E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujjwala dhe divorci i vitit

Një çift i përzier, ajo indiane, ai skocez, tashmë janë zhytur në një krizë të thellë, ku nuk kanë munguar as denoncimet, akuzat dhe zënkat për kujdestarinë e vajzës trevjeçare. Për ndonjë ky lajm nuk ka asgjë të veçantë, por në fakt të veçantë për Indinë janë protagonistët dhe marrëdhënia e tyre e zhurmshme. Për momentin, gjyqin e ka fituar Ujjwala Raut, gruaja që mediat lokale e quajnë ende "vajza e Dahisar", një fshat i vogël në periferi të Mumbait.

Vajza e një polici, ish-Miss, 31-vjeçarja ka qenë modelja më e famshme e Indisë. E preferuar nga markat e mëdha si "Gucci", "Yves Saint-Laurent", "Hugo Boss", "Cavalli" dhe shumë stilistë të tjerë ndërkombëtarë, dhe e shfaqur në kopertinat e revistave më prestigjioze të modës, Ujjwala është bërë simbol i joshjes në botë. "Jam aziatikja e parë që u përzgjodha mes shumë vajzave të tjera si imazhi për produktet kozmetike nga një markë ndërkombëtare siç është ‘Saint-Laurent‘", ishte shprehur shumë krenare në 2004-ën, pasi kishte firmosur një kontratë të majme me firmën franceze. "Ky sukses i imi është një fitore kundër gjithë racizmit që mbretëron në botën tonë", kishte shtuar më pas Ujjwala.

Bashkëshorti i saj, Craig Maxwell Sterry, 47 vjeç, gjysmë hebre e gjysmë skocez, është një ish-model dhe nënshtetas britanik. Ujjwala e njohu në Paris, e ndoqi nga një sfilatë në tjetrën në Milano dhe Nju Jork, e joshi dhe në fund e bindi të bëhej protagonist i një ëndrre në stilin Bollivud. Çifti u martua në 2004-ën në Manhatan. Më pas blenë një shtëpi të mrekullueshme në Goa dhe sollën në jetë një vajzë shumë të bukur. Deri para pak kohësh gjithçka rridhte vaj, madje mediat indiane kishin folur shumë ditë për lidhjen e tyre. Për fat të keq, tani ëndrra e bukur përfundoi, madje shumë keq. Supermodelja, e cila është drejt perëndimit, e ka akuzuar të shoqin për mizori dhe dhunë psikologjike dhe ka kërkuar divorcin e gjithashtu kujdestarinë e vajzës Ksha. Craig, që është bërë producent kinematografik në Goa, e ka transferuar çështjen në Gjykatën e Lartë të Delhit, duke e akuzuar të shoqen se i ka sajuar të gjitha akuzat, madje se Ujjwala e ka kërcënuar me thikë para vajzës dhe se përveç të tjerash ka përdorur të gjitha njohjet e saj në Indi për t‘i tërhequr lejen e qëndrimit dhe për ta detyruar të largohej nga vendi brenda 72 orësh.

Pas dekretit për dëbimin e tij më 10 gusht, së fundmi Craig është rishfaqur sërish në Delhi, duke nxitur kështu shumë debate mediatike. Bashkëshorti skocez i modeles u ka treguar me hollësi për dhunën verbale dhe fizike të Ujjwala-s gazetave më prestigjioze indiane. Ai ka thënë gjithashtu se bashkëshortja e tij nuk është kujdesur kurrë për vajzën, pasi në pjesën më të madhe të rasteve Ujjwala ka qenë e sëmurë dhe e depresionuar. Gjithashtu ai ka kërkuar përmes avokatëve të tij që martesa të zgjidhet në Nju Jork, aty ku është bërë, si dhe të mund të shohë dhe të marrë me vete vajzën, sepse për momentin nuk ka të drejtë ta nxjerrë jashtë Indisë.

E ndërsa mediat indiane hedhin hipoteza për motivet e ndarjes (që mund të ketë qenë xhelozia e tij, depresioni i paslindjes së Ujjwala-s ose paratë), njerëzit kanë mbetur të çuditur nga divorci më i përfolur i vitit, si dhe kacafytjet mes dy ish-modelëve. "Ashtu siç ka qenë gjithmonë një modele perfekte, është padyshim një nënë model dhe grua e mrekullueshme", e mbron Anaita Shroff Adjania, drejtoresha e revistës "Vogue" në Indi. Për momentin, modelen e mbështet e gjithë India.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›