“Manita” në çdo autobus urban të Barcelonës
Pesë futbollistët kryesorë të skuadrës së Barcelonës me krenari tregojnë pëllëmbën e tyre me pesë gishtat e hapur të dorës, një foto që është bërë për një fushatë që ka të bëjë me shëndetësinë, por mediat vlerësojnë se është e qartë se me këtë aludohet në fitoren 5:0 kundër Real Madridit në "Camp Nou" vitin e shkuar. Xhamat e autobusëve "të veshur" me këtë foto po shëtisin nëpër Kataluni, vetëm pak ditë para derbit të madh "El Clasico", e që kësaj here luhet në "Santiago Bernabeu" të Madridit, të shtunën. Karles Pujol, Ksavi Hernandez, Viktor Valdez, Serxhio Buskets dhe David Vila janë protagonistët e reklamës "provokuese" shëndetësore. Secili nga futbollistët në dorën e vet ka nga një shkronjë të stampuar, kurse së bashku krijojnë fjalën "Units", që në gjuhën katalunase do të thotë "të bashkuar". Edhe kjo porosi "shëndetësore, sipas mediave, mund merret si provokim para derbit të madh, ku me fitore Barcelona do të mbyllte luftën për titull. Në të vërtetë, Barcelona dhe Reali brenda 18 ditësh pritet t'i zhvillojnë katër ndeshje ndërmjet vete. Veç "El Clasicos" në La Liga, këto dy skuadra do të përballen edhe në finalen e Kupës së Spanjës gjatë javës së ardhshme dhe sipas të gjitha gjasave në dy ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Provokimet i kanë nisur edhe mediat katalunase, të cilat kanë publikuar një foto të trajnerit të Realit, Zhoze Murinjos, me një shuplakë të vizatuar në faqen e tij. Në shuplakë është e stampuar logoja e skuadrës së Barcelonës.
Aktualisht Barcelona kryeson La Liga me 84 pikë të grumbulluara, tetë më shumë se skuadra e Realit që zë vendin e dytë.
Kaka: Barcelona nuk është e pathyeshme
Kaka thotë se Real Madridi mund ta mposhtë Barcelonën gjatë kësaj fundjave dhe të vazhdojë më tej dhe të fitojë të tre titujt për të cilët është në garë. Për shumëkënd, Barcelona është favorite për të fituar të tre titujt këtë sezon, por Kaka shpreson për të kundërtën. “Madridi mund ta mposhtë Barcelonën. Ata nuk janë të pathyeshëm. El Classico është një ndeshje e madhe globale dhe ne duhet të besojmë se mund ta fitojmë Ligën, Ligën e Kampionëve dhe Kupën”, ka thënë Kaka.