Merrte para për të pranuar dokumentet, pranga infermierit
ELBASAN/ Kujtim Qamili është ndaluar nga policia, ndërsa për të është vendosur masa "arrest shtëpie"
ELBASAN - "Raporti i fundit" është emërtuar operacioni që ka sjellë prangosjen e një infermieri në Poliklinikën e Specialiteteve të Elbasanit. Kujtim Qamili, 39 vjeç, lindur në Labinot e banues në Elbasan është lënë në "arrest shtëpie" nga gjykata nën akuzën korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Qamili akuzohet se u merrte të holla personave që aplikonin për t'u pajisur me raport mjekësor në Poliklinikën e Specialiteteve.
Sektori kundër krimit ekonomik-financiar dhe konkretisht nga ana e Seksionit kundër korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është finalizuar dje operacioni i koduar "Raporti i Fundit" duke vënë në arrest shtëpie Kujtim Qamilin, 39 vjeç, me banim në lagjen "Beqir Dardha" në Elbasan.
Burime policore pohuan se në bazë të informacioneve të marra dhe në sajë të metodave speciale të hetimit është provuar se ky shtetas u merrte para personave që aplikonin për raport mjekësor në poliklinikën e specialiteteve.
Mbi bazën e këtyre provave gjykata ka vendosur për infermierin masën e sigurisë "arrest në shtëpi". Policia e Elbasanit deklaroi se është duke punuar për të dokumentuar këtë vepër penale dhe identifikimin dhe zbulimin edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Pak kohë më pare, policia e Elbasanit ndaloi tre mjekë të komisionit mjeko-ligjor të cilët përfitonin të holla në këmbim të dhënies së raportit. Por pas apelimit të çështjes ata hetohen në kushtet e arrestit në shtëpi.
Sipas hetimeve të policisë, Qamili ndërsa bënte pranimin e dokumentacionit për kemp merrte edhe një vlerë të caktuar parash vetëm për këtë veprim.
Duket se kanë qenë denoncimet e qytetarëve që e kanë nxjerrë zbuluar infermierin, i cili dyshohet se veç shërbimit të mjekimit, kishte dhe një tjetër detyrë tek e cila fitonte një sasi të hollash. Nuk jepet një shifër e saktë për përfitimin nga çdo person pasi, sipas policisë, vlerat e kërkuara ishin të ndryshme në varësi të rasteve.
Nga të dhënat e hetimit mësohet se ekzistojnë disa lloj provash kundër 39-vjeçarit, i cili i ka hedhur poshtë akuzat duke e cilësuar një montaturë kundër tij. Gjithsesi, pritet që hetimet të vazhdojnë pasi dyshohet se rrjeti i personave që përfitojnë ishte më i gjerë.