Përtej mbretit dhe babës
Shenim i redaktorit:
Në fakt, nuk është e thjeshtë të përkufizosh në një sistem parlamentar, organin kushtetues të Presidentit të Republikës. Në një rast të tillë, pra në republika të ndryshme paralamentare mund të gjejmë një institucion të tillë që mund të variojë, nga një organ garancie kushtetuese, në një organ qeverisës. Historia dhe evolucioni i këtij organi kushtetues është padyshim e gjatë.
Pyetja që ngritëm për miqtë e Shekullit sot në debatin e së martës është: A kemi patur presidentë të mirë? Sot janë shënimet e bashkëpunëtorëve të Shekullit, Rexhep Meidani, Ardian Vehbiu, Lutfi Dervishi dhe Igli Totozani.
Nesër në pjesën e dytë të forumit do të lexoni shënimet e Arbën Xhaferrit (Demokracia radikale), Pëllumb Kulla (Miqtë dhe armiqtë e Presidentëve tanë) Franko Egro (Themelet e ngrehinës) dhe Virion Graci (Tkurrja e Presidentëve)
****************************************ARDIAN VEHBIU:Prej Presidentit të Republikës të gjithë presin shumëçka – realizimin e iluzioneve autoritare; pozicionime dhe deklarata bombastike kombëtariste, ose vëmendje gati paternaliste ndaj njeriut të thjeshtë; bindje ndaj palës politike që e ka sjellë në fuqi, ose rebelim të hapur ndaj saj në emër të parimit balancues të pushteteve; kultivim të respektit ndaj ligjit ose, përkundrazi, interpretimin e tij human; bashkërendimin e komunikimit mes institucioneve dhe nisma për reformimin e thellë të po këtyre institucioneve; fytyrën protokollare të shtetit dhe përpjekjet e palodhura për t’u shërbyer si kontekst institucional të gjitha veprimtarive politike domethënëse, edhe pse larg kamerave dhe syve të medias.
Tradicionalisht, shqiptarët janë mësuar të kenë një të parë ose të fortë mbi kokë; dhe ashtu ka qenë kultura politike që pa u bërë akoma e pavarur Shqipëria, që nga komunitetet e vogla e deri te përkatësia në perandoritë. Kishte pushtet Sulltani, por kishte edhe pashai, sikurse kishte edhe bajraktari e beu, dhe ashtu nga lart poshtë, në hierarkitë deri në familje, ku pushtetin e mbante dhe e ushtronte plaku ose babai. I njëjti model absolutist realizohej në figura autoritare të ndryshme, por sipas po asaj logjike ose raporti me pushtetin. Ndërkohë, presidenti i tanishëm i Republikës, siç e përcakton Kushtetuta, nuk i ngjan aq mbretit ose babait autoritar të kombit; por më tepër përftohet si rol nëpërmjet veprimtarisë së tij ndërmjetësuese midis institucioneve, ose lubrifikuese të jetës së shtetit.
Paradoksalisht, shqiptarët e patën ndoshta më të lehtë kapërcimin nga mbretëria në diktaturën totalitare, sesa nga kjo e fundit në republikën pluraliste dhe demokratike, meqë shndërrimi i dytë guxoi të reformojë ose të korrigjojë me themel modelin e stërlashtë patriarkal-autoritar. Vetë kalesën nga sistemi politik i vjetër si projeksion i kulturës patriarkale në sistemin politik bashkëkohor të ndarjes së pushteteve dhe të sovranitetit të ligjit e kanë shoqëruar vështirësi psikologjike, të cilat pastaj kanë pështjelluar opinionin publik dhe kanë shkaktuar keqkuptime ose shtrembërime në media. Dinjitarë të lartë, sidomos të ekzekutivit, e kanë ndonjëherë të vështirë të orientohen në prani autoritetesh paralele dhe të pavarura; dhe këto probleme të referimit rreken t’i maskojnë pastaj si kontradikta të Kushtetutës, ose t’i zgjidhin duke ia qepur Presidentit rishtas kostumet, sipas shijeve të tyre politike. Mirëpo, në kushtet kur një forcë politike arrin të shtjerë në dorë shumicën parlamentare dhe të mësyjë me ushtarët e vet institucionet siç e do zakoni në Shqipëri, Presidenti i Republikës, shpesh vjen e shihet nga publiku si alternativë ndaj partitokracisë, ose si përfaqësues i institucioneve shtetërore, çka është për t’u përshëndetur dhe mbështetur.
Nga ana tjetër, ka një kategori shqiptarësh që, me “president” kanë gjithnjë parasysh kryetarë republikash presidenciale, si Presidenti i SHBA-së, ose Presidenti francez, edhe pse këtu është fjala më tepër për një ngatërresë të ndjellë nga vetë termi, meqë SHBA-ja dhe Franca janë republika presidenciale, ndërsa jona parlamentare; por, kam frikë se e njëjta ngatërresë i ka rrënjët edhe në dëshirën për të parë, më në fund, një burrë të fuqishëm në krye, një dorë të fortë dhe autoritare, që të mos i tutet ligjit. Për shkak të dukshmërisë në mass mediat, Presidenti amerikan imponohet më shumë se kushdo tjetër si model i autoritetit jomonarkik, ndonëse kultura amerikane pop, presidentin vazhdon ta përfytyrojë sikur të ishte monark pa kurorë, sidomos po të mbahet parasysh me ç’vëmendje privilegjuese ia ndjekin mediat familjen, e veçanërisht bashkëshorten. Tani vonë, të njëjtat histori e bëma të denja për revista floktoresh po përcillen edhe për Zonjën e Parë të Francës, thuajse e kaluara e saj, nga një blic në tjetrin, do t’ia shtojë një përmasë estetike, madje dramatike politikës franceze.
Mirëpo, në republikat parlamentare të Evropës, kushtetutat u kërkojnë presidentëve zotime dhe përpjekje të tjera, më pak të dukshme për publikun, por ndoshta tepër të rëndësishme për funksionimin e institucioneve. Kam përshtypjen se edhe Mejdani, edhe Moisiu, edhe Topi, tani së fundi u kanë shërbyer institucioneve dhe republikës me dinjitetin dhe gjakftohtësinë e duhur, duke i mbrojtur aq sa kanë mundur nga orekset dhe epshet partitokratike. Që presidentët shqiptarë ndonjëherë perceptohen, madje edhe kritikohen, gabimisht, si të dobët, kjo kryesisht vjen ngaqë kultura politike në Shqipëri, instinktivisht ende e kërkon autoritetin të mishëruar në një burrë prej mishi dhe gjaku, pa u mjaftuar dot me autoritetin suprem të ligjit.
Megjithatë, jeta politike parlamentare në Shqipëri mbetet aq e polarizuar, dhe palët kundërshtare aq të groposura në pozicionet e tyre, sa roli i Presidentit, edhe pse ndonjëherë i padukshëm, është vendimtar për funksionimin e shtetit; në një kohë që imitimi prej mass mediave i zakonit amerikan, e tashmë francez për ta trajtuar e mikluar familjen presidenciale si të ishte familje mbretërore e një mbretërie fantazmë brenda republikës shqiptare, nuk i shërbejnë askujt dhe asgjëje, ndoshta përveç banalizimit të politikës.