E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ujësjellësi i ri i Tragjasit, Rama: Studim i mirëfilltë hidrologjik, u shërben banorëve

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur sot drejtpërdrejt pyetjeve të adresuara në platformat sociale.

I pyetur nga një qytetar nga Tragjasi për ndërtimin e ujësjellësit në këtë zonë, Rama u shpreh se, “ky është një diskutim që ka në thelb një pikëpyetje shumë të madhe për mua, që si ka mundësi që të bihet pre e një konfuzioni, të tillë po e quaj, sepse jam i bindur që mbrapa kësaj ka burime helmi që kanë derdhur sasira të caktuara në mendjen e tragjasjotëve”.

Por, shtoi Rama, “përtej këtyre, pyetja është shumë e thjeshtë: Si është e mundur që të imagjinohet, që një qeveri, cilado qoftë ajo qeveri me thënë të drejtën në këtë rast, të marrë ujin që i duhet disave për t’ia dhënë disa të tjerëve? Si mund të bëhet kjo dhe për cilën arsye në botë? Tani këtu është futur brenda edhe “kuçedra”, domethënë oligarkët që po marrin ujin për qëllimet e tyre etj.”.

Por, nga ana tjetër, u shpreh Rama, “unë jam përpjekur ta shpjegoj dhe ta rishpjegoj me ata që kam folur që ky projekt bazohet në studim të mirëfilltë hidrologjik. Janë bërë matje të vazhdueshëm të prurjeve. Janë bërë analiza të vazhdueshme për të arritur në konkluzionin se çfarë prurjesh ka, sa prurje janë ato që i duhen mjedisit ekologjik, përfshirë edhe vaditjen e tokave; sa prurje janë ato që duhen për konsumin lart atje, flas për konsum për ujë të pijshëm; sa prurje ikin në det etj. Të gjithë këto aspekte teknike që i dinë shumë më mirë ekspertët, inxhinierët, hidrologët etj.”.

“Dhe, – shtoi Rama, – mbi bazën e këtyre analizave, të këtyre matjeve është bërë projekti, i cili, po e filloj nga A-ja, synon që edhe vetë zona atje, banorët atje, shtëpitë atje, të cilat furnizohen me pikatore, sepse sistemi i ujësjellësit të atjeshëm është një sistem i ndërtuar në vitet ’50 a ’60, ku di unë se kur, por që është komplet i amortizuar”.

Ndërkohë, theksoi Rama, “që një pjesë tjetër e banorëve kanë bërë investime marramendëse personale për të shpuar dhe për të marrë ujë me puse. Aty ndërkohë ne, unë e shohim si një zonë me potencial të madh zhvillimi për turizmin, me një potencial të madh transformimi të atyre shtëpive, të atyre trojeve nga vetë banorët, ku ka një numër të madh emigrantësh dhe mund të kthehen dhe të investojnë për agroturizëm etj. Kështu që edhe kanalizimet që mungojnë janë pjesë e projektit”.

Pra, shtoi kreu i qeverisë, “do të bëhet ujësjellësi i ri i Tragjasit, do të bëhen kanalizimet për Tragjasin dhe ndërkohë do të ndërtohet ujësjellësi që do të furnizojë edhe zonën e poshtme”.

“Një projekt bëhet me patjetër profesionistë, pastaj ka dhe oponencë, prapë me profesionistë, dhe bazohet në rastin e projekteve të ujësjellësve në matje, në analiza të cilat krijojnë idenë e plotë për mënyrën dhe sasinë e shfrytëzimit që të ruhen të gjitha balancat”, tha Rama.

“Ka një shifër që është shumë domethënëse. Prurja minimale e matur dhe matjet janë bërë në periudha shtator, në periudha korrik, në periudha gusht dhe për më tepër janë matje të bëra në vite 2021, 2022, më përpara ka dhe matje të 2018-ës për të parë diferencat. Kështu që prurjet minimale janë 700 litra në sekondë. Nga të gjithë shfrytëzimi i gjithë shfrytëzimi në maksimum që do t’i bëhet këtij burimi për shkak të ujësjellësit është dy herë më i vogël sesa prurja minimale”, theksoi Rama.

Domethënë, u shpreh kreu i qeverisë, “në të gjitha rastet ajo që mbetet e pa shfrytëzuar nga sistemi i ujësjellësit është më se e mjaftueshme për të gjithë mjedisin ekologjik, siç quhet”.

Ndërkohë, shtoi Rama, “për sa i përket ujit të pijshëm do të plotësohen nevojat për një masë të caktuar duke filluar nga vetë Tragjasi”.

“Kjo është çështje teknike, nuk është një çështje që e sheh me sy, se më thoshin e shohim me sy, hajde shihe me sy ka apo s’ka. Nuk shikohet kjo gjë me sy, kjo gjë shikohet me instrumente shkencorë që bëjnë matjet dhe me analiza progresive në vite të matjeve për të kuptuar se çfarë investimi duhet bërë dhe sesi ky investim impakton mjedisin, impakton njerëzit”, tha Rama.

“Të ishte një hidrocentral do ta kuptoja të gjithë shqetësimin, sepse rreziku i thithjes së burimeve ujore në një masë që mund të kërcënohet gjithë nevojat për vaditje tokash në radhë të parë, se aty është problemi dhe është një problem qartësisht legjitim, atëherë do ta kuptoja që ka një problem. Po ujësjellës, për të pirë ujë. Si mundet që një ujësjellës për të pirë ujë të thajë dynjanë duke u shfrytëzuar për nevojat njerëzore të pirjes së ujit. Është e pamundur është alogjike e gjitha kjo”, u shpreh Rama.

“Duke qenë se ka pasur shqetësim dhe ky projekt është vonuar me muaj të tërë për shkak të këtyre teorive është kërkuar nga ana ime në mënyrë të përsëritur dy herë konfirmimi nga ekspertët dhe është parë dhe nga ekspertë të tretë. Pra jo nga ata që kanë bërë projektin as nga ata që kanë bërë oponencën, por të tretë dhe të gjithë dakordësojnë në pikën që këtu s’ka asnjë kërcënim. Kjo është çmenduri. Të jem unë personi që dashkam t’i marr ujin tragjasiotëve dhe t’ia jap himariotëve, po them. Është komplet pa kuptim”, tha Rama.

“Ky është burim. Burimet janë të Republikës së Shqipërisë, nuk janë burime të një komuniteti apo të një tjetri dhe këto burime të Republikës së Shqipërisë vihen në dispozicion të njerëzve dhe të interesave të kësaj republike duke, patjetër garantuar mos cenimin e askujt që, me ligj e me zakon, ka të drejtën të ketë akses në atë burim. Dhe patjetër që në këtë rast tragjasiotët kanë të drejtën, me ligj e me zakon, të kenë aksesin për nevojat e tyre në atë burim dhe kjo as mund të diskutohet. Kështu që nuk kuptoj se çfarë diskutoj dhe me ç’bazë”, theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se i ka kërkuar drejtorit të përgjithshëm të AKUM-it, bashkë me specialistët dhe kryetarit të bashkisë të bëjnë një shpjegim shterues në një televizion në Vlorë.

“Sepse këto shpjegimet teknike nuk mund të bëhen me 200 veta që thonë ne do vritemi dhe nuk do lëmë të bëhet projekti. Kështu nuk mund të bëhen dot shpjegime. Do bëhen shpjegime teknike dhe pastaj do shfaqem dhe vetë atje. Aty pastaj flasim po mbi bazën njëherë të të marrit të shpjegimeve teknike. Se nuk mund të bëjmë inxhinierin të gjithë bashkë. Unë nuk jam inxhinier. Ilda këtu nuk është inxhiniere. Kështu që është e rëndësishme të dëgjojmë dhe të besojmë ekspertët”.

Sa i përket Policisë, Rama tha se, “projektet nuk mund të bllokohen. Investimet nuk mund të bllokohen. Ka dhe Kod Penal për këtë punë dhe policia nuk është shfaqur aty se pa pritur e pa kujtuar u kujtua një fadromë të vijë, po, sepse ka muaj të tërë që bëhet përpjekje për t’u sqaruar dhe nuk arrihet dot të realizohet sqarimi. Tani si do bëhet kjo, do merret peng me dhunë një projekt një investim”.

“Ky është kulmi. Në investim që në radhë të parë i shërben vetë zonës. Është habi e madhe me gjithë atë unë kam shumë besim se duke dëgjuar mirë në radhë të parë ekspertët dhe duke besuar tek vullneti i mirë për transformimin e mëtejshëm të gjithë qarkut të Vlorës që është me provë do të realizojmë projektin dhe të gjithë do të jenë në fund të lehtësuar nga çdo lloj frike dhe nga çdo lloj konfuzioni. Kështu mendoj”, tha Rama.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›