E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujësjellësi, bashkia: Gjobë, firmës së ndërtimit

Gazeta Shqip

Rrjeti i furnizimit në Kukës dhe 14 fshatrave rreth tij pritet që të përfundojë në muajin qershor

Bashkia e Kukësit do të gjobisë firmën që ka marrë përsipër ndërtimin e ujësjellësit të ri, për shkak të kaosit që ka krijuar në qytet. Prej tre vjetësh, ndërtimi i ujësjellësit ka ngjallur vetëm debate. Pas ndërprerjes thuajse 2-vjeçare të punimeve, me rifillimin e tyre duket se pakënaqësitë janë shtuar. Kreu i Bashkisë Kukës kundërshton mënyrën sesi po punohet për shtrimin e rrjetit të ri, ndërkohë që nuk përjashton mundësinë e gjobitjes së kompanisë. “Jam i pakënaqur nga punimet që bën firma aktuale, në aspektin e tabelave, të sinjalistikës. Janë paralajmëruar dhe në rast se nuk do të ketë sinjalistikë në punimet që do të kryhen, ne do të kemi në dorë të vëmë gjobë. Por qytetarëve të Kukësit nuk u intereson fleta e gjobës sa u intereson që të mos bien nëpër gropa”, thotë kryebashkiaku, Hasan Halilaj. Në këshillin bashkiak, anëtarët kanë kërkuar përgjegjshmërinë e kompanisë që po kryen punimet, pasi ajo ka shkatërruar të gjitha rrugët edhe ato të rindërtuara. “Edhe pse kanë kaluar tre vjet, unë shoh që është metoda juaj ndoshta në stilin e punës, që çdo prag fushate, që të hapni rrugë e të hapni kanale. Keni nxjerrë edhe pengesa në qytet, edhe bllokimin e trafikut, edhe probleme të tjera në lidhje me një kaos që është krijuar nga punimet e ujësjellësit të ri”, shprehet Ylber Duraku, anëtar i Këshillit Bashkiak. “Nuk do të thotë që pavarësisht se janë tejkaluar të gjitha afatet për ndërtimin e këtij ujësjellësi që në momentin që fillon të ndërtohet, qyteti të marrë pamjen e një vendi ku bëhet luftë, jo punime. Nuk shohim asnjë lloj sinjalizimi në qytet”, thotë Rozafat Sopaj, anëtar i Këshillit Bashkiak. Rrjeti i ujësjellësit të ri të Kukësit dhe 14 fshatrave rreth tij pritet që të përfundojë në muajin qershor, ndërkohë që parashikohet që të ndërtohen 29 objekte për linjat e ujit transit. Për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit është dhënë një fond prej 3.5 milionë eurosh nga qeveria shqiptare.

Ujësjellësi, bashkia: Gjobë, firmës së ndërtimit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›