E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji i Maqellarës dhe arsyet e dështimit, që populli i mençur i di

Jam një banor i fshatit Majtare, të zonës së Maqellarës. Çështja e ujit të pijshëm është gjithmonë kryefjala e atyshme në çdo rast gëzimesh apo hidhërimesh. Banorët e 12 fshatrave të zonës, menduan se problemi do merrte zgjidhje me ardhjen e PD-së në pushtet.

Ju premtua këtyre fshatrave, madje dhe fshatrave më të thellë, se do t’u sigurohej uji në kohë rekord. U hapën qindra metra kanale, u ndërtuan puse të tëra, si dhe u groposën qindra apo mijëra metër linearë tuba. E gjithë kjo punë përfundoi në vitin 2006. Në fillim të 2007-s, pritej të bëhej inaugurimi. Por, banorëve, që prej asaj kohe e deri më sot, herë u thonë që “uji nuk është i përdorshëm”, herë tjetër që “nuk ka energji për t’i vënë në punë elektro-pompat”, etj.

Shumë vetë pyesin pse nuk u zgjodh për marrjen e ujit të pijshëm Mali i Keçinit, që është disa metra më afër se përroi i Balltës? I pari ka ujë kristal të bjeshkëve. Por u zgjodh një vend që prodhon moçal (në atë vend qarkullojnë ujëra termalë të llixhave, Maqedoni).

Janë 5 miliardë lekë projekt. Përse gjithë kjo punë dhe investimet shkuan dëm? Arsyet, populli i mençur i di. Por përgjigjen e duam nga pushtetarët. Do të jetë afër dita kur t’i drejtohemi Tiranës me kusi e teneqe për të kërkuar ujë të pijshëm.

Dhe një pyetje që kërkon përgjigje është, përse heshtin përpara kësaj situate deputetët e Dibrës? Përse hesht opozita?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›