E Diel, 1 Nëntor 2026

E shpëton Presidenti

Për shkarkimin e Ali Sadriut, drejtor i QKUK-së, nuk vendos Bujar Bukoshi, e as sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, Haxhi Kamberi.

Për këtë, vendos presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu.

Në fakt, ligjërisht, shkarkimi i tij iniciohet nga ministri i Shëndetësisë dhe nënshkruhet nga sekretari permanent. Por në këtë rast, edhe presidentit duket se i ka ardhur radha të përzihet.

Burime të besueshme të Expressit, kanë sqaruar se presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, është personi i cili ka intervenuar që Ali Sadriu të mos shkarkohet.
E në këtë rast, ushtruesi i detyrës së sekretarit permanent në MSH, Haxhi Kamberi, nuk guxon as ta bëjë këtë.

“Ali Sadriu ka qenë sot (e martë) në MSH dhe vendimin për shkarkimin e tij nuk e ka lëshuar u.d. i sekretarit, për shkak se Ali Sadriu është i përkëdhelur i kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu ”, tregon një zyrtar për Express, në kushte anonimiteti.

I tërë sherri për shkarkimin e Sadriut ka nisur në zyrën e ministrit Bukoshi.
Këta të dy janë përlarë aq shumë ndërmjet veti, saqë drejtori i QKU-së e ka kërcënuar ministrin Bukoshi se do t`i bëjë publike të gjitha “të zezat” që ai i ka bërë.

“Ata kanë pasur një konflikt mjaft të ashpër verbal, kur Ali Sadriu e ka kërcënuar ministrin se do të bëjë publike të gjitha të zezat që ka bërë Bukoshi prej kohës së 3-përqindëshit e deri më sot”, thotë një burim i sigurt i gazetës.

Pas këtij konflikti, burimi saktëson se ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke ia sqaruar atij tërë ngjarjen dhe konfliktin verbal që ai ka pasur me Ali Sadriun.
“Kryeministri me këtë rast i ka thënë se drejtori ekzekutiv i QKUK-së është kompetencë e MSH-së dhe se për çdo vendim, të drejtën ekskluzive e ka ministri dhe sekretari permanent”, tregon zyrtari për Express. Në këtë mënyrë, kryeministri i ka bërë me dije ministrit Bukoshi se ai mund të bëjë çfarë të dojë me Ali Sadriun.

Por ndoshta jo edhe bash çfarë të dojë. Ali Sadriu duket të jetë kockë e fortë.

Kjo për faktin se përfundimisht, drejtori i QKU-së do të vazhdojë punën në këtë pozitë, pa u prekur nga askush. Arsyeja është e thjeshtë. Ai ka përkrahjen e plotë të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ndërkohë, Faik Hoti, zëdhënës i MSH-së, thotë se ministri Bujar Bukoshi ka nisur procedurën për shkarkimin e drejtorit të QKU-së.

“Ministri ka iniciuar procedurën e shkarkimit të drejtorit ekzekutiv të QKU-së, z. Ali Sadriu dhe këtë e ka bërë duke u bazuar në rregulloren 2001/ 19 neni 1 paragrafi 1.7 dhe me statutin e QKU-së, neni 17 pika 17.1”, thotë zëdhënësi Faik Hoti për Express, pa dashur të japë asnjë sqarim shtesë.

Ndërkohë, i njëjti zyrtar i ka thënë gazetës se ministri Bujar Bukoshi është i vendosur ta shkarkojë Ali Sadriun dhe se largimi i tij nga pozita e drejtorit ekzekutiv mund të bëhet brenda dy dite. Derisa konfliktet dhe zënkat vazhdojnë, problemet në QKU vetëm sa vazhdojnë të rriten.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›