Shpëtim Spahiu dhe Luan Hoxha: E vërteta e telefonatës me Fatmir Mediun
Habjon Hasani
Mohim i prerë i formës ushtarake. Ky ka qenë qëndrimi i gjeneral Shpëtim Spahiut, i kontaktuar dje nga “Albania” pas publikimit të dëshmisë së ish-atasheut ushtarak të Ambasadës Amerikane, Leri Herrison, i cili pretendoi se Mediu i telefonoi menjëherë gjeneral Spahiut porsa mori aprovimin e ambasadorit Uidhers për të zhvendosur fishekët kinezë nga baza ku ripaketoheshin. “E di pse do të më pyesni. Po ua them pa humbur kohë. Nuk është e vërtetë. E përsëris, nuk është e vërtetë. Nuk ka pasur asnjë telefonatë në datën e sipërpërmendur, madje që edhe ju ta dini, ushtarakët nuk pranojnë urdhra verbalë përveçse në raste të përcaktuara qartë”, - deklaroi dje Spahiu për “Albania”-n, duke lënë të kuptohet se ministri nuk mundte dot të jepte një urdhër të tillë duke ia hedhur aq lehtë vetëm me një telefonatë në mesnatë. “Nëse do të kishte ndodhur ajo që pretendohet, do të ishin lënë gjurmë, të jeni të sigurt. Këto veprime kërkojnë praktika, pra urdhra të kontrolluar dhe të protokolluar, kështu që as mos e mendoni se ka pasur ndonjë zhvendosje me anë të një urdhri me telefon”, - ka deklaruar Spahiu.
“Telefon i prishur”
Në kushtet kur nga gjeneral Spahiu erdhi një mohim i prerë dhe kategorik, “Albania” gjykoi se atasheu amerikan mund të ketë dëgjuar të përmendet nga ministri gjatë bisedës emri i gjeneral Spahiut, pra ministri mund të ketë urdhëruar dikë tjetër, ndërsa ka përmendur dhe mbiemrin e gjeneral Spahiut. I vetmi person që mund të urdhëronte gjeneral Spahiun (nisur nga hierarkia e Shtabit) ishte vetëm ish-shefi i Shtabit, Luan Hoxha, të cilin e pyetëm gjithashtu, e nga i cili na erdhi i njëjti mohim i thatë. Luan Hoxha, i saposhkarkuar nga detyra, i tha “Albania”-s se do të jepte vetëm një përgjigje të shkurtër, duke shprehur haptazi vullnetin e tij për të mbajtur larg vëmendjen e medias në këto ditë postshkarkim. “Dëgjoni, nuk dua të flas për median, pasi nuk e shoh të arsyeshme në këtë moment. Por meqenëse po më drejtoni një pyetje me rëndësi po ju them shkurt fare që nuk kam marrë kurrë ndonjë urdhër të tillë me telefon nga ministri Mediu. Kaq kisha”,- tha z. Hoxha në prononcimin për gazetën.
Pistat hetimore
Në Prokurorinë e Përgjithshme është bërë mbledhje pas publikimit të raportit të djeshëm nga kongresmeni Uaksman. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në kushtet kur i dyshuari numër një i kësaj prokurorie (Fatmir Mediu) akuzohej vetëm për përfitimet e paligjshme dhe lejet abuzive që i kishte dhënë firmës së Delijorgjit në Gërdec. Tashmë i dyshuari “VIP” gjendet përballë akuzës edhe në lidhje me një telefonatë të bërë në mesnatë, me anë të së cilës mendohet se Mediu ka urdhëruar “pastrimin e skenës së krimit”. Tashmë Prokuroria ka vendosur të analizojë tabulatet telefonike të ministrit dhe të lidhë harkun kohor të telefonatës sikurse është përshkruar nga atasheu amerikan, Herrison. Prokurorët e çështjes e shohin këtë moment si “thembra e Akilit”, pasi vërtetimi i këtij fakti do të kthente rrjedhën e ngjarjeve, por mbi të gjitha kjo telefonatë dhe hetimet e mëtejshme mund të bënin lidhjen mes trafikut të fishekëve kinezë dhe vendndodhjes së pikës së ripaketimit, që mund të jetë Gërdeci. Nëse rezulton se urdhri mundësoi zhvendosjen e fishekëve kinezë nga baza e Gërdecit, atëherë ish-ministrit tonë të Mbrojtjes do t’i komplikohej shumë pozita, pasi ai jo vetëm do të akuzohej për leje dhe urdhra të paligjshëm (për “Albdemil”), por do të faktohej se ai kishte dijeni se në këtë bazë “gatuhej” gjithë trafiku i municioneve të vjetruara shqiptare.
25 Qershor 2008