kryesocialisti Edi Rama, ai që me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në dorë ka bërë dhe interpretimin e qëndrimit të OSBE-së, duke theksuar se edhe ndërkombëtarët janë për një hetim të pakushtëzuar të zgjedhjeve, çka do të thotë sipas tij edhe hapje e kutive të votimit.


"Hetimi i plotë dhe i tërësishëm i zgjedhjeve, do të thotë hetimi i pakushtëzuar dhe i pakufizuar, i bazuar mbi Kushtetutë dhe mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka interpretuar dhe i ka dhënë formë të qartë çështjes së hetimit parlamentar në tërësi", - tha Rama në deklaratën e tij gjatë një bashkëbisedimi që ka kryer me gazetarët në zyrën e vet.


Duke iu referuar pikërisht interpretimit të kushtetueses për qëllimin e një hetimi parlamentar, Rama ka bërë të qartë se në të mishërohet më së miri ajo çka ka shprehur edhe PS-ja se hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit do t'i shërbejë evitimit të manipulimeve për proceset e ardhshme zgjedhore.


"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shprehet qartë, se komisionet hetimore janë mjet efektiv kontrolli, që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të Parlamentit, që ngrihen për çështje të veçanta të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit dhe Gjykata Kushtetuese sqaron se çështje të veçanta që përbëjnë thelbin e veprimtarisë së komisioneve hetimore parlamentare të cilat e përmbajnë në vetvete interesin publik, janë ato që hetohen në aspektin e kontrollit dhe zbatimeve të ligjeve, të njohjes dhe verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarje apo veprimtarie dhe që nxisin iniciativa për propozime, amendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalim të fenomeneve negative për shoqërinë dhe shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale.


Besoj se nuk ka shprehje më të qartë të përmbajtjes së hetimit parlamentar që ne duam të bëjmë dhe për të cilin na jep të drejtë Kushtetuta dhe vendimi i Gjykata Kushtetuese", - tha kreu socialist. Më pas, Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me mundësitë e zgjidhjes së krizës politike që ka mbërthyer vendin dhe planet e PS-së në rast se nuk i jepet e drejta për të hapur kutitë.


Cila është zgjidhja që ju jepni, duke qenë se kemi lexime në mënyra të ndryshme të deklaratave të ndërkombëtarëve?


Unë lexova shqip dhe nga leximi shqip i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ne jemi në të drejtën tonë kushtetuese dhe populli opozitar është në të drejtën e tij dhe të Zotit që ta kërkojë deri në fund transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, e cila duhet të jetë e pakushtëzuar dhe e pakufizuar.


Mazhoranca këmbëngul se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e lejon hetimin e vendimeve të marra nga organet e drejtësisë, siç është rasti i Kolegjit Zgjedhor në rastin tonë...


Ne nuk po hetojmë vendimin e gjykatës dhe nëse në këtë karrem që ka kaq kohë që Sali Berisha dhe pushteti e lëshojnë drejt jush dhe ju doni të bini, kjo është çështja juaj. Unë nuk mund ta kufizoj karremin që hedh pushteti çdo ditë.


Fakti është se ne nuk kemi paraqitur asnjëherë dhe në asnjë rast të vetëm gjatë afishimit të pretendimit tonë, për të hetuar vendimet e gjykatave dhe qysh në krye të herës ne e kemi njohur rezultatin, përderisa kemi njohur faktin që me Parlamentin do të kemi një marrëdhënie të kushtëzuar.


Në rast se ne nuk do të njihnim rezultatin e zgjedhjeve, nuk do të njihnim as Parlamentin e as qeverinë dhe sot nuk do të ishim duke diskutuar, por do ishim në kushtet e një lëvizje antisistem, që nuk është as në vizionin, filozofinë dhe as në qasjen tonë. Kështu që referimi i vazhdueshëm ndaj vendimit të gjykatës, është thjesht dhe vetëm një truk për t'ju shmangur detyrimit kushtetues që të respektohet e drejta kushtetuese e opozitës.


A keni ju disa qytete të preferuara në mund të themi ku kërkoni hapjen e kutive?


Ky është një problem i komisionit hetimor, i cili duhet të ngrihet me një shumicë të pakontrolluar nga qeveria. Është njëkohësisht edhe organi që përcakton modalitetet dhe teknologjinë e hetimit.


Unë nuk dua t'ju çudis, por ju them me plot gojën se kudo zgjedhjet kanë pasur probleme. Për sa i përket mënyrës se si do të hetohet, këtu është fjala për një teknologji më vete dhe kjo u takon atyre që do merren me hetimin.


Nëse KiE nuk përmend hapjen e kutive, çfarë do të bëjë PS-ja?


Ne jemi shumë të qartë dhe nuk do të ndryshoj asgjë në qëndrimin tonë për mos kufizim të objektit të hetimit. Siç e kemi thënë, këtë çështje do e trajtojmë në nivelin e tryezës së dialogut.


Deri në momentin kur tryeza e dialogut do përdoret për të zvarritur zgjidhjen, në atë moment do i drejtohemi popullit, që ta marrë çështjen e të drejtës kushtetuesve vetë në dorë, duke kërkuar transparencën për atë që ka shprehur në 28 qershor dhe që gjendet e marrë peng në kutitë e zgjedhjeve.


Cili është afati deri në të cilin do të prisni për të gjetur zgjidhjen, për të kaluar më pas sërish në protesta?


Ne jemi duke u përgatitur për protesta dhe menjëherë sapo të bindemi se qeveria nuk lëshon rrugë për të ushtruar të drejtën tonë për të hetuar zgjedhjet duke hapur kutitë ne do të protestojmë.


Për këtë çështje ju i jeni referuar një precedenti në Amerikë ku kutitë janë hapur dhe janë hetuar, rezultati ka dalë ndryshe nga ai që ishte legal, por Presidenti vazhdoi mandatin deri në fund.


Nëse një gjë e tillë do të ndodhte çfarë do të ndodhë në Shqipëri?


Nëse ne do të shohim atë që ne dimë si opozitë, siç e di edhe vetë Sali Berisha, që në ato kuti qëndron një e vërtetë katërçipërisht tjetër nga e vërteta e shprehur në rezultatin e zgjedhjeve, sigurisht që secila do të nxjerrë konkluzionet e veta dhe do të bëjë aktivitetin e vet.


Një gjë është e sigurt, që për ne hetimi nuk nënkupton përmbysjen e rezultatit në tavolinë dhe nuk nënkupton as një bojkot tjetër të Parlamentit për të kërkuar këtë përmbysje, nënkupton nxjerrjen në pah të një vërtetë të hidhur që nuk duhet të përsëritet më, padyshim edhe nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive që ka të bëjë me administrimin e zgjedhjeve.


Nëse rezultati del siç pretendoni pse të mos ketë zgjedhje të parakohshme?


Unë nuk thashë që nuk duhet të ketë, unë thashë që ne nuk duam të përmbysim pushtetin në tavolinë përmes transparencës së zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›