Ishulli i fshehtë i Pablo Nerudës
Duhet të paralajmëroj qindra dhe mijëra kureshtarë e fanatikë të poezisë së Nerudës, që mendojnë se do të arrijnë në njëfarë ishulli të magjepsur, si ai te "Fortuna" e Shekspirit, ku në mes të një të qare të butë mesjetare, dalin nga çdo anë pamjet e ndritshme të çmimit "Nobel". Është e qartë se Isla Negra nuk mund të përkufizohet si qytet, e për të qenë të sinqertë, as si një vend. Është një fshat i vogël i qetë përballë detit, i populluar ndoshta nga disa mijëra banorë që kanë atje shtëpinë e tyre. Nuk ka asgjë magjepsëse. Janë shtëpi të thjeshta dhe vetëm disa prej tyre janë pak më shumë se modeste. Kur Neruda e pa që nga deti këtë vend, gjatë një udhëtimi nga Santiago, shtëpiza ishte një ndërtim i vogël prej druri në pronësi të marinarit Eladio Sobrino. Don Pablo e bleu duke menduar të strehohej atje me muzat e tij, larg nga kaosi që poezia dhe aktiviteti i tij politik kishin filluar të shkaktonin. Jemi shumë larg nga çmimi "Nobel", i cili do të mbërrinte këtu në vitin 1971. Dhe shumë vite dritë larg nga ajo shtëpi që sot është kthyer në një muze të rafinuar,i vizitueshëm nga turistë që mbërrijnë nga e gjithë bota dhe që u krijohet përshtypja se nuk kanë qenë në Kil nëse nuk shkelin në shtëpinë e poetit. Në Isla Negra arrihet duke përshkruar që nga Santiago, në më pak se një orë, një autostradë komode. Poshtë ka një han që menaxhohet nga studiuesja e folklorit Charo Cofré. Dhomat e ulëta janë të përballueshme nga të gjitha kategoritë. Ky minimalizëm është kompensuar nga një kuzhinë tipike kiliane me shumë peshq. Por pavarësisht kësaj, më duket se duhet të mendohesh dy herë para se të ndërmarrësh një udhëtim të tillë. Nuk ka asnjë arsye të fortë që të sjell në Isla Negra, që ndonjëherë të duket se nuk ka asgjë përveç detit e maleve, nëse nuk zhytesh në territorin mitik të krijuar nga Neruda. Deti është tërësisht i panotueshëm. Tashmë në një gjendje pikëlluese, Neruda reflekton në një strofë: "Unë kthehem në detin e rrethuar nga qielli, çasti kohor mes njërës dhe tjetrës valë prodhon një qetësi të frikshme: jeta vdes, gjaku ndalon derisa lëvizja e re thyhen heshtjen dhe zëri i së pafundmes dëgjohet sërish". Gati në fund të jetës së tij, i dobësuar nga kanceri, në ambasadën kiliane të Parisit, i mungon deti i Isla Negra, sepse detet e tjerë janë "të rrethuar nga qytete të trishtë, dallgët e të cilëve nuk dinë të vrasin dallgë dhe as të ngarkohen me kripë e tinguj". Ky përshkrim duket si një autoportret i intimitetit krijues të poetit. Neruda e bënte të tijin këtë spektakël të detit për të nxjerrë nga shpirti metaforat me të cilat magjepsi botën. Kur u transferua në Isla Negra, ku ndodhej rezidenca e tij e preferuar mes tre shtëpive që zotëronte në Kili, objektivi kryesor ishte "gëzimi". I dedikohej tërësisht kësaj ndjenje që shpresonte ta linte si trashëgim për popullin dhe të dashurën e tij, Matilde: "Nuk dua që të vdesë trashëgimia ime e gëzimit". Gjithë dekorimi i shtëpisë së tij të kujton një rit të caktuar: objekte me ngjyra të ndryshme, figura të gdhendura, qeramikë, syze, postera, piktura, kostume të destinuara që popullojnë një botë ku poeti luan me trofetë e tij më të shtrenjtë. Jeta e Nerudës në Isla Negra kërkon në të gjitha kuptimet një shërim të thellë të ekzistencës së tij. Nuk mungojnë kujtimet e fëmijërisë, të cilat me xhelozi arrin t‘i materializojë: gjendet aty edhe një kalë blu, të cilin e admironte teksa e shihte në portën e një stalle në Temuco dhe që arriti ta gjente shumë vite më vonë, pa litarin që ishte djegur gjatë një zjarri. Merrte me vete gjërat e së shkuarës me ngulmimin e një koleksionisti "lirik": nuk i vë objektet bashkë, vetëm duke ia përshtatur bukurisë së formave të tyre, por sepse kanë shënjuar dhe kanë plagosur intimitetin në mënyrë të tillë, sa tek ato objekte sheh praninë e vazhdueshme të së shkuarës në të tashmen. Çdo objekt në Isla Negra ka një histori: shpirti i gjerë i poetit "ulej" mbi këtë botë materiale për të shpikur. Isla Negra është i vogël, mund të ecësh nëpër plazh, të shkosh në fshatin pranë e të bësh shaka me peshkatarët, të blesh fruta deti e peshk të freskët, të ecësh me një makinë jo shumë komode drejt portit të San Antonio për të blerë ndonjë objekt të domosdoshëm shtëpiak. Një ditë ai kthehet me një kamion që mbante një portë. E dëshpëruar, e shoqja e pyet se ku mendonte ta vinte? "Do të ndërtoj një dhomë të re", iu përgjigj Neruda. Kështu u rrit shtëpia në Isla Negra deri sa u shndërrua në atë që shohim sot: pa një kat të dukshëm ose me një kat të fshehtë. Kur Neruda plakej dalëngadalë dhe bota konfliktuale ndizej rreth tij (tensioni i Luftës së Ftohtë, utopia komuniste e ushqyer nga stalinizmi, grushti i shtetit i Pinocetit që ishte gati të ndodhte) ai e zhvendoste dellin e tij krijues në vende gjithnjë e më intime. Në dhomën e fundit që ndërtoi, u kërkoi ustallarëve që të vendosnin pjata të vjetra në çati, në mënyrë që shiu të ndjehej me të njëjtën forcë si në shtëpinë e fëmijërisë së tij. Me popullaritetin e tij botëror, me kulturën dhe njohjet e tij, me ndërhyrjet në histori (nga lufta civile e Spanjës deri te fjalimi i tij në Nju Jork ("kam ardhur të diskutoj borxhin tim poetik me Walt Whitman"), me çmimin "Nobel" që mori në vitin 1971, me lavdinë që gëzonte ndër lexues, të cilët citonin përmendësh vargjet e tij, do të mund të kishte qenë forca lëvizëse e çdo kryeqyteti të botës. Don Pablo zgjodhi vendin më të qetë të planetit. Pak më tutje shtëpisë së poetit shtrihen terrene ende të zbrazura që Neruda i bleu për të ndërtuar "Camelot". Do të kishte qenë një mbretëri e pranverës, një vend ku poetët mund të vinin të rrinin për periudha të gjata e të shkruanin. Do të kishin pasur dhomat e tyre të fjetjes, dhomat e tyre të ngrënies dhe sallat e tyre të leximit. Me siguri edhe një bar që do të qëndronte i hapur. Ëndrra e tij quhej "Cantalao" dhe në demokracinë e re kiliane, pas pinoçetizmit, ëndrra vazhdon të jetë ireale. Ky vend i imagjinuar nga Neruda nuk është ndërtuar ende. Ndoshta ka pasur çështje të tjera urgjente. Ndoshta ka pasur një mediokër më shumë e një talent më pak në "politikat kulturore". "Cantalao" ishte ëndrra e pa përmbushur e Nerudës. Një dorë që u shtrihej kolegëve që të mund të gëzonin edhe ata pak nga freskia dhe gjuha e detit, duke menduar se edhe ata mund të krijonin aty vepra të mëdha siç bëri ai vet. Isla Negra është i vogël, por Neruda e populloi me mijëra herë: qindra shkrimtarë europianë, latino-amerikanë, afrikanë, njerëzit më të rëndësishëm të politikës janë ndalur aty. Mbi portën e tij, në ishullin e vogël të Isla Negra shkruhet: "Neruda nuk është kilian, Kili është nerudian".