E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Kriza rrezikon të thellojë varfërinë

24/04/2009  Publikohet anketa. Varfëria më e lartë në zonat malore dhe në periferi të Tiranës

Varfëria dhe papunësia rrezikojnë të thellohen në Shqipëri, për shkak të krizës globale. Ky është paralajmërimi që Banka Botërore ka bërë dje gjatë prezantimit të një raporti të përbashkët me PNUD-in dhe INSTAT-in. Nëse nuk do të merren masa për zbutje të efekteve, si dhe për mbrojtjen e grupeve të rrezikuara, siç janë shtresat në nevojë, efektet mund të jenë shumë të ashpra. “Duke parë këto të dhëna duhet të jemi të vëmendshëm për programet që duhet të zbatojë politika që të mos rritet papunësia, apo kriza ekonomike të kërcënojë ashpër vendin. Ne nuk e dimë sesa do të zgjasë kriza globale, ndaj duhet të analizojmë se çfarë duhet të bëjmë për të mbrojtur rezultatet e uljes së deritanishme të varfërisë”, - u shpreh Camille Nuamah, përfaqësuese e përhershme e Bankës Botërore në Tiranë.

Anketa

Studimi është realizuar nga specialistët e INSTAT-it dhe tregon se qytete si Tropoja, Kukësi, Hasi, Bulqiza, Dibra, Gramshi dhe Elbasani kanë një rritje të nivelit të varfërisë. Më konkretisht ky nivel ishte 25.6% në 2005-n dhe arriti në 2008 në 26.6%. “Në zonat malore kemi një rritje të varfërisë nga 25.6 për qind në 26.6 për qind. Shkak për këtë është bërë pamundësia për migrim brenda territorit të Shqipërisë të banorëve që jetojnë atje. Po ashtu edhe në Tiranë vihet re një rritje e varfërisë nga 8.1 në 8.7 për qind”, - u shpreh drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja. Rezultatet për 2008 tregojnë se 12.4% e popullsisë është e varfër kundrejt 18.5% në 2005-n dhe 25.4% në 2002-in. Kjo, sipas ekspertëve tregon se nga varfëria kanë dalë rreth 200 mijë persona nga rreth 575 mijë që ishin të varfër në 2005. Por anketa nuk ka përfshirë efektet e krizës globale në fund të vitit të kaluar. “Rezultatet nuk reflektojnë efektet sociale të krizës globale. Shqipëria ka nevojë për një sistem të fuqishëm statistikor dhe hapat e marra nga qeveria në këtë drejtim janë të mirëpritura”,- ka deklaruar Norimasa Shimomura, përfaqësues i PNUD-it. Këshilltari i Kryeministrit, Selami Xhepa, theksoi se për këtë duhet të bëhen ndërhyrje, me qëllim përmirësimin e skemës së ndihmës ekonomike. Studimi

Të dhënat e Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës, u mblodhën në periudhat prill-qershor të vitit 2002, maj-qershor të vitit 2005 dhe qershor-gusht 2008. U intervistuan afërsisht 3 600 familje, si dhe pranë familjeve bujqësore të të njëjtit kampion në tetor 2005 dhe nëntor 2008.

Niveli

Varfëria është përkufizuar si pamundësia e personave për të shpenzuar të paktën 5 722 lekë në muaj për frymë në 2008. Ndërsa niveli i shpenzimeve ishte 4891 lekë për frymë në muaj në 2002. Nga ky nivel varfërie kanë dalë sipas anketës, rreth 200 mijë persona në vend.

Konkluzioni

“Zhvillimi i investimeve në sektorin privat, përftimi i shërbimeve sociale publike, si dhe infrastruktura e zgjeruar duhet të mbahen në të njëjtat nivele. Duke zgjidhur problemet e rajonit malor, do të arrihet ulja më e shpejtë e varfërisë në të ardhmen”, - theksohet në anketë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›