E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujësjellësit i hyn uji

Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” duket se nuk i derdhet vetëm uji nga gypat e vjetruar apo nga ata që ia vjedhin.

Sipas Raportit të Zyrës së Auditorit Gjeneral (ZAGJ) për vitin 2009, kësaj kompanie i “rrjedhin” edhe shumë parregullsi.

Në këtë dokument të publikuar të martën, thuhet se dobësia e parë e kësaj kompanie është vendi ku ata i ruajnë të dhënat.

“Softueri i kompanisë nuk ofron siguri të plotë në procesimin e të dhënave, ku si pasojë kanë ndodhur një numër i konsiderueshëm i gabimeve në faturat e lëshuara”, thuhet në fillim të këtij dokumenti.

Sikurse në pjesën më të madhe të kompanive publike, edhe në këtë rast, ka numër të lartë të të punësuarve.

Madje në Ujësjellës, ndodh edhe më e keqja. ZAGJ-i ka gjetur se aty paguhen njerëz që nuk ndodhen fare në listë të pagave. “Angazhime të të punësuarve jashtë listës së pagave, të cilët paguhen nga arka dhe nuk kanë kontrata të nënshkruara valide me kompaninë”, thuhet në këtë raport të ZAGJ-it.

Më tej sqarohet se në këtë kompani nuk bëhet vlerësimi vjetor i përformancës për personelin e kompanisë, kurse procedurat e prokurimit nuk janë zhvilluar në përputhshmëri të plotë me Ligjin për prokurimin publik.

“Rrjedhimisht janë përzgjedhur fituesit në mungesë të tri ofertave të përgjegjshme, si dhe ka munguar një mbikëqyrje e duhur në realizimin e kontratave”, vazhdohet më tej me të metat e gjetura në këtë kompani.

“Realizim i ulët i planifikimit të prokurimit për vitin 2009 (rreth 30 %), pjesa tjetër e shpenzimeve janë bërë jashtë planifikimit të prokurimit”, thuhet në këtë dokument.

“Moduli i mjeteve themelore përmban mjete themelore, të cilat janë në vlerë më të vogël se 500 €, e cila bie në kundërshtim më Rregulloren për udhëheqjen e librave në
KUR Prishtina. Totali i këtyre mjeteve është 218,083 €”, vazhdohet në këtë raport të gjatë.

Sipas ZAGJ-it, kompania nuk ka arritur të nxjerrë dhe të kompletojë të gjitha rregulloret për funksionimin e brendshëm, të cilat kërkohen me Ligjin për NP-të.

Për më keq, dokumenti thotë se menaxhmenti i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” janë pajtuar më të gjeturat dhe konkludimet e ZAGJ-it në Raportin
e auditimit për pasqyrat financiare.

Por edhe në këtë rast nuk mungon premtimi. “…Menaxhmenti është zotuar se do të bëjë përpjekje të zbatojë të gjitha rekomandimet e dhëna në këtë raport”, thuhet në këtë raport.

Dokumenti thekson se pasqyrat financiare paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale, të pozitës financiare të kësaj kompanie deri më 31 dhjetor 2009 dhe operacioneve të saj financiare gjatë vitit të njëjtë.

Megjithëkëtë, pas kësaj ka një “por”. “Kompanisë i ka munguar një politikë e mirë e njohjes së provizioneve për borxhet e këqija dhe të dyshimta”, thuhet në këtë raport.

Sipas ZAGJ-it, gjatë periudhës prej vitit 1999 e deri në vitin 2009, kompania nuk kishte arritur një inkasim të kënaqshëm të mjeteve të saj.

“Afër 80 për qind e mjeteve të painkasuara, kompania i kishte provizionuar si borxhe të këqija dhe të dyshimta. Kjo paraqitje nuk ishte bërë në pajtim të plotë me standardet e kontabilitetit dhe ligjet e aplikueshme vendore”, thuhet në raport.

Për secilën parregullsi të gjetur, ZAGJ-i ka dhënë rekomandimet e veta për bordin e kësaj kompanie publike, ndërkohë që në fund të Raportit thuhet se problemet kyçe të Ujësjellësit lidhen me inkasimin e mjeteve financiare.

Në fundit të dokumentit sqarohet se Bordi i kësaj kompanie publike i ka pranuar të gjitha vërejtjet dhe sigurisht që ka dhënë premtimin se do të angazhohet që për këtë vit t’i eliminojë ato.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›