Me Xhemajlin e Inlerin, Napoli për Scudetto

Transferimi i Blerim Xhemajlit dhe Gokhan Inlerit e ka përforcuar tej mase Napolin. Për këtë është i vetëdijshëm edhe ish trajneri i klubit napolitan, Walter Novellino. Sipas trajnerit italian, apetitet e Napolit këtë sezon mund të rriten.
“Xhemajli e Inler kanë luajtur së bashku në Zvicër, njihen mirë. Blerimi është një lojtar që luan në pozitë ndryshe nga Gokhan, por të dy mund ta bëjnë diferencën së bashku”, deklaroi Novellino për radion italiane, Radio Goal, në emisionin ‘Kiss Kiss’.
- “Napoli po punon mirë për sezonin e ardhshëm. Sezonin e kaluar, ky ekip u rendit në pozitën e tretë, ndërsa me përforcimet që bëri javët e fundit, mund të mendojë diçka më shumë. Napoli ishte superior ndaj shumicës së skuadrave italiane, sezonin që shkoi. këtë vit mund të luftojë për titull të kampionit”, vazhdoi Novellino.
Mesfushori shqiptar iu bashkua Napolit javë më parë nga Parma, e cila nga shitja e tij përfitoi 11 milionë euro.