E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujk në Shqipëri apo kec në Perëndim?

"Drejt lirisë", komedia e Erand Sojlit, një përzierje barcaletash mbi stereotipin e shqiptarit të këtyre 20 viteve, përballë vetes dhe përballë të huajit. I paqartë dhe i varfër dhe koncepti regjisorial

Teatri i Metropolit shfaqi në fundjavë premierën "Drejt Lirisë" shkruar nga Erand Sojli, e interpretuar po nga ai, me regji të Robert Budinës. Komedia u shfaq të shtunën me sallën njëqind vendëshe plot, të dielën jo dhe aq.

Në prezantimin për mediat, regjisori Budina foli për "formatin e ri", atë "stand-up comedy" dhe mundësitë e shumta për gjetje regjisoriale që i lejonte vepra.

Kurse, Sojli, për një "këndvështrim të veçantë mbi temën e lirisë", jo tipik, dhe për një simbolikë që do ta bënte për vete publikun. Sojli nuk e quajti as "pamflet" dhe as "tregim komik", por një tragjedi që shihet duke qeshur.

Komedia trajton një stereotip aktiv prej njëzet vjetësh: si e shohin shqiptarët njëri-tjetrin dhe si mendojnë ata se i shohin të huaj.

Kjo është një çështje me të cilën janë përballur popuj dhe vende të tjerë, para hapjes së Shqipërisë, më pas por edhe në këtë moment që flet Sojli.

Çështja "e tjetrit" brenda një shoqërie që ka dalë nga izolimi dhe rruga që duhet të bëjë "tjetri" drejt një shoqërie të përparuar e të iluminuar si Perëndimi (mentalitete që e kanë ndarë botën në Perëndim dhe Lindje) nuk janë çështje ekskluzive të shqiptarit. E gjen në letërsinë e përbotshme, në kinematografi, në letërsi, në dokumentaristikë, në teatër po se po.

Kujtojmë se në vitin 2005, Stefan Çapaliku ka shkruar një monodramë mbi këtë temë, me protagoniste Ema Andrenë. "I am from Albania" mbetet një vepër e mirë, ku njohja e fenomenit është në radhë të parë dhe trajtimi i tij me humor dhe ironi është çështje stili po edhe e qëndrimit që mban një shqiptar ndaj vendasve të tij.

Në këtë kuptim, duke pasur një rrugë të rrahur përpara tyre, autorët e kësaj shfaqjeve duhej të kishin tjetër përgjegjësi, për të thënë diçka prej vetes, diçka më me vlerë që vjen prej reflektimit dhe njohjes së një teme të tillë, dhe pse jo edhe prej përvojave personale. "Drejt lirisë" ishte e kundërta e gjithë kësaj.

Qysh kur u hap perdja u kuptua për ç'lloj komedie bëhej fjalë. Komedi që ka për tabelë qitjeje politikën dhe personazhet e saj, një show i fundosur në batakun e temave: "Komunizëm", "Integrim", "Viza", "Pasaporta", "Perëndim". Këto janë tema të rëndëishme por vlera e tyre bëhet banale kur komediani i sheh si një dorë barcaletash "na ishte njëherë një shqiptar, një francez dhe një slloven... në avion".

Sojli e përshkruan udhëtimin e shqiptarëve drejt Francës si një përrallë. Personazhet janë ujku/ujqërit, domethënë shqiptari/shqiptarët dhe keci/kecat që personifikojnë sipas Sojlit frëngun apo perëndimorin. Ujku kërkon të hyjnë në shtëpinë e kecave. Ky është qëllimi.

Vazhdon me peripecitë në aeroport, shokun e ujqërve përballë qytetit të dritave dhe me kuvendimin përballë Kullës Ejfel mbi Shqipërinë pa ujë dhe pa drita.
"Drejt lirisë" është përmbledhje e një lënde gojore që gjëllin në kafene, në rrugë, po edhe në ekranet shqiptare të së dielës. As më shumë as më pak.

Histori të dalë boje këto, ashtu si ato që tregohen për shqiptarët që nuk dijnë gjuhë të huaj dhe "fusin disketën e gjuhës universale". Gjuha e vjedhjeve ordinere në aeroporte, gjuha e urisë për femra të cilat janë ose stjuardesa, ose zezake.

Në rrugën e ëndrrave për liri dhe rropatjeve për ta prekur lirinë, shqiptari është i paditur, injorant dhe i varfër. Kur shkel në tokë të lirë, shqiptari-ujk i Sojlit provon një paradoks: ai nuk e gëlltit dot lirinë aq shumë të dëshiruar prej fillimit.

Ujqërit e Sojlit janë pa dhëmbë. Janë ca 80-vjeçarë që dikur në Shqipëri kanë luajtur rolet e viktimës dhe xhelatit. Komedia e Sojlit as e ka ndërmend të flasë për njeriun, për atë shqiptar ujk që i hyn në punë liria, që ka çfarë të bëjë në liri.

Komediani ynë pa ç'pa dhe e kthen "ujkun e fundit" ("ujku i fundit i Mohikanëve"!!!) në atdhe.

Po regjisë çfarë "gjetjesh" i mbetej për të bërë në këto kushte?
Së fundi: kur flitet për stand-up komedi nuk pretendohet që publiku mos të rresht së qeshuri.

Sa për median dhe propagandën, ky prodhim i kompanisë "Era Theatre Productions", u quajt "sukses". Komedia vinte me çmim special nga Festivali i Gjilanit "Flaka e Janarit 2010". Çmimet janë ndonjëherë si ato dyert butaforike. Nuk është nevoja t'i shtysh me forcë, ato hapen vetë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›