Ujkani, ëndërr e Sampdorias

Samir Ujkani mbetet prioritet i Sampdorias. Drejtori sportiv i klubit italian, Pasquale Sensibile, e ka konfirmuar objektivin kryesor për portën e klubit nga Serie B italiane 23 vjeçarin nga Vushtrria.
“Nuk ka asgjë të re, por ne nuk e kemi fshehur kurrë faktin se për pozitën e portierit e kemi ëndërr dhe objektiv numër 1 një lojtar mjaft të ri, i cili aktualisht luan në Serie A, në bashkëpronësi të Palermos e Novarës”, ka thënë fillimisht në konferencë për shtyp Sensibile.
Ky i fundit ishte më meritori për arritjet në karrierë të Ujkanit. Zyrtari i Sampdorias flet për hapat e parë të ish portierit të Anderlechtit në Itali.
“Ujkani është një djalosh që kur isha në Palermo, ishte portieri i tretë. Më pas, pas disa aventurave të Jimmy Fontanës, ishte bërë portieri i dytë përkrah Amelias. Pasi arriti në Novara në ligën e tretë, nuk e kisha as hezitimin minimal që të zgjidhja të llogaris në të, duke ia besuar fanellën e titullarit. Ai e ka mbrojtur këtë pozitë me personalitet të lartë dhe ka qenë absolutisht një protagonist në këto dy sezone në Novara”, vazhdoi Sensibile.
Ish drejtori sportiv i Novarës është i vetëdijshëm se për ta sjellë Ujkanin në qytetin e Genovës nuk do të jetë aspak e lehtë. Por, ai nuk dorëzohet.
“Nuk është një pistë e lehtë, por në futboll vështirësitë nuk do të thonë pamundësi. Në media ditëve të fundit janë shkruar emra të shumtë si Maninger, Storari, Andujar, por ne e kemi vetëm një objektiv”, vijoi ai.
Edhe trajneri i ekipit ‘Blucerchiato’, Gianluca Atzori, do ta mirëpriste përfaqësuesin shqiptar në Genova. “Është një portier që më pëlqen shumë. Kam biseduar me Pasqualen dhe kemi vendosur të provojmë ta marrim”, tha trajneri i Sampdorias.
Ditëve të fundit flitet se Ujkani mund të rikthehet në Palermo, pasi që klubi sicilian nuk ka arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit me portierin Sirigu.