E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers shpreh opinionet e tij e jo të SHBA

Ish-ambasadori amerikan në Tiranës, Xhon Uidhers

Një zëdhënës i DASH sqaron qëndrimin e ish-ambasadorit amerikan.

Departamenti Amerikan i Shtetit qartëson se opinionet e shprehura nga ish-ambasadori amerikan në Tiranës, Xhon Uidhers, janë krejtësisht personale dhe aspak zyrtare. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit shprehet përmes një deklarate, se zëri zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është vetëm ambasadori Aleksandër Arvizu dhe Ambasada Amerikane në Tiranë. Xhon Uidhers nuk flet për Departamentin e Shtetit ose qeverinë e SHBA-ve, siç tha ai, deklaratat e tij pasqyrojnë opinionet e tij personale. Pikëpamjet e tij, apo ato të ish-zyrtarëve të tjerë, nuk pasqyrojnë politikën amerikane. Ambasadori Arvizu dhe Ambasada Amerikane në Tiranë, si dhe deklaratat zyrtare të qeverisë amerikane, pasqyrojnë politikën tonë dhe marrëdhëniet me Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara janë një mik i fortë i Shqipërisë dhe një mbështetës i fortë i aspiratës së Shqipërisë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ne jemi aleatë së bashku në NATO. Ne e kemi inkurajuar qeverinë e Shqipërisë që të miratojë rekomandimet e BE-së për reforma, të cilat kërkojnë përpjekje reale dhe të prekshme për të angazhuar opozitën dhe të pranojë kompromisin si pjesë të procesit politik, thuhet në deklaratën e zyrtarit të Departamentit Amerikan. Edhe njëherë, si një qëndrim zyrtar i SHBA-ve, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit kërkon bashkëpunim mes maxhorancës dhe opozitës dhe i kërkon kësaj të fundit të jetë më e përgjegjshme dhe konstruktive në Parlament. Në të njëjtën kohë, ne kemi kërkuar nga opozita që të jetë përgjegjëse dhe e përgj-egjshme, gjë që, në një demokraci të pjekur, kërkon pjesëmarrje të plotë, aktive dhe konstruktive në Parlament. Ne u bëjmë thirrje të dy liderëve, të qeverisë dhe opozitës, për të gjetur fushat e kompromisit. Është koha që liderët politikë të bëjnë progres të prekshëm në axhendën e reformave, në mënyrë për ta afruar Shqipërinë me të ardhmen e saj europiane, thuhet në deklaratën e një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit.
Në një intervistë për një të përjavshme shqiptare, ish-ambasadori amerikan i tërhequr në pension, Xhon Uidhers, hodhi kritika ndaj qeverisë, Gjyqësorin, tragjedinë e Gërdecit dhe marrëdhëniet e politikës shqiptare, ndërsa kjo intervistë u komentua si opinion zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Intervista
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, në një intervistë për revistën JAVA, tha se ëndrra e vitit 1912 nuk është përmbushur akoma. Sipas tij, lufta për liri nuk është fituar akoma. Ai tha se Ismail Qemali dhe të tjerë patriotë do të ishin turpëruar po ta shihnin këtë qeveri moskokëçarëse se si tkurr liritë. Uidhers tha se ka frikë se zgjedhjet do jenë sërish të njollosura, ndërsa theksoi se zgjedhjet lokale në Tiranë ishin turpëruese. Ish-ambasadori tha se kjo qeveri përpiqet të fajësojë të tjerët për dështimet e saj politike. Uidhers tha se kjo qeveri nuk qeveris, por sundon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›