E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji i ndotur, ujësjellësi vonon riparimet

24/04/2009  Higjiena: Në rrezik sëmundje, 500 banorë. ELBER hedh poshtë akuzat e drejtorisë

Përplasje gjithashtu me bashkinë për lejet për ndërhyrje në rrugët e asfaltuara

ELBASAN- Loja e Kungulleshkës duket se ka gjetur vende në një çështje që mund të kthehet në problemin më të madh për komunitetin e Elbasanit nëse nuk merren masat. Drejtoria e Higjienës në Elbasan deklaron se ka konstatuar vonesa dhe mosndërhyrje të Ndërmarrjes për furnizimin me ujë të pijshëm në riparimin e defekteve në tubacionet e ujit të pijshëm. Madje kjo drejtori i ka nisur një shkresë edhe prefekturës mbi problemet e konstatuara në pritje të një përgjigje nga ELBER(Kompania që ka në koncesion furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Elbasanit).

Ndotja

Përgjegjësi për Higjienën, Agim Banushi, thotë se specialistët kanë konstatuar se në vende të ndryshme në qytetin e Elbasanit është ndërhyrë mbi një muaj me vonesë nga ndërmarrja aq sa këto pika janë kthyer në problem, pasi uji i papastër në raste shirash hyn i gjithë në tubacione dhe si pasojë krijohen probleme me cilësinë duke u kthyer në një rrezik potencial për sëmundje të ndryshme. Banushi thotë se pikat ku është ndërhyrë me tepër vonesë nga ndërmarrja janë në lagjen “5 Maji” tek “Kisha”, tek “Kinezët”, Ish-“Rropaqepsia”, ndërsa pikat ku ende nuk është ndërhyrë është një pjesë në lagjen “Emin Matraxhiu” me mbi 300 banorë, në segmentin nga Drejtoria e Higjienës deri tek Sigurimet Shoqërore. Sipas Banushit, justifikimi i ndërmarrjes ka qenë se merrte leje me vonesë nga Bashkia megjithëse tek “Emin Matraxhiu” ku situata është mjaft problematike nuk ka nevojë për çarje asfalti. “Ne e monitorojmë dy herë në ditë ujin e pijshëm në 25 pika. Ende nuk kemi probleme, por shtimi i temperaturave mund t’i kthejë këto defekte në një shqetësim të madh, pasi uji i ndotur shkakton sëmundje”. Sipas tij, ende ndërmarrja e ujësjellësit nuk i ka kthyer një përgjigje zyrtare lidhur me problemet e hasura.

Teksa lëviz nga Drejtoria e Higjienës për tek Sigurimet shikon sesi nga pika të ndryshme, gropa apo çarje del ujë i pastër që mendohet se vjen nga tubacionet e çara. Pikat janë disa në këtë pjesë të lagjes “Beqir Dardha” dhe banorët të thonë se rrjedhja e ujit ka kohë që vazhdon, por askush nuk është parë t’i riparojë. E njëjta situatë shikohet edhe në afërsi të një supermarket në lagjen “Çlirimi”, por gangrena dhe problem më i madh përqendrohet në vendin e quajtur “Belebej”. Aty banorët konsumojnë ujë mes ujërave të zeza. Sapo zbret postë tunelit të hekurudhës, që të çon në këtë lagje e kupton këtë shqetësim pasi pikërisht aty tubacionet duken qartë se janë të dëmtuara dhe pak më tej shikon sesi del uji i pijshëm dhe përzihet me ujërat e zeza të një kanali mjaft problematik që del tek “Gorga”.

Banorët

Janë rreth 200 familje që furnizohen nga ky tubacion dhe s’ka nevojë që shqetësimin ta ngrejë Drejtoria e Higjiena për ta kuptuar sesa në rrezik ndodhen këta banorë.

Drita Hida është një tjetër banore e kësaj lagjeje. Ajo thotë se shpesh ku mbush ujin, seç ndjen një erë, e cila sipas saj vjen për shkak të kanalit të ujërave të zeza që përzihet me tubacionin e ujit të pijshëm. “Ne nuk kemi çfarë t’ju themi sepse ju duhet ta shikoni vetë se me çfarë uji furnizohemi. Këtë të ujësjellësit as nuk na llogarisin fare, ndërsa kemi lajmëruar edhe Bashkinë. Punonjësit e ujësjellësit i kemi parë vetëm kur na vunë sahatin e matjes së ujit. Edhe sahatet ata i kanë vënë në pusetë në rrugë. Këtu në këtë lagje është skandal uji i pijshëm. Ne jemi familjarë dhe jetojmë me frikën se do të na shpifet ndonjë sëmundje. Mendoj se këta të ndërmarrjes janë të papërgjegjshëm dhe as nuk duan t’ia dinë se çfarë bëhet me këtë ujë. Ai ikën kot këtu, ndotet tubacioni, ndërsa ata kujdesen për sahatet tonë”.

UJËSJELLËSI

Kreu i Ndërmarrjes ELBER, Atila Gjyladin, i cili ka në administrim ujin e pijshëm të qytetit të Elbasanit hedh poshtë akuzën për ndërhyrje të vonuara apo mosndërhyrje. Atila Gjyladin thotë se nuk ka një reagim nga higjiena për analizat e ujit, që mund të kenë dalë me probleme.

NËNKRYEBASHKIAKU ÇEPA

Dtritan Çepa ka deklaruar se ELBER nuk ka pasur vonesa për leje. Në pikat problematike të deklaruara nga Higjiena është kërkuar leje vetëm për segmentin tek Kisha e Shën Thanasit, tek ish-“Rrobaqepësia” atje disa herë është ndërhyrë, por nuk gjendet defekti, te “Kinezet” nuk ka asnjë kërkesë për leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›