E Diel, 1 Nëntor 2026

Suspendohet drejtori i QKUK-së, Ali Sadria

Ministri i Shëndetësisë Bujar Bukoshi, pasi ka iniciuar procedurën e shkarkimit të drejtorit ekzekutiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ali Sadria, ka bërë të ditur se tashmë drejtori ekzekutiv i QKUK-së është suspenduar nga puna.

Sipas Bukoshit, një inicim të këtillë, është bërë duke u bazuar në mosfunksionimin e punëve të përbashkëta mes MSH-së dhe QKUK-së, si dhe në performancën dhe menaxhimin e dobët që ka treguar Sadria gjatë detyrës së tij si drejtor i QKUK-së.

“Për shkak të mosfunksionimit të punëve tona të përbashkëta, s’ka funksionuar ajo që duhet të funksionojë. Qendra Klinike Universitare e Kosovës duhet të ketë performanca tjera, po ashtu kjo është natyrisht edhe përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë që është e obliguar të organizojë sistemin shëndetësor që ai të stabilizohet dhe të gjejmë zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme”, është shprehur të mërkurën ministri Bukoshi.

Ai ka theksuar se Sadria me këtë rast nuk po penalizohet, ngase institucioni i dorëheqjes, i shkarkimit dhe llogaridhënies janë gjerat të cilat duhet të respektohen ashtu siç duhet të respektohet edhe hierarkia që është e sanksionuar me ligj dhe rregullore.

Ndërkohë që ka mohuar ndërhyrjen e presidentit të vendit, ose të ndonjë ndërhyrjeje tjetër nga jashtë lidhur me stopimin e shkarkimit.

“Jo, aspak nuk është e vërtetë. Nuk mund të ketë ndërhyrje, nuk ka, edhe po të kishte këtë po e them me paragjykim nuk do të kishte shans kurrfarë ndërhyrje”, ka thënë Bukoshi.

Duke shtuar se Ali Sadriu është suspenduar, po ecën procedura e shkarkimit, dhe se do të emërohet një ushtrues detyre në vend të tij.

“Është një proces që ka filluar për shkarkimin e tij, që është natyrisht i shoqëruar me vendimin për suspendim dhe të gjitha këto tjerat do të informoheni me kohë. Nuk ka asgjë për t’u fshehur, nuk ka as manipulim të mediave, kjo është e vërteta të cilën unë e di”, ka thënë Bukoshi.

Ndërkaq, drejtori i QKUK-së, Ali Sadria nuk është prononcuar për media, mirëpo përmes zëdhënësit të Qendrës, Shpend Fazliu, ka pohuar se nuk ka asgjë për të thënë, sepse asgjë nuk ka ndryshuar përveç asaj që e ka thënë dje.

“Drejtori po thotë se nuk ka asgjë të re, përveç asaj që është thënë dje”, është shprehur Fazliu.

Ndërkohë që ka angazhuar sigurimin e QKUK-së për largimin e gazetarëve nga hapësirat e QKUK-së.

Ministri Bukoshi, të martën ka iniciuar procedurën për shkarkimin e drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, Ali Sadria, duke u bazuar në rregulloren 2001/19 dhe statutin e QKUK-së, neni 17, pika 17.1. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›