E Shtunë, 31 Tetor 2026

hetimi tre javor per Ramen

24/04/2009  Vendimi i Parlamentit

Mazhoranca do të hetojë Ramën për lejet brenda 3 javëve

Mazhoranca parlamentare ka marrë dje përsipër iniciativën për të hetuar brenda tri javëve dhe të vërtetojë të gjitha pretendimet lidhur me abuzimet që kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama ka bërë me lejet e ndërtimit. Nisma e hedhur në tregun politik dhe mediatik para disa ditëve nga deputeti i PD-së Edi Paloka për hetimin e kryebashkikut mori trajtën zyrtare dhe përfundimtare pikërisht dje, kur Kuvendi me vendim miratoi përbërjen e komisionit dhe afatin e funksionimit të tij. Mazhoranca ka përcaktuar kryetar Ferdinad Xhaferrin dhe katër deputetët e tjerë: Aldo Bummçi, Edi Paloka, Lajla Përnaska dhe Gjok Vuksanin, dhe si afat 3 javë për të realizuar hetimin e tij. I mbërritur në seancë pikërisht në kohën e shqyrtimit të kësaj kërkese, Kryeministri Berisha akuzoi dhe një herë Edi Ramën për korrupsionin me lejet e ndërtimit. “Qeveria nuk është si bashkia. Ai e ka bërë bashkinë si familje, që i jep 90 leje vetes me Eftimin dhe këta njerëz ikin kur votohet kjo licencë. Nuk guxojnë të thonë gjysmë fjale për 90 leje ndërtimi që jepen, që Rama merr me Eftimin. Që t’i biesh planetit kryq e tërthor, rast si ky nuk gjen dhe pastaj duan të flasin për korrupsionin. Këta zotërinj janë shumë të rrezikshëm”, - tha ai gjatë seancës së djeshme. Kundër hetimit të kryebashkiakut votoi PBDNJ-ja, deputetët e PDK-së Nard Ndoka dhe Jak Ndokaj, si dhe deputeti Durim Lamaj.

Reagimi

Rama, komisioni shfaqje e

politikës së vjetër humbëse

Kreu i bashkisë së Tiranës Edi Rama ka reaguar duke e quajtur vendimin e marrë gjatë paradites së djeshme në Kuvend për ngritjen e komisionit hetimor mbi lejet e ndërtimit të dhëna nga bashkia e kryeqytetit si një shfaqje e vjetër e politikës së maxhorancës, e cila dëshmon sërish për humbjen e saj të dëshpëruar. “Çdokush e di që komisioni hetimor nuk është asgjë e re veçse vënie në skenë e shfaqjes së vjetër, e cila parashikon sulm me çdo kusht. Një tjetër truk u përdor dy vjet më parë duke publikuar foto personale për të goditur kandidaturën time, por përgjigjja e qytetarëve të Tiranës solli humbje për ta. Po gjashtë vjet më parë është ngritur një tjetër komision hetimor, po me të njëjtat akuza, që solli sërish humbje për ata që e organizuan, çka dëshmon se njerëzit e dëshpëruar tentojnë të vënë në skenë të njëjtën shfaqje të vjetër të humbjes së tyre, e cila do të shënojë fundin e një keqqeverisjeje”, - ka deklaruar Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›