Një eksperiencë personale në trajtimin e të moshuarve të sëmurë
Më datën 20 nëntor, në TV, një nëpunës i urdhrit të mjekut deklaroi se gjatë vitit 2008 janë goditur nga pacientët mbi tridhjetë bluza të bardha, dhe në të njëjtën kohë i bënë apel shtetit të mbrojë bluzat e bardha .
Por shteti duhet të mbrojë edhe pacientin. Mua kush do më mbrojë? Unë jam një qytetar i moshës së tretë, Poliçan Skrapar, shkoj tek mjeku i familjes, njëkohësisht përgjegjëse e qendrës mjekësore, dhe ajo nuk mori as mundimin që të më vizitojë. Vetëm më tha: “S’ke gjë”.
Nuk bëra debat, duke menduar se kush e di ku e ka hallin. Pas një jave shkon gruaja, dhe kjo mbi 60 vjeç, që vuan nga bajamet. E pret me të njëjtin veprim. Pa e vizituar fare, i thotë “nuk ke gjë”. Në këto kushte, shkova në ambulancë dhe kërkova kartelat mjekësore të familjes për të gjetur një qendër shëndetësore tjetër, sepse nuk mund të rrimë pa kurim, jemi të moshuar e kemi nevojë për vizita e për medikamente.
Por dhënia e kartelave m’u refuzua. D.m.th., nuk më shërben, e as nuk më le të iki në mjek tjetër. Nuk po shaj, nuk po kërcënoj, dua vetëm rrugën si të bëj? Ç’më këshillon p.sh., ai mjeku që dëgjova në televizion, që kërkoi mbrojtje për mjekët?