E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji i pijshëm dhe ai i detit, tejet të ndotur

12/03/2009  U analizuan 724 kampionë, në shumë nyje ngarkesa mikrobiologjike shumë e lartë

DURRES- Shumë shpejt prefektura e qarkut Durrës do të ngrejë një grup pune për të evidentuar nga e para vatrat e nxehta të ndotjes së ujit të pijshëm si dhe të ujit të detit.

Analizat

Në 2-3 vitet e fundit me nismë të prefekturës janë realizuar disa aksione në Manëz, Kullë, Ishëm, Sukth etj. për të ndëshkuar ndërhyrjet në rrjet si shkak kryesor i ndotjes së ujit në tubacionet nga vendburim drejt depove mbi qytetin e Durrësit. Analizat e ujit të pijshëm në laboratorin mikrobiologjik pranë shërbimit epidemiologjik në Durrës kanë nxjerrë në pah se uji i pijshëm dhe uji i detit kanë ende probleme të mprehta. Specialistët kanë realizuar marrjen në terren të 724 kampionëve të tillë dhe pasi janë dërguar në laborator është vërejtur se në disa nyje ka ngarkesë mikrobiologjike tej normaleve të lejuara. Në një vit janë realizuar 90 analiza të ujit të detit prej të cilave kanë rezultuar pozitiv pas analizës 53 raste dhe 37 rastet e tjera me rezultat negative. Analiza e ujit të detit është bërë në pranverë dhe gjatë verës duke detyruar shërbimin përkatës të kërkojë edhe ndërhyrjen e duhur për të “zbutur” rastet. Në ndryshim me ujin e detit, uji i pijshëm kontrollohet çdo ditë në disa nyjë të kolektorëve kryesore, degëzimeve dhe ujëmbajtësve (depove). Në 724 analiza që janë bërë vetëm nga shërbimi i higjienës dhe epidemiologjisë mësohet se uji i rrjetit, uji në bote dhe ai i ambalazhuar paraqesin jo pak shqetësim. Paralelisht me këtë shërbim është edhe shoqëria anonime e ujësjellës-kanalizimeve që kontrollon çdo ditë dhe dërgon në laborator mostrat nga terreni.

Sëmundshmëria

Mjekët në Durrës kanë pranuar se uji veçanërisht në stinën e verës ka pasur me rënien dhe përhapjen e verdhëzës sëmundjet gastro - intestinale te fëmijët e moshës 2-14-vjeçar dhe se qytetarët kanë vuajtur nga fenolet e cianolet në gjak. Rastet sipas mjekëve nuk kanë qenë në nivele “epidemie”, por ata kanë vërejtur se në Durrës në disa lagje ka shqetësim lidhur me pastërtinë e ujit, ashtu siç ka problem edhe uji i detit në stinën e verës. Në prefekturë është kërkuar me ngulm marrja e masave paraprake para se të nisë rritja e temperaturave si dhe është kërkuar marrja në terren e kampionëve.

PROBLEMET

Kolektorët dhe rrjeti i ujit të pijshëm ka shfaqur probleme në lagjen numër 4, 18, Spitallë, Shkozet, Plazh dhe sidomos në ish-Kënetë. Por jo pak shqetësues është ndotja e detit tek Currilat, Bërryli, pranë murit të portit tek dy kullat, në afërsi të Urës së Dajlanit, tek anija e prishur dhe në Plepa, zona këto që mbulon bashkia e Durrësit.

MASAT

Prefektura ka vendosur që këtë vit të mbyllë para nisjes së sezonit të pushimeve në bregdet çështjen e derdhjes në det të fekaleve. Në Plazh të gjitha subjektet janë paralajmëruar, kurse një pjesë e blloqeve të pallateve dhe banesave familjare kanë vendosur të investojnë vet në ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza.

Kryesisht prodhime brumi, vendosen gjoba

Bllokohen e asgjësohen ushqime jashtë standardi

DURRES- Një sasi e konsideruar artikujsh janë bllokuar në këto dy muaj në sajë të kontrolleve të realizuara për afatet e përdorimit të mallit. Afro 1000 artikuj ushqimorë jashtë standardi janë groposur pasi u kishte përfunduar afati i përdorimit. Pjesa më e madhe e këtyre artikujve janë produkte brumërash si ëmbëlsira të ndryshme, biskota, çokollata, amareta, torta dhe produkte të tjera. Stoqet janë lënë mënjanë nga vet pronarët, të cilët e kanë pasur të pamundur t’i shesin. Por shërbimi i kontrollit ushqimor në Bashkinë e Durrësit kanë detyruar hedhjen në koshin e mbeturinave urbane edhe të sasive të mëdha qepë të kalbur, ndërsa inspektorët e saj kanë vepruar në bashkëpunim me ata të sektorit të kontrollit të ushqimit pranë DBU-së. Inspektorët kontrollorë kanë nxjerrë si të skaduar edhe sasi të konsideruar kripe. 216 mostra të kripës së gjellës kanë dhënë tregues jo të pranueshëm për përkatësinë e përmbajtjes së jodit. Kontrolli ka përfshirë një pjesë të konsideruar të aktiviteteve tregtare dhe kryesisht pikat e pakicës, por mësohet se në një periudhë të afërt kontrolli do të zhvendoset drejt pikave të tregtimit me shumicë. Asgjësimi u ka kushtuar subjekteve një dëm në shumën 17.6 milionë lekë, ndërsa inspektorët kanë vendosur rreth 50-60 gjoba që kanë variuar deri në 10 mijë lekë. Ushqimet jashtë afateve të skadencës janë një problem mjaft i mprehtë për konsumatorin shqiptar, pasi pothuajse në çdo treg apo dyqan gjen tregtohet një mall i këtij. Ndonëse blerësi shqiptarë është ndërgjegjësuar në lidhje me këtë çështje, ende mbetet shumë punë dhe kontroll nga shteti për të mos lejuar që artikuj të tillë dhe të dëmshëm të mos mbërrijnë në tavolinat e familjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›