E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujgurët në Shqipëri, peticion Obamës

 

Një ish i burgosur i Guatanamos, një nga ujgurët e liruar që u strehuan në Shqipëri, i ka shkruar një letër presidentit amerikan Barak Obama, ku i ka kërkuar të lirojë 17 vëllezërit e tyre ujgurë që ndodhen ende në Guantanamo dhe t’i lejojë ata të jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Një avokat, i cili përfaqëson ish të burgosurin Abu Bakker Qassim, tha se ai i ka shkruar presidentit më 24 mars. Lajmi është publikuar në “Associated Press”, pasi avokati i ka dërguar agjencisë një kopje të letrës. “17 nga vëllezërit e mi mbeten ende sot në burgun e Guantanamos. Ju lutem jepini fund shpejt vuajtjeve të tyre. Unë ju përgëzoj  për vendimin tuaj për të mbyllur Guantanamon, por që atëherë kanë kaluar shumë muaj”, shkruan Abu Bakker. Barak Obama ka publikuar vendimin e tij për të mbyllur burgun e Guantanamos, megjithatë fati i 240 të burgosurve në këtë burg mbetet i paqartë. “Shpresoj që një ditë vendi juaj t’i pranojë vëllezërit tanë. Mbase kur të vijë ajo ditë do të ketë shpresë edhe për ne që të vijmë në Shtetet e Bashkuara”. Ujgurët që kanë mbetur në Guantanamo nuk konsiderohen më si armiq të SHBA-së. Autoritetet amerikane e kanë refuzuar kërkesën e Kinës për të kthyer të burgosurit në këtë vend, me frikën se më pas do të persekutoheshin. Pesë ujgurët e liruar që në vitin 2006 janë strehuar në Shqipëri, pasi asnjë nga vendet evropiane nuk i pranoi ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›